Home KRYESORE I akuzuar për shpërdorim detyre: Edi Rama emëron Erion Manohasën drejtor pranë...

I akuzuar për shpërdorim detyre: Edi Rama emëron Erion Manohasën drejtor pranë INSTAT

Erion Manohasa është emëruar sërish në nje detyre të rëndësishme pranë INSTAT. Partia Demokratike e denoncoi sot, pasi Manohasa në kohën kur mbante detyrën e Fondit të Sigurimeve ka qenë i akuzuar për shpërdorim detyre. “Emërimet e dyshimta të Edi Ramës në pika kyçe të administratës janë treguesi më i qartë se prapa fasadës dhe propagandës për “bashkëqeverisje me njerëzit e zakonshëm” qëndron tepsia e pushtetit të korruptuar”, deklaroi sot zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

Rasti i Erjon Manohasës është tipik për një qeveri që predikon drejtësi, por mbështet dhe gradon ata që kryejnë padrejtësi.

Erjon Manohasa ka qenë, deri para pak kohësh, Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, që menaxhon interesat multimilionere të shëndetësisë. “Drejtori i tepsisë së pushtetit, perfaqësues i PDIU-së, u shkarkua nga detyra me vendim gjykate “për shpërdorim detyre”, sepse dyshohej se firmosi një kontratë korruptive për nje laborator hemodialize ne Durrës, që nuk plotësonte asnjë kusht për këtë shërbim jetësor për të sëmurët”, kujton PD-ja.

Sot, sërish si pjesë e tepsisë së pushtetit, drejtori i shkarkuar Erjon Manohasa është emëruar sërish drejtor. Ai do të jetë në krye të Drejtorisë së Integrimit dhe Projekteve në Institutin e Statistikave. Thënë ndryshe, të dhënat statistikore që Bashkimi Europian do të marrë nga Shqipëria janë në përgjegjësinë e të njëjtit drejtor që u hoqi të sëmurëve të drejtën e kurimit me hemodializë në spital, duke i detyruar ta bënin atë në një apartament që nuk plotësonte asnjë standard.

“Rasti i Erion Manohasës si modeli i zyrtarit të shkarkuar nga gjykata për shpërdorim detyre me dyshime për korrupsion, nxjerr në dritë realitetin që fshihet nga propaganda qeveritare: se tepsia e pushtetit jo vetëm nuk është çuar për skrap, por ajo ka vend për këdo që i shërben pushtetit të korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës”, theksoi Zhupa.

Lajmi i prillit të 2017 për Manohasën

Gjykata e Durrësit, me kërkesë të Prokurorisë pezulloi të enjten nga detyra drejtorin e Fondit të Kujdesit Shëndetësor të Tiranës, Erion Manohasa për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, Manohasa dyshohet se në kundërshtim me përcaktimet ligjore ka lidhur kontratë me një firmë private, që nuk plotësonte kushtet për kryerjen e dializës.

Nga verifikimet e kryera, rezultoi se ky shërbim i është dhënë një institucioni, i cili nuk plotësonte kriteret ligjore, nuk ishte qendër spitalore, nuk kishte staf për të trajtuar sëmundje interne, kardiologji, laboratori ishte inekzistent. Pajisjet e tij nuk janë verifikuar sipas parashikimeve të aneksit 1 të paketës së dializës, nuk është marrë pëlqimi i pacienteve që marrin këtë shërbim minimumi 3-herë në javë me qëllim transferimin e tyre si dhe nuk është administruar dokumentacioni përkatës.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, ky shërbim i është dhënë një subjekti, i cili ishte refuzuar nga fondi i kujdesit shëndetësor në vitin 2015.

Për këto shkelje, Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për drejtorin Erion Manohasa, deri në përfundimin e plotë të hetimeve dhe gjykimit të kësaj çështje./opinion.al

Share: