Konfliktet e mëparshme mes grupeve dhe një gërvishtje makine dyshohen të jenë shkaqet e një dhunimi barbar në mes të rrugës dhe më pas rrëmbimit të një të riu në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, pranë Farmacisë nr. 10, afër qendrës së kryeqytetit dhe në rrugën kryesore. I rrëmbyeri është identifikuar si Klajdi Gjeçi, 25 vjeç, person me precedentë të mëparshëm penalë, që lëvizte me makinën e një mikut të tij.
Policia tha mbrëmë se lokalizoi dhe arrestoi pas dy orësh ndjekjeje një nga autorët e dyshuar të pengmarrjes, Kleidi Yzeiri, kurse dy të tjerët u shpallën në kërkim dhe emrat e tyre nuk u publikuan për shkak hetimi. Yzeiri ishte duke udhëtuar me taksi së bashku me të rrëmbyerin në momentin e kapjes. Sot pritet detaje të hollësishme për ngjarjen.
Dëshmitarë të shumtë janë terrorizuar nga skena, ku pasi dy makina kanë ndaluar njëra pas tjetrës, kanë dalë 3 të rinj nga një “BMW X5” dhe një person tjetër nga mjeti tip “Peugeot 206”, me targa AA588FP, me ngjyrë gri, në pronësi të D.Ç. Ky i fundit ka dëshmuar në polici se ia kishte dhënë makinën në përdorim mikut të tij Klajdi Gjeçi, i arrestuar dhe dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe aktualisht në kërkim për plagosje. Në këto momente, pa pritur sqarimet e të riut Gjeçi, tre të tjerët kanë nisur ta godasin me grushte dhe shkelma.
Pas kësaj e kanë marrë me forcë duke e futur në fuoristradën e tyre dhe janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja, me destinacion zonën e Dajtit.
Policia konfirmoi se një nga motivet e rrëmbimit mund të ishte gërvishtja e makinës, pa përjashtuar edhe pista të tjera të konflikteve të mëparshme, apo ndonjë pazari të vjetër. Kjo pasi si emri i pronarit të mjetit dhe i atij që e kishte në përdorim janë të njohur si kontingjent për kanosje apo përfshirje në përplasje me persona të tjerë.
Janë ngritur postblloqe të shumta në të gjitha rrugët me forca policie dhe kontrolle. Policia Rrugore ka verifikuar të dhënat për mjetin e autorëve dhe identifikimin e tyre nëpërmjet pamjeve të kamerave të sigurisë në rrugë apo biznese. Policia tha se autorët janë kapur nga kamerat, sikurse dhe makina e tyre, ndërsa kanë kryer veprime për gjetjen dhe lirimin e pengut dhe arrestimin e të dyshuarve. Dhe kjo u arrit rreth orës 23:30 të mbrëmjes në periferi të kryeqytetit, ku Patrullat “Shqiponja” lokalizuan 3 autorët dhe arrestuan një prej tyre.
Kleidi Yzeiri po transportonte pengun Gjeçi me një taksi, ndërsa u shoqërua edhe shoferi i mjetit. Dy të dyshuarit e tjerë janë ndjekur gjatë natës nga policia në aksionin që vijon.