Britania e Madhe do të pendohet për largimin nga Bashkimi Europian. Ky paralajmërim vjen nga presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili iu drejtua sot Parlamentit Europian.
“Do të vijë koha, kur ju do të pendoheni për vendimin tuaj”, tha Juncker.
Juncker u tha deputetëve në Strasburg se kishte një urgjencë në rritje për të negociuar tërheqjen e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Ai shtoi se nuk donte që qytetarët e BE-së të binin viktima të “Brexit”-it dhe se është e domosdoshme të garantohen të drejtat e tyre.
“Do kisha preferuar që Britania të mos vendoste të largohej nga Bashkimi Europian, por kushdo që e lë BE-në duhet ta dijë se çfarë do të thotë kjo. Nëse ju vendosni t’u ktheni shpinën marrëveshjeve dhe rregullave të përbashkëta, atëherë duhet të pranoni faktin se gjërat nuk mund të qëndrojnë ashtu siç janë”, tha Juncker.
Juncker i kërkoi kryeministres Theresa May të japë më shumë detaje, sesi Britania e Madhe e shikon marrëdhënien e saj të ardhshme me BE-në./360grade.al