Home KRYESORE Vokshi: PD rezolutë në Kuvend për të ndalur kërcënimet e zyrtarëve ndaj...

Vokshi: PD rezolutë në Kuvend për të ndalur kërcënimet e zyrtarëve ndaj gazetarëve

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka deklaruar të premten se PD do të dërgojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë një Projekt Rezolutë për dënimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe poshtëruese ndaj gazetarëve.

Vokshi thekson se kjo nismë vjen si rezultat i një përballje televizive në emisionin ‘Opinion’ në TV Klan, i kryeredaktorës së ‘Monitor’, Ornela Liperi dhe kryeredaktorit të ‘Panorama’, Robert Rakipllari përballë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ku shantazhimi dhe intimidimi i dy gazetarëve, dëshmoi që liria e mediave në Shqipëri është e rrezikuar.

Përmes një shënimi në Facebook, deputetja e PD-së nënvizon se përdorimi i gjuhës së dhunshme, shantazheve, përçmimi dhe sulmet politike ndaj gazetarëve inkurajojnë dhunë edhe fizike ndaj tyre dhe akte që ndikojnë në lirinë e shprehjes në Shqipëri.

“Komiteti i Stabilizim Asociimit në Deklaratën e Përbashket mes Parlamentit Europian dhe atij Shqiptar ngriti shqetësimin për ndikimin e madh të interesave ekonomike dhe politike që rrisin autocensurën dhe rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve”,-shkruan ajo.

Sipas saj, personazhi i “njëmijë e një historive” korruptive me pasoja kriminale, siç ishte shfrytëzimi për vdekje i grave dhe fëmijëve në Landfillin e tij në Sharrë dhe rekordmeni i mashtrimeve u vetëdeklarua si “gjobitës” i koorporatave mediatike.

Ajo thekson se gazetarët disa herë kanë denoncuar ndërhyrjen direkte të Bashkisë Tiranë në politikat editoriale dhe detyrimin e turpshëm për të transmetuar kasetat pa dubla gjatë xhirim-mashtrimeve nëpër skutat e kryeqytetit.

“Në cilën kullë të pushtetit jeton Erion Veliaj që shantazhon gazetarët, duke gërmuar jo vetëm në jetët e tyre personale, por duke iu bërë edhe biografinë e punëdhënësve të tyre? Kjo sjellje përbën një agresion të paprecedent dhe përdorim të gjuhës poshtëruese dhe çnjerëzore ndaj gazetarëve, kopje e shëmtuar e ŔAMES në një sjelljeje që nxit dhunë dhe urrejtje”,-citohet nga shënimi.

Më tej, Vokshi bën me dije se në mbështetje të nenit 98 dhe 99 të Rregullores së Kuvendit, Partia Demokratike do të kërkojë zhvillimin e një debati në Kuvend për sjelljet e papranueshme dhe të paprecedenta ndaj gazetarëve të zyrtarëve të lartë shtetërore në Shqipëri.

Gjithashtu, thekson ajo- në mbështetje të nenit 55 të Rregullores së Kuvendit, Partia Demokratie do të dërgojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë edhe një Projekt Rezolutë për dënimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe poshtëruese ndaj gazetarëve, si dhe njohjen e rolit të pazëvendësueshëm të medias së lirë në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri.

Share: