Përmbledhja:
Çështja e shënimit të vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi ka nxitur debate të nxehta në shoqërinë e brishtë të Kosovës.
Shteti i ri, tanimë duke qenë përballë kërkesave për njohje dhe për t’u pranuar si anëtare e barabartë në OKB, krahas luftës diplomatike për “dalje nga lëvozhga” dhe për të hapëruar në shtegun identitar, po përballet edhe me detyra të reja që organizmat e shumtë ndërkombëtarë shtetit të Kosovës, po ia shënojnë si çështje të detyrave të shtëpisë.
Njëra nga këto detyra, jo më pak të rëndësishme, në mos ndër më të rëndësishmet, është edhe krijimi i parakushteve për ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, të cilat duhet që t’i zhvillojë e përparojë shteti i Kosovës.
Tanimë demarkacioni, ky term i popullarizuar ka bërë “rrëmujën” dhe është mishëruar tek të gjitha shtresat e shoqërisë në Kosovë dhe opinioni po ndjek çdo lëvizje të politikbërjes, për të qenë në rrjedhë të kësaj çështjeje që ka të bëjë edhe me të ardhmen e Kosovës në rrugën e saj drejt hapërimit në udhën e integrimeve me qytetërimet bashkëkohore.
Siç do të vërejmë edhe gjatë analizës së disa këndvështrimeve, do të konstatojmë pikëpamje të ndryshme për demarkacionin dhe kundër tij, sa do të hasim edhe në kontradikta të vërteta.
Fjalët kyçe:
Demarkacion, territor, Kosova, media, vija kufitare
Kontesti lidhur me demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi
Së pari nga aspekti juridik, Kosova nuk ka kontest lidhur me shënimin e kufirit. Në mes të Kosovës dhe Malit të Zi ka një Marrëveshje për Demarkacion të nënshkruar, e cila është ratifikuar në Parlamentin e Malit të Zi dhe pret ratifikimin në Parlamentin e Kosovës. Në një situatë të tillë nuk ka kontest në raportet Kosovë – Mali i Zi, por kjo është diskutim i brendshëm i Kosovës. Për më tepër, edhe nëse nuk do të votohej në Kuvendin e Kosovës, ende nuk janë definuar pretendimet e Kosovës, nëse ato janë sa i përket metodologjisë (kufijtë kadastral apo kontrolli efektiv) apo nëse kemi pretendime për gabime sa i përket metodologjisë së përzgjedhur.
Së dyti, parakusht kryesor për arbitrazh është një marrëveshje me shkrim në mes të dyja palëve në lidhje me arbitrazhin. Në një marrëveshje të tillë palët duhet të pajtohen se Vendimi i arbitrazhit do jetë përfundimtar, duhet të përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes së arbitrave (gjyqtarëve), vendin e arbitrazhit dhe institucionin, gjuhën dhe ligjin e aplikueshëm” për të qenë i vlefshëm arbitrazhi. Një marrëveshje e tillë duhet të jetë me shkrim dhe e nënshkruar nga të dy palët.
“Së treti, vendimi i cili del nga një procedurë e tillë është përfundimtar dhe i zbatueshëm”.
Ndryshe, Marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015, por ajo nuk arriti të miratohet në Kuvend pas kundërshtimit të fuqishëm nga ana e partive opozitare
Gjykuar nga të dhënat e mediave kosovare dhe të dhënave zyrtare mësohet se tema për Demarkacionin po vazhdon që nga viti 2015, kur edhe ishte arritur marrëveshja për këtë çështje. Një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës thonë se me këtë marrëveshje Kosova ka humbur territor prej 8 mijë hektarësh, ndërkohë që të tjerët konsiderojnë se Marrëveshja për demarkacionin është bërë në mënyrë të duhur dhe se ajo duhet të ratifikohet. Marrëveshjen e kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian . Në këtë kontekst, qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian është që Kosova nuk mund ta marrë liberalizimin e vizave derisa ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacion dhe derisa nuk arrin rezultate të prekshme në luftë kundër korrupsionit.
Pamundësia që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për kufirin (Demarkacionin) ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, po i mban edhe më tej qytetarët e Kosovës të izoluar.
Herbert Wilmes, anëtar i këtij komisioni ka deklaruar se për mendimin e tyre palët që e kanë realizuar demarkacionin duke u bazuar në metoda moderne dhe të sakta.
“Ne kemi dhënë një ndihmesë teknikë në këtë proces, mund të them se dy komisionet ndërkombëtare kanë përdorur teknikat më moderne për përcaktimin e vijës dhe kanë arritur të vendosin koordinata të sakta me centimetra nëse i referohemi dy palëve. Këtu flasim për një kufi ndërkomunal që e kanë përcaktuar kufirin që tash është ndërshtetëror” .
Këto javët e fundit kemi takuar palët që i kanë shfaqur pakënaqësitë. Kemi sjellë ekspertizën profesionale. Kemi takuar akademikët, profesionistët, kemi folur lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kemi diskutuar edhe me qytetarë të shqetësuar, sidomos me persona ku jetojnë në rajonin ku po bëhet demarkacioni bashkë me ekspertët tjerë kemi udhëtuar edhe vetë për të parë kufirin dhe kemi marrë përshtypjet e dorës së parë. Është një proces i rëndësishëm”.
Fletcher Burton, kryetar i Komisionit Ndërkombëtar për Demarkacion – i themeluar me urdhër të presidentes Atifete Jahjaga, në një konferencë për medie ka thënë se nga studimi që i kanë bërë dokumentacionit kanë ardhur në përfundim se Komisioni Shtetëror për Demarkacion me Malin e Zi është bazuar në ligjet e Kosovës gjatë punës së bërë, njofton Klan Kosova.
“Këtu kemi sjellur perspektivën ndërkombëtare, për shkak të backgroundit tim në ICO, ne kemi marrë parasysh rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës në këtë raport dhe fokusi jonë ka qenë çështja ligjore – bazamenti ligjor i kësaj çështje. Pas punës sonë kemi gjetur se komisioni shtetëror për Demarkacion është mbështetur në një themel të fort të bazave ligjore, ne kemi gjetur se nga këndvështirmi legal, komisioni shtetëror është bazuar në ligjet e Kosovës” .
Më 1 shtator, Kosova e shtyu votimin në parlament për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit të diskutueshëm me Malin e Zi, pas disa muajsh të protestave nga ana e grupeve të opozitës të cilët pretendonin se marrëveshja do ta privonte Kosovën nga 8,000 hektarë.
Kjo situatë ka shkaktuar krizën më të madhe politike në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, si dhe përleshje të dhunshme në kryeqytet, Prishtinë.
Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç thotë se vendi i tij nuk ka nevojë për një metër të vetme të territorit të Kosovës dhe as nuk pret që Kosova të heqë dorë nga të drejtat e saj në favor të Malit të Zi.
Kryeministri malazez në “Jeta në Kosovë” ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi kishin formuar marrëdhënie të mira me kalimin e kohës, dhe se as tani ata nuk duhet t’i vënë në dyshim këto marrëdhënie.
Një nga këto pika, ai vuri në dukje, se ishin gjetjet e Komisionit të Badinterit, i cili në vitin 1990 e kishte përcaktuar kontekstin për demarkacionin e ish republikave jugosllave.
Ai ka deklaruar se kufijtë e tyre në të ardhmen duhet të jenë në përputhje me kufijtë e brendshëm të republikave dhe krahinave të ish-federatës jugosllave.
“Ne vetëm duam ta bëjmë të qartë se kur debate të caktuara politike të ndodhin në secilin komunitet, në këtë rast në komunitetin e Kosovës, ne e kuptojmë nevojën për të zhvilluar një debat të gjallë politik. Ne duhet të sigurohemi që ky dialog nuk do të prish marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj. Kjo është shumë e rëndësishme, “ka thënë Gjukanoviç .
Përshkrim i shkurtër i territorit që i nënshtrohet demarkacionit
Agjencia Kadastrale e Kosovës nëpërmjet mediave elektronike dhe të shkruara është informuar se Komisioni i ri për kufirin, në mënyrë tendencioze ka trajtuar saktësinë e dokumentacionit kadastral për territorin e Republikës së Kosovës. Ndaj dëshirojmë që opinioni i gjerë të informohet drejtë dhe sakët lidhur me këtë çështje.
Të dhëna kadastrale teknike dhe juridike për territorin e Kosovës janë në zbatim dhe në funksion që nga viti 1931 e deri më sot. Këto të dhëna kadastrale për pronën e paluajtshme janë të regjistruara për të gjithë pronarët e pronave private, pronarët e Ndërmarrjeve Shoqërore, pronarët e pronave publike dhe pronarët e pronave shtetërore .
Territori i Kosovës është i përberë nga 38 Komuna brenda të cilave janë 1305 zona kadastrale. Ndërsa numri total i parcelave në territorin e Kosovës është 2.113.187, numri total i ndërtesave dhe pjesëve të ndërtesave është 71.265 të regjistruara në emër të 521.025 pronarëve. Këto të dhëna çdo ditë mund të i gjeni në faqen zyrtare të Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Dokumentacioni zyrtar kadastral dhe territori i Kosovës është i pandryshueshëm prej vitit 1974 e deri më tani, andaj Agjencia Kadastrale e Kosovës do të reagojë ndaj të gjitha tendencave për shtrembërim të dokumentacionit kadastral që mund të jenë të përfshira në raportin e Komisionit aktual.
I gjithë territori i Kosovës është i paraqitur nga matjet gjeodezike në harta kadastrale në shkallë zvogëlimi 1:500, 1:1000,1:2500.
Numri i fletëve të hartës kadastrale i përpiluar me saktësi decimetrike, sipas përpjesës për territorin e Kosovës është:
harta në shkallë 1:500 281 fletë
harta në shkallë 1:1 000 541 fletë
harta në shkallë 1:2 500 10577 fletë
Totali i hartave 11 399 fletë
Territori i Kosovës i prezantuar në gjeoportal shtetëror është vazhdimësi i të dhënave kadastrale nga Drejtoria Krahinore për Gjeodezi e KSA të Kosovës. Përgjatë kufirit shtetëror të Kosovës me shtetet fqinje janë 514 harta kadastrale me shkallë zvogëlimi 1:2500, në të cilat është e paraqitur edhe vija administrative e KSA të Kosovës, tani kufi i Republikës se Kosovës.
Komunat të cilat kufizohen me Malin e Zi, Junik, Deçan, Pejë, Istog posedojnë dokumentacionin e plotë kadastral origjinal që nga themelimi e deri më sot. Nga këto komuna nuk është plaçkitur asnjë dokument. Për të gjitha parcelat ekzistojnë matjet origjinale duke filluar qe nga vitet 1930 e deri më sot. Vlen te theksohet se të dhënat kadastrale për këto komuna janë skanuar dhe janë të arkivuara në kadastrin e komunave të cekura sipër.
Në faqe 53 të Raportit të Komisionit të ri për kufirin, kapitulli 4.5 shkruan: “Kadastri, duke qenë i tillë, nuk ka përfshirë prona shtetërore, nëse ato nuk janë rrethuar nga prona në pronësi apo të drejta pronësore private” .
Kufijtë e pronave shtetërore (shoqërore), veçanërisht ato malore, kanë pasur rregullim të veçantë në të gjitha sistemet shoqërore.
Po ashtu Qeveria e Republikës se Kosovës me datë 01.03.2017 ka nxjerr vendimin Nr. 06/134, ka përcaktuar që të gjitha pronat e paluajtshme të cilat kane qene të regjistruara në emër të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë/Republikës së Jugosllavisë, të Republikës Socialiste të Serbisë/Republikës së Serbisë, dhe të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, përfshirë organet e tyre shtetërore, administrative, ushtarake dhe ish-organizatat shoqërore-politike të regjistrohen në emër të Republikës së Kosovës si pronare e këtyre pronave të paluajtshme .
Në regjistrat e pronave te paluajtshme janë te regjistruara te gjitha pronat e territorit te Kosovës, duke përfshirë pronat private, pronat shtetërore, shoqërore, komunale, te ndërmarrjeve publike.
Andaj Agjencia Kadastrale e Kosovës thotë se do të reagojë ndaj të gjitha tendencave për shtrembërim të dokumentacionit kadastral që mund të jetë i përfshirë në raportin e Komisionit aktual.
Çfarë mendojnë ekspertët lidhur me këtë çështje?!
Kufiri Kosovë – Mali i Zi
– Çfarë po ndodh?! –
Argumentet Parësore për përcaktimin e vijës kufitare ndërshtetërore janë: dëshmia se kush e ka administruar një territor, apo nën autoritetin e kujt ka qenë ai territor. Quhen parësore pasi që ato kanë peshën më të madhe, me rastin e përcaktimi të kufijve ndërshtetëror, ndërmjet dy shteteve.
Argumenti i banorëve të asaj zone, sepse të gjithë banorët e asaj zone e dinë mirë se ku ka qenë kufiri. Dhe, këtë jo vetëm banorët e Kosovës, por edhe banorët e Malit të Zi. Është e vërtetë e pamohueshme për të dyja palët (banorët) se Qafa e Çakorrit dhe Kulla e Zhlepit, kanë qenë dy pika kufitare, apo rrugë nëpër të cilat ka kaluar kufiri Kosovë – Mali i Zi. Kjo mund të vërtetohet lehtë me vizitat e banorëve, në të dyja anët e kufirit .
Argumenti i rrugëve
Rrugët Pejë – Çakorr dhe Pejë – Kullë janë:
Mirëmbajtur nga Kosova, si para dhe pas luftës.
Janë ndërtuar nga Kosova (Serbia).
Policia e trafikut e Kosovës (Serbisë) ka kontrolluar trafikun në këto rrugë deri në Çakorr e Kullë.
Të gjitha këto argumente ekzistojnë në institucionet aktuale të Kosovës si dhe në arkiva të ndryshme, mirëpo këto, për çudi, nuk merrën parasysh fare, nga pala kosovare, përkatësisht, Komisioni qeveritar!
Argumenti i pyjeve
Ka plotë argumente, që pyjet që po i kalohen Malit të Zi, janë pyllëzuar nga pala kosovare, (shkolla, akcione pyllëzimi, etj.) Pastaj ka argumente të banorëve të asaj ane që për shfrytëzim të lëndës drusore, në pjesën që po mbetet në Mal të Zi, kanë marrë leje dhe kanë paguar tarifa në organet përkatëse të Kosovës. Përfaqësuesi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës nuk u pajtua me konkluzionet e “Komisionit” të fundit, pasi që konkludoi se në një pjesë (afër Kullës), mbi 600 ha (6 km2) të pyjeve po i kalojnë Malit të Zi.
Argumenti i Kullosave
Pjesa që po mbetet në Mal të Zi, është shfrytëzuar nga banorët e Kosovës, të asaj ane për zhvillimin e blegtorisë. Ajo anë njihet shumë mirë me Stanet e saj. Të gjithë këta blegtorë e kanë ditur dhe e dinë se ku ishte kufiri Kosovë – Mali i Zi.
Argumenti i Projekteve
Ka argumente të dokumentuara se në atë pjesë nga Kosova (Serbia), janë planifikuar projekte të ndryshme ndërtimi të objekteve të ndryshme, sidomos në fushën e shfrytëzimit të ujërave . As këto dokumente nuk merren parasysh nga pala kosovare, përkatësisht, Komisioni qeveritar!
Administrimi i territorit ( përfundime mbi argumentet parësore)
Përkufizimi i shtetit, (republikës, krahinës, provincës), mes tjerash, ka të bëjë me territorin, të cilin e ka nën ADMINISTRIM. Pa kurrëfarë dyshimi, autorizimet e një shteti (republike, krahine,…)për:
Transport – ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve;
Kontroll policor;
Shfrytëzim të pyjeve, kullosave, ujërave, etj.
Ndërtim, apo planifikim, të objekteve të ndryshme ekonomike, turistike, infrastrukturore, flasin për ADMINISTRIM të një territori. Dhe Administrimi i territorit flet qartë se i KUJT është AI TERRITOR. Administrimi i territorit është argumenti kyq edhe në gjykata arbitrazhi, në lidhje me kontestet ndërkufitare.
Argumentet Parësore – Dëshmi dhe shembuj
Këtu do të paraqiten disa shembuj, të cilët vërtetojnë se vija kufitare Kosovë – Mali i Zi , kalon nëpër Kullë e Çakorr. Këta shembuj janë të rëndësishëm, pasi që çdo vijë kufitare që nuk kalon nëpër Kullë e Çakorr, është e gabuar dhe e papranueshme.
Ky imazh paraqet faqen 398 të Enciklopedija Jugoslavije të vitit 1956.
Rëndësia e këtij argumenti është se kemi të bëjmë me përshkrim të kufirit (të Malit të ZI –nënvizimet janë për pjesën e Kosovës), i cili është i rëndësisë parësore në përcaktimin e kufirit, nëse dy entitetet bëhen shtete.
Pse kjo nuk merret parasysh nga Kosova zyrtare, asnjë mendje e shëndoshë nuk di ta shpjegojë!?
Përshkrimi në Monografinë e ASHAK “KOSOVA”-2011
“Në pjesën veriperëndimore Kosova kufizohet me Republikën e Malit të Zi. Linja kufitare ka gjatësinë rreth 78.6 km. Nga trekufiri Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi, e deri te trekufiri Kosovë-Mali i Zi-Serbi, linja kufitare shtrihet nëpër kotat e larta të Bjeshkëve të Nemuna – Bogiçevicë, Mokën, Hajlë dhe Zhleb. Linja kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, prehet me dy arterie rrugore automobilistike: në Qafë Kullë (1795 m) dhe Qafë Çakorr (1849 m), që trajtohet si njëra ndër qafat më të larta malore në Ballkan”. (“Kosova”, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës) .
Përshkrim i njëjtë me shembujt e mëparshëm, nga Programi Ndërkufitar i IPA, për Kosovë dhe Mal të Zi (dokumenti final i vitit 2014).
Në Rregulloren për kategorizimin e rrugëve shtetërore (Uredba o kategorizaciji drzavnih puteva) të Serbisë, të vitit 2013, në faqen 3 dhe 7, përmenden rrugët që kalojnë nëpër Kosovë deri te vendkalimet kufitare. Siç shihet, nga imazhi më poshtë, këto dy pika kufitare janë KULLA dhe ÇAKORRI. Pra, Serbia, që e ka humbur Kosovën, ia njeh asaj Kullën dhe Çakorrin, ndërsa vetë Kosova, sjell “argumente”, se ato janë me kilometra larg territorit të vet!!!
Kjo është kopertina e Programit Investues të Rrugës së Kategorisë të Dytë Rozhajë – Pejë, i punuar në Mitrovicë dhe mban datën 18.11.1964. Në slajdin në vazhdim paraqitet rruga e projektuar Rozhajë – Pejë, ku qartë shihet kufiri Mali i Zi – Kosovë, i cili kalon nëpër Kullë. Shihet se Kufiri qartë kalon nëpër Kullë.
Ku janë Kulla e Çakorri tash?
Kulla e Çakorri, natyrisht, janë aty ku kanë qenë gjithmonë. Por aty mungon Kosova, e cila tash është me kilometra larg nga këto dy pika. Që ironia të jetë më e madhe, vetë Kosova zyrtare, sjell “fakte” që Kulla e Çakorri “kurrë nuk kanë qenë të Kosovës”. Ku ka rrëshqitur kufiri, shihet mirë, nga dy slajdet në vazhdim.
Kulla larg kufirit rreth 5 km, nëpër rrugë, pas “Demarkacionit”
Për ta lokalizuar Kullën në Google Maps, kërkoni duke shtypur: 42.7870, 20.2253. Pastaj mund të krahasoni me kufirin që Kosova në “Google” ia ka vendosur vetës, Çakorri larg kufirit të Kosovës mbi 4 km në vijë të drejtë.
Pse dhe si ndodhi kjo?
Në Kosovë, secila punë institucionale bëhet shkel e shko.
Komisioni Malazez, ka bërë propozimin e kriterit – Kadastrin. Pastaj ka bërë udhëzimin për punën e Komisioneve. Dhe në fund ka bërë edhe rregulloret dhe të gjitha dokumentet përcjellëse, duke përfshirë edhe Marrëveshjen finale, e cila është ratifikuar në Parlamentin e Malit të Zi.
Komisioni ynë, qëllimin kryesor e ka pasur, shëtitjet dhe mëditjet dhe stërzgjatjen e procesit. Sa më shumë zgjat, aq më shumë mëditje, udhëtime e qejf.
Komisioni ynë e ka kuptuar se Kulla e Çakorri po mbesin jashtë Kosovës, vetëm pas reagimeve brenda Kosovës. Kjo shihet qartë nga “dokumentacioni” i Komisionit të Kosovës i publikuar në ëeb faqen e Kryeministrisë së Kosovës .
Ky dokumentacion është bërë pasi që puna është kryer dhe qëllimi i vetëm i tij është të dëshmojë se Kulla e Çakorri nuk janë të Kosovës!
Të gjitha ligjet, dokumentet dhe faktet, në të cilat thirret ky Komision, kanë të bëjnë shumë pak, e shumica aspak, me procesin e Demarkimit.
Duke parë gabimin që kanë bërë, ata thërrasin që të sillen fakte kadastrale: “Sillni dokumente kadastrale – pronësore, për tokat që po pretendoni se janë të Kosovës”.
Nga neglizhenca, moskokëqarja dhe puna shkel e shko, ata harrojnë se procesi i demarkimit nuk ka të bëjë shumë me çështje pronësore, po me çështje të administrimit të territorit, pa u kontestuar nga fqinji i parë (Mali i Zi). Dhe, pse të kontestohet, kur edhe ata e dinë se ai tërritor nuk u përket.
Pse Komisioni “Ad Hok” tha OK?
Komisioni i Jahjagës ka kërkuar përgjigje në këto pyetje:
– A janë pajtuar të dyja shtet që të përcaktojnë kufijtë shtetëror? – Po
– A janë themeluar Komisionet përkatëse? – Po
– A i kanë miratuar udhëzimet dhe rregulloret e punës? – Po
– A kanë miratuar kriteret si bazë për punë? – Po (edhepse vetëm një kriter – Kadastrin).
– A kanë punuar në bazë të rregulloreve dhe kriterit të miratuar? – Po
– A është miratuar në fund marrëveshja nga të dyja Komisionet? – Po
– A ka kontestim zyrtar nga Kosova e Mali i Zi – Jo
Prandaj, Komisioni “ad hok” as që ka mundur të bëjë ndonjë konstatim tjetër. Mandati i tij ka qenë të shoh se a janë përcjellur procedurat e dakorduara nga të dyja palët. Pasi që edhe të dyja qeveritë po thonë në rregull është, atëhërë ky Komision në fund thotë: “Hajde more, Për Hajr Ju Qoftë”!!
Pse ShBA, BE… po thonë OK?
Sepse nuk mund edhe të thonë asgjë tjetër, pasi që:
Të dyja komisionet janë pajtuar në çdo pikë;
Të dyja qeveritë janë pajtuar në çdo pikë;
Pra, zyrtarisht, nuk ka probleme në mes dy vendeve.
Prandaj – bashkësia ndërkombëtare -, nuk mund të bëjë asgjë tjetër, përveç që të bëjë “presion”, që marrëveshja të ratifikohet. Në fund të fundit, – Bashkësia Ndërkombëtare – nuk mund të na i kryejë dhe zgjidhë problemet tona. Dhe, për më tepër, edhe po të falim edhe gjysmën e Kosovës, me marrëveshje, do të na përkrahte pa rezervë.
Ku është problemi?
Problemi i parë është se Ekspertë të Demarkacionit nuk ka shumë as në rang botëror, që është e kuptueshme, sepse Demarkacionet nuk ndodhin në baza ditore.
Po edhe ata ekspertë të pakët që janë, kanë botime të shumta në lidhje me këtë çështje, të cilat edhe mund të gjenden “online”. Problemin kryesor e kemi se Qeveria, me Komisionin e saj, ka bërë një punë të mbrapshtë dhe këtë e di, por nuk po do të tërhiqet.
Problemi tjetër është se edhe kundërshtuesit e Demarkacionit, janë të fokusuar së tepërmi në harta dhe sipërfaqe, duke harruar se hartat, edhpse të rëndësishme, nuk janë faktori përcaktues i kufijve. Ndërsa, sipërfaqja nuk ka të bëjë fare me demarkacionin.
Dhe problem mbi problem është se të gjithë flasin për këtë çështje, pa e marrë mundin që të lexojnë diçka në lidhje me të.
A ka lidhje sipërfaqja?
Sipërfaqja nuk ka kurrëfarë lidhjeje me përcaktimin e kufirit. Sepse kufiri përcakton sipërfaqen dhe asnjëherë e kundërta. – Sipërfaqja nuk përcakton kufirin. Se sa absurde është tendenca, që më sipërfaqe të vërtetohet kufiri, shihet në pikat vijuese.
Kosova me “matje” të Komisionit, të ashtuquajtur për matje, ka dalë se i ka 10.905 km2. Gjatësia e kufirit të Kosovës, me këtë kufi (kadastral), është rreth 741 km. Nëse një shtet në formë katrori ka sipërfaqe 10.905 km2, atëhere gjatësia e kufirit të tij do të ishte rreth 418 km. Përderisa shteti në formë rrethi, me sipërfaqe 10.905 km2, do të kishte gjatësi të kufirit prej rreth 370km.
Kosova teorikisht mund të kishte gjatësinë e kufirit 21.812 km (10905+1+10905+1) dhe sipërfaqen prej 10.905 km2, nëse do ta kishte formën e një drejtëkëndëshi, me brinjë a=10905km dhe b=1km. Kështu do t’i dilte rezultati këtij Komisioni për “matje” .
Kur do të kishte lidhje sipërfaqja?
Sipërfaqja mund të përdorej si argument, për të vërtetuar se a është bërë mirë Demarkacioni VETËM nëse:
Janë të njohura dhe të verifikuara të gjitha pikat kufitare pa kurrëfarë dyshimi;
Nëse janë të njohura procedurat, metodologjitë dhe mjetet, që janë përdorur për matje të sipërfaqes para demarkacionit (10.877km2, p.sh).
Se sa ka lidhje sipërfaqja me kufirin, dëshmon edhe fakti që Serbia në të gjithë vjetarët e saj statistikorë, e nënvizon se Sipërfaqja dhe Gjatësia e vijës kufitare të saj duhet të konsiderohen të përkohëshme, pasi që Serbia nuk është e mbuluar komplet me matje (kadastrale) dhe se kufijtë me ish-republikat kanë qenë vetëm administrativ dhe ende nuk janë arritur marrëveshjet për demarkacion. (Kërko në Google me: “Statisticki Godisnjak Srbije”) .
E drejta ndërkombëtare lejon shtetin që të kundërshtojë ratifikimin
Profesori Zejnullah Gruda ka deklaruar në mbledhje të Qeverisë së Kosovës se Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë bërë demarkacion të kufirit mes dy shteteve por kanë shënuar një kufi të ri.Gruda ka thënë se është mashtruar opinioni publik pasi nuk ka pasur fare demarkacion mes dy vendeve, shkruan arbresh.info. Megjithatë, sipas tij, e drejta ndërkombëtare e lejon shtetin që të kundërshtoj ratifikimin e një marrëveshjeje të tillë.
Puna e ish Komisionit është karakterizuar nga mosnjohja e të drejtës ndërkombëtare, e të drejtës, së traktateve. Kështu është dashur që mbasi delegacionet të njohën me synimet që kanë e që dallojnë nga njëra tjetra duhet të ndërpriten negociatat. “Pasoja e parë dhe më e rëndë është që pala kosovare ka pranuar se gjoja mes Kosovës dhe Malit të zi nuk ka ekzistuar vija administrative që ndanë Kosovës me Malin e Zi. Delegacioni kosovar kishte pranuar që vija e ardhshme të përcaktohet në bazë të kufijëve të dikurshëm kadastral në mes Kosovës dhe Malit të Zi si kufij shtetëror”, ka thënë Gruda .
Sipas tij, janë shumë lëshime që e kanë përcjellë këtë proces pasi sipas tij, delegacioni kosovar është ngutur shumë.
“Janë shumë lëshime që kanë përcjellë ketë proces, si delegacioni Kosovar është ngutur të lidhë këtë marrëveshje. Akterët tanë janë viktima të një percepcioni të gabuar. Komisioni nuk ka ditur ose nuk ka respektuar mandatin ngase afër dy vjet ka biseduar me delegacionin e Malit të Zi për këtë çështje që nuk janë në kompetenca të tij ngase detyra e tij ka qenë shënjimi i kufirit e jo përcaktimi, dhe kjo është fshehur për opinionin publik dhe nga Kuvendi i Kosovës. Por edhe pasi të negociohej vija kufitare do të duhej të dilte diku tjetër”, ka thënë Gruda .
Përfundime:
Tanimë marrëveshja për demarkacionin (shënimin e vijës kufitare) me Malin e Zi, ka hyrë në fazën e përthyerjes së shtizave në Kuvendin e Kosovës.
Edhe më tutje, çështja e shënimit të vijës kufitare në mes të Kosovës me Malin e Zi, qëndron mbi themelin e kontradiktave dhe përplasjeve grupore.
Bashkësia Ndërkombëtare është në pritje të vendimit të Kuvendit të Kosovës, pas çka do të pasojnë edhe udhëzimet tjera lidhur me të ardhmen e sistemit të heqjes së vizave për në BE.
Edhe përkundër të gjitha joshjeve nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare, përfaqësuesit e Kosovës edhe më tutje mbeten pjesërisht të ndarë, ndonëse ditëve të fundit përpjekjet për të arritur një shumicë të duhur parlamentare për tejkalimin e kësaj krize, edhe të vetëkrijuar, duken në sipërfaqe, por se si do të përfundojnë ato, edhe më tutje nuk dihet, pasi një pjesë e konsiderueshme e spektrit të politikbërjes së Kosovës, vazhdon t’i bie telit të ndasive për këtë çështje.
Mediat vizive, të shkruara dhe elektronike, edhe më tutje sjellin informata kontradiktore, varësisht nga provinienca e politikës të cilën e përfaqësojnë.
Qytetarët e Kosovës janë në pritje të vendimeve të përfaqësuesve të tyre, ndërkohë që mediat janë duke ndjekur me interesim fillimin e debatit për heqjen një herë e përgjithmonë nga rendi i ditës të kësaj çështjeje, e cila po zvarritet tanimë disa vite.
Literatura e shfrytëzuar:
http://www.arbresh.info/lajmet/zejnullah-gruda-e-drejta-nderkombetare-lejon-shtetin-qe-te-kundershtoje-ratifikimin/
Eksperti nga Gjermania: Argumentet që zbulojnë mashtrimet e komisioneve për demarkacion!
http://indeksonline.net/murat-meha-i-reagon-shpejtim-bulliqit-per-raportin-e-demarkacionit/
Ekspertët ndërkombëtar: Demarkacioni në përputhje me ligjet e Kosovës
http://www.citynews.al/2017/12/marreveshja-e-demarkacionit-qe-po-mban-peng-kosoven/1
http://www.botasot.info/politika-lajme/785275/kushtet-qe-duhet-te-plotesohen-qe-demarkacioni-te-shkoje-ne-arbitrazh/