Nga Kasem Seferi
Në abc news erdhi dhe risija e Mustafa Nanos (nuk preferoj të them dhe të shkruaj Muç Nano). Ishte i pari Koço Kokëdhima dhe e dyta, Mesila Doda.
Ashtu sikundër ndodh rëndom kërkova dhe gjeta te Eni Vasili, Zotin Genc Ruli.
Më pas, pashë një lajm të një takimi që Ministri Arben Ahmetaj (natyrisht, jo Xhim Kerri), kishte bërë një takim me këshillin e investimit.
Më raftë pika, më raftë, përsërita një thënie të një xhikoje nga Gjirokastra që e kam pasur gjitone.
Borxhi.
Ky është një emër që nuk ngjit në ndërgjegjen e qytetarëve shqiptarë për arsye se gëlltisin këtë “helm“ pa e ditur.
Meqenëse Zoti Mustafa Nano premtoi se do të thërrasë në emisionin/programin e tij, njerëz që janë jo në sintoni me mendimet e tij, mendova të shkruaj diçka që lidhet me Qeverinë Rama 2.
Teoria ekonomike ka shpjeguar se, rritja ekonomike, udhëhiqet nga sjellja individuale e familjarëve dhe bizneseve, prirja e natyrshme për kursim dhe investim, akumulimi i kapitalit dhe progresi teknologjik, duke i dhënë, në këtë mënyrë, politikave publike vetëm një rol indirekt, por mjaft të rëndësishëm.
Pjesa më e madhe e veprimtarisë ekonomike ndodh në treg dhe cilësia e përgatitjeve institucionale për sigurimin e të drejtave të pronës, sigurimin e konkurrencës së drejtë, masave shtrënguese për zbatimin e kontratave dhe, në fund të fundit, stimulimin/nxitjen e sipërmarrjes ekonomike, e cila nuk mund të lihet mbas dore sikundër është lënë.
Me qëllim që shoqëria të përfitojë në maksimum nga vendimet individuale të qytetarëve, infrastruktura në dispozicion (dhe në përputhje me kërkesat e kohës), sigurimi i të mirave publike dhe zgjidhja e çështjeve që lidhen me ndikimin e faktorëve të jashtëm, janë njësoj për nga rëndësia.
Kur gjykohet se cila është fusha optimale e ndërhyrjes së qeverisë, përsa i përket rritjes ekonomike, nga shkolla të ndryshme, gjykimi bëhet nga këndvështrime të ndryshme.
Shkolla Austriake e Shkencës Ekonomike, rolin e sektorit publik në ekonomi e koncepton mjaft të kufizuar, ndërsa shkollat që janë për një ndërhyrje të gjërë, një gjë të tillë e justifikojnë me nevojën për të ndalur dështimet e tregut dhe pabarazinë shoqërore.
Rezultatet empirike të prezantuara në literaturë, përsa i përket mbështetjes së rritjes së ekonomisë në anën e përgjithshme (agregate/shtesë pas shtese) dhe për rolin e qeverisë, nganjëherë, nuk përputhen.
Për të paditurit e Qeverisë Rama 2 duhet thënë se, shumica e autorëve (Landau, 1986; Kormendi dhe Meguire, 1985, Scully, 1995; Grossman, 1988; Vedder dhe Galloway, 1998; Peden dhe Bradley 1989; Mackness, 1999; Grier dhe Tullock, 1989; Benson dhe Johnson, 1986; Folster dhe Henrikson, 2001, Gwartney, Lawson dhe Holcombe, 1998; Tanzi, 2005) kanë gjetur një korelacion/bashkëlidhje negative domethënëse ndërmjet madhësisë së shpenzimeve të qeverisë (ose nivelit të tatimit) dhe rritjes ekonomike.
Studjues të tjerë (Slemrod, Gale dhe Easterly, 1995, Agell, Ohlsson dhe Thoursie, 2003; Levine dhe Renelt, 1992, Sala-i-Martin, 1997) nuk kanë gjetur korelacion të njëanshëm (me një domethënie nga pikëpamja statistikore), ndërmjet madhësisë së sektorit publik (ose tatimeve) dhe rritjes ekonomike.
Ndoshta, nganjëherë, gjetjet e kundërta, janë rezultat i problemeve konceptuale dhe cilësore, si dhe për shkak të sektorit të madh informal/jo zyrtar në ekonominë e vendit, por gjithashtu edhe për vetë natyrën gjithëpërfshirëse që kanë përmasat tradicionale të shpenzimeve të qeverisë.
Madje, disa studime e venë theksin te rëndësia që ka dallimi ndërmjet konsumit të qeverisë (ose shpenzimeve të rishpërndarjes), të cilat mund të menaxhohen ose shënjestrohen në mënyrë joefiçente, ose mund të krijojnë antinxitës për punën me investimin e qeverisë në infrastrukturë dhe në të mira të tjera publike.
Kryesisht ato dallojnë ndërmjet dy ndikimeve të kundërta të madhësisë së qeverisë mbi performancën ekonomike:
- ndikimit pozitiv, që mund të vijë nga investimi publik në infrastrukturë (Aschauer, 1989; Barro dhe Sala-i-Martin, 1992; Loayza dhe Soto, 2002) dhe
- investimit të përgjithshëm të qeverisë (Aschauer, 1989, Easterly dhe Rebelo, 1993; Devarajan, Swaroop dhe Zou, 1996, Kneller, Bleaney dhe Gemmell, 1999), ose shpenzimeve për arsimin (Evans dhe Karras, 1994).
Disa autorë të tjerë e gjejnë më pak të favorshëm ndikimin mbi rritjen ekonomike që buron nga shpenzimet e konsumit qeveritar (Barro, 1990; Slemrod, Gale dhe Easterly, 1995, Sala-i-Martin, Doppelhofer dhe Miller, 2004), shpenzimet joproduktive (Kneller, Bleaney dhe Gemmell 1999), shpenzimet e mirëqenies publike (Loayza dhe Soto, 2002) dhe barra e tejkaluar mbi sektorin privat (Alfonso, Ebert, Schuknecht dhe Thone, 2005).
Teoria dhe rezultatet e studimeve empirike sugjerojnë se veprimi i qeverisë nuk duhet ta minojë, por duhet ta mbështesë funksionimin e tregjeve, me qëllim që të forcojë rritjen e shëndoshë ekonomike: pra, krijimi i fondeve është i domosdoshëm për të financuar veprimtari të tilla thelbësore si siguria e brendshme dhe e jashtme, administrimi publik, trajnimi i mirë, zvogëlimi i nivelit të korrupsionit të punonjësve të shërbimit civil dhe të pushtetit gjyqësor, infrastruktura bazë, shëndetsia dhe arsimi, sepse shpenzimet rishpërndarëse, të shënjestruara në mënyrë të varfër, mund ta zvogëlojnë rritjen ekonomike duke krijuar antinxitës për të punuar, kursyer, akumuluar kapital fizik dhe njerëzor, ose për të ushtruar talentin e sipërmarrjes.
Think about it Mister Ahmetaj – Mendo rreth kësaj Zoti Ahmetaj!
Në të njëjtën kohë, disa nga këta autorë pretendojnë se vendet me përqindje më të ulët të shpenzimeve publike kundrejt PBB – së, demonstrojnë një efiçencë më të lartë të institucioneve/administrimit të tyre publik dhe më shumë rritje ekonomike se sa sektorët e mëdhenj publik, që shoqërohen me shpërndarje më të barabartë të të ardhurës dhe kohezion më të mirë social.
Sikundër mund të konstatohet lehtë, njerëzit nuk punojnë ose investojnë për të paguar tatime, por për të fituar para dhe për të blerë (dhe, natyrisht, për të konsumuar) mallra dhe shërbime më të mira, pasi i kanë paguar tatimet.
Në të vërtetë njerëzit nuk interesohen për tatimet, por për paratë që u mbeten atyre pasi kanë paguar tatimet: edhe pse këto para janë shumë të ngjashme, ato kanë një diferencë shumë të madhe ndërmjet tyre.
Një ekonomi me rritje të shpejtë, nënkupton papunësi më të vogël dhe të ardhura më të mëdha, që të çon në përfitime të zvogëluara të papunësisë dhe të programeve të tjera shoqërore të ndihmës ekonomike.
Përvoja e vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim, tregon se shkenca moderne ekonomike nuk është një teori e mënyrës së të tatuarit, por një teori e përgjithshme e shkencës ekonomike, që nuk beson se vetëm zvogëlimi i tatimeve prodhon të ardhura më të mëdha për qeverinë, por në atë që vetëm veprimtaria e rritur ekonomike mund të krijojë të ardhura më të mëdha për qeverinë.
Ende nuk është provuar nëse ekziston ndonjë teori që lidhet në mënyrë predominuese me rritjen e të ardhurave tatimore, por dihet se ka teori që lidhen me përmirësimin e cilësisë së jetës dhe, të kuptuarit e shkencës ekonomike moderne, kërkon që askush të mos bëjë supozime se qeveria na qenka ajo që mund të përmirësojë mirëqënien e popullsisë: në të vërtetë shkenca ekonomike moderne ka argumentuar se ndërhyrjet e tepërta të qeverisë janë të dëmshme për përmirësimin e ekonomisë.
Historia e viteve të fundit ka treguar qartë se përqindjet e ulta tatimore janë pjesë përbërëse e një pakete reformash për të maksimizuar lirinë dhe lulëzimin e ekonomisë dhe tatimi i sheshtë, si rast, është mënyra më e mirë për t’u siguruar se të gjitha të ardhurat tatohen në një përqindje të vetme, të ulët.
Zvogëlimi i të ardhurave për njësi rezulton në të ardhura të përgjithshme të rritura, me kusht që numri total i transaksioneve (shitjeve dhe blerjeve) me përqindje të zvogëluar të tatimit, të rritet në mënyrë të mjaftueshme, me qëllim që të rezultojë në të ardhura të përgjithshme më të mëdha.
Por kur ky kusht nuk plotësohet, atëhere si rezultat kemi rënien e të ardhurave të përgjithshme tatimore të mbledhura për një periudhë të caktuar vitesh.
Politika fiskale është një çështje politike dhe, çështja se si të tatosh, të shpenzosh dhe të marrësh para hua, nuk mund të reduktohet, thjesht, në kalkulime teknike dhe është kjo arsyeja përse studimet e bëra nuk i kanë dhënë një përgjigje të thjeshtë nëse 40, 50 ose 60 për qind e PBB – së është niveli i një borxhi të paqendrueshëm.
Zgjedhësit dhe investitorët, janë njerëzit e interesuar që kanë rëndësi në lidhje me politikën fiskale dhe ajo për të cilën ata kanë nevojë është një debat i qartë ku të prezantohen të gjitha pikëpamjet e ndryshme.
Duke u ngulur në mënyrë të ngushtë në një sërë rregullash ose njoftimesh të ekspertëve, debati, thjesht, asfiksohet, ndërkohë që të interesuarit e rëndësishëm kanë nevojë të dëgjojnë se si merren me borxhin palët dhe jo se si ata e delegojnë problemin larg.
Në kontrast me politikën monetare, nuk ka ndonjë konsensus, ekonomik ose politik, rreth qëllimeve të një politike fiskale të mirë, prandaj debati nuk mund dhe nuk duhet të reduktohet në një diskutim teknokratik qoftë ky edhe i praktikës më të mire.
Megjithëatë, kjo nuk do të thotë se është e pamundur të bëhet dallimi ndërmjet rrugëzgjidhjeve të mira dhe të këqia, sepse mënyra se si qeveria balancon llogaritë e saj ka një ndikim madhor mbi tërë ekonominë, si dhe pozicionin e vet në të ardhmen.
Në terma të përgjithshme karakteri i menaxhimit të mirë fiskal përfshin:
- arritjen e kostove të ulta të huamarrjes, sepse huamarrja me përqindje të larta dhe të paparashikueshme minon besimin në tregjet financiare, të cilat e ndëshkojnë qeverinë me anë të barrës të një pagese më të madhe të interesit për huadhënien;
- (ii) shmangien e “prirjes së defiçitit”, sepse përfitimet e shthurjes fiskale afatshkurtër, zakonisht rriten për qeveritë e kohës, duke ia lënë administratave të së ardhmes të ripaguajnë borxhin.
Kjo prodhon një prirje në favor të defiçitit dhe, gjithashtu, mund të lejojë që shqetësimet e të tanishmes, në mënyrë të pandershme, të rëndojnë më shumë ato të së ardhmes, duke minuar ndershmërinë ndërmjet gjeneratave;
(iii) zbutjen e ciklit ekonomik, sepse vendimet e qeverisë për tatimet dhe shpenzimet mund të rrisin paqendrueshmërinë makroekonomike me anë të forcimit të kërkesës gjatë ngritjeve të ekonomisë dhe me anë të shkurtimit të shpenzimeve gjatë rënieve të saj.
Madje, kur stabiliteti makroekonomik i delegohet bankës qendrore, defiçitet e tejkaluara të qeverisë mund të kompromentojnë pavarësinë e bankës, duke e detyruar këtë të fundit të rrisë përqindjet drejt kërcënimit të inflacionit;
(iv) nxitjen e investimit të qeverisë, sepse investimi publik ka përfitime që rriten me kalimin e shumë viteve.
Përvoja e shumë vendeve ka treguar se qeveritë në vështirësi financiare e gjejnë më të lehtë të shkurtojnë planet e investimit se sa shpenzimet korente, prandaj ekspertët këshillojnë që politikat e përgjegjëshme fiskale duhet t’i shmangin të tilla sjellje që nuk shohin larg, gjë që vërteton se qëllimi i rregullave fiskale është lidhja e qeverisë me një sjellje të përgjegjëshme që nuk mund të bazohet gjithnjë në interesa afatshkurtëra.
Pra, rregullat fiskale nënkuptojnë adresimin e problemit të “paqendrueshmërisë së kohës”, të mënyrës së zgjidhjes së preferuar të veprimit për ndryshimet që mund të bëjë qeveria gjatë kohës.
Kështu, në këtë rast, një premtim për ta mbajtur huamarrjen me kosto të ulët, i cili mund të ketë qenë i arsyeshëm në të kaluarën, në qoftë se konsiderohet e nevojshme që të mbahen kostot e interesave të ulta, nuk mund të duket më me vlerë duke i mbajtur ato në dritën e prioriteteve të menjëhershme të tilla si zgjedhjet që vijnë.
Rregullat fiskale hartohen për t’i inkurajuar qeveritë të ngulen te planet e tyre origjinale të tatimeve dhe të shpenzimeve, përndryshe rritet kosto politike për mosmbajtjen e angazhimeve të bëra; në mbarë botën ka shumë shembuj të rregullave fiskale, që zbatohen në çdo shkallë të qeverisjes: nga autoritetet vendore te qeverisja qendrore.
Të tilla rregulla, zakonisht, synojnë nivelin e korigjuar vjetor, ose në mënyrë ciklike: të huamarrjes, shumës së prapambetur të borxhit ose shpenzimeve për arsye të tilla, kështu që politikëbërësit përballen me një numër kompensimesh potenciale kur nxjerrin rregullat fiskale. Një analizë e detajuar konkludon se tetë janë cilësitë që e bëjnë një rregull fiskal efektiv: ai duhet të jetë i mirëpërkufizuar, transparent, i thjeshtë, fleksibël, në përputhje me kërkesat e kohës, i zbatueshëm me masa shtrënguese, i pandryshueshëm dhe efiçent.
Por është e pamundur të hartosh një rregull fiskal që plotëson të gjithë kërkesat e mundshme, sepse një rregull i thjeshtë, transparent dhe i zbatueshëm me masa shtrënguese i tillë si “qeveritë që dështojnë në arritjen e një buxheti me sufiçit gjatë vitit duhet të largohen”, qartësisht, i mungon fleksibiliteti; në qoftë se rregulli fiskal amendohet, me qëllim që të lejojë njëfarë maturie për një krizë, nuk do të ishte më i mirëpërkufizuar, i thjeshtë, ose transparent.
Zoti Mustafa Nano!
Ju nuk hyni dot në këtë fushë me mendimin tuaj!
Thërrisni në debat “ekspertë”, me përjatim të personit tim.
Kasem Seferi – ekonomist