Home KRYESORE Sarkazma therrese e intelektualit te njohur: Jemi te varfer ndaj paguajme shtrenjte…

Sarkazma therrese e intelektualit te njohur: Jemi te varfer ndaj paguajme shtrenjte…

Nga Capajev Gjokutaj

Ime bijë, tha Naqja, kjo e Stokholmit, kishte gjetur biletë për në Stamboll e kthim, vetëm 39 €. Po kësaj ç’i thoni? Suedezi fluturon 2 a 3 herë më lirë se shqiptari!

Epo jemi populli më i varfër i Europës, ia priti Lilua, na takon të paguajmë më shtrenjtë????

Po të qenë vetëm biletat e avionëve, ua bënim hallall, vazhdoi Qaniu. Edhe karburantet i kemi më të shtrenjtat në rajon.

Janë të shtrenjta se përfshihen edhe taksat e rrugëve, thashë unë.

Po patjetër, qesëndisi Lilua, përfshihen jo vetëm taksat, po edhe nafta virxhin. Këta të karburanteve marrin një nga dhia e dy nga vija, përziejnë karburantin e importit me virxhinen tonë dhe na e shesin si frëngu pulën. Ç’të qash më parë, kuletën apo motorrët e makinave që shkojnë për lesh!!

Biseda vazhdoi me paret e humbura në ndërtimin e Rrugës së Kombit, që nisi për 300 milion e bitisi një miliard e kusur. Pastaj u përmendën qindramilionë të humbura me privatizimin e Cez-it, qindramilonë të tjera të bëra fir me Armo, miliarda me shpërdorimin e pyjeve, lumenjve etj. etj….

Edhe injorantët e mesjetës po t’i kishim në krye, do menaxhonin më mirë e do u dilnin zot pasurive të vendit, tha Ilmiu.

Poltikanë axhaminj, argumentoi Naqja. Në ‘90-n, kur u ndërrua sistemi, gjithë politikanët ishin rishtarë. Në profesionet e tyre mund të kishin përvojë, po politikën e filluan nga e para. Rishtari edhe do lajthitë.

Lere axhamillëkun mënjanë, tha Ilmiu, fajin e ka tahmaqarllëku. U ra bixha të jenë në krye e të bëjnë allishverish me mallin e fukarait.

Eshtë edhe axhamillëk, edhe tahmaqarllëk, po mbi të gjitha është maskarallëk, u nervozua Lilua.

Fajin s’e kanë ata, po turku që, sos na mësoi ryshfetin, po na la edhe gjithë këto fjalë me -llëk. Na e bëri shqipen çorap, ironizoi Qaniu.

Punët llëk e zhdrëk e ne gëk mëk, prishi buzët Naqja.

Gëk mëk, po në kafene të merrni gjak në vetull, amman???? qeshi kamarjerja.

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Share: