Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani ka vlerësuar faktin që Shqipëria ka pranuar të strehojë muxhahedinët dhe ka përgëzuar qeverinë Berisha që nisi këtë proces dhe qeverinë Rama që e përfundoi.
I ftuar në studion e emisionit “Opinion”, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut tha se ndodhet në Shqipëri për herë të parë dhe qëllimi i vizitës janë pikërisht refugjatët iranianë.
Rudy Giuliani tregoi gjithashtu se ka pasur marrëdhënie të mira me shqiptarët dhe shumë prej tyre e kanë votuar kur kandidonte për kryetar të Bashkisë së Nju Jorkut.
BF: Zoti Giuliani, mirë se erdhët në Shqipëri.
RG: Faleminderit. Është hera ime e parë këtu dhe jam shumë i impresionuar.
BF: Eshtë kënaqësia ime që jam këtu me ju sot të flas për karrierën gjithashtu dhe për vizitën tuaj. Kjo është hera e parë që vini në Shqipëri?
RG: Është hera ime e parë në Shqipëri. Hera e parë që vij në Tiranë. Shqipërinë dhe shqiptarët i njoh mirë nga Amerika. Kam takuar njerëz në qeverinë tuaj më parë në Paris pra e njoh mirë Shqipërinë, por nuk kisha qenë kurrë më parë këtu.
BF: Mendoj se shumë shqiptarë kanë votuar për ju kur keni kandiduar për kryebashkiak të Nju Jorkut.
RG: Po, kështu kanë bërë. Ata votuan për mua kur kandidova për kryetar bashkie dhe më mbështetën kur kandidova për të qenë President. Ndjej një lidhje të fortë me ta.
BF: Dhe cili është qëllimi i vizitës tuaj këtu në Shqipëri?
RG: Qëllimi i vizitës time këtu qëndron tek refugjatët iranianë.
BF: Muxhahedinët.
RG: Muxhahedinët, të cilët ju i keni pranuar me shumë zemërgjerësi, në një mënyrë shumë njerëzore. Është diçka për të cilën unë kam punuar.
BF: Mendoj se ishte detyra jonë ta bënim.
RG: Më vjen mirë që e the këtë. Dhe të dyja anët e qeverisë tuaj, të dyja partitë, kanë shfaqur shumë mbështetje. Njëra parti e nisi dhe tjetra po e vazhdon. Unë jam takuar me Kryeministrin dhe me ish-Kryeministrin. Ata janë të dy të bashkuar në lidhje me muxhahedinët. Për t’i ndihmuar ata gjithashtu dhe për t’i rezistuar presionit të Iranit për t’i dëmtuar ata.
BF: Ne e nisëm me Iranin, por ka një histori shumë interesante këto ditë. Kemi disa protesta në disa qytete të Iranit gjithashtu dhe një ndryshim të politikës së jashtme nga presidenti Trump. Ndryshe nga politika e jashtme e presidentit Obama kundrejt Iranit. Çfarë po ndodh tani?
RG: Një ndryshim i madh. Një ndryshim i madh në politikë do të thotë një ndryshim i madh në personel. Kjo po ndodh. Mendoj se do ishte e drejtë të thonim se administrata Obama mbajti një qëndrim më paqësor kundrejt Iranit. Në mënyrë që të arrinte atë që unë mendoj se ishte një gabim i madh në marrëveshjen bërthamore.
BF: Ishte një gabim?
RG: Kështu besoj. Unë besoj se ata mashtruan. Mendoj se ata po mashtrojnë totalisht. Nuk shoh asnjë arsye përse ata nuk do të bënin të njëjtën gjë që kanë bërë në të kaluarën. Ata kanë vrarë shumë nga njerëzit që zbuluan se ata po mashtronin herën e fundit. Muxhahedinët dhe aleatët e tyre. Ata i eleminuan me qëllim dhe Obama nuk bëri asgjë për këtë. Ne e paralajmëruam Obamën për këtë. Grupi im, i përbërë nga demokratë dhe republikanë.
BF: Unë mendoj se Obama u tregua paksa i dobët edhe në Siri dhe në vende të tjera. Ai nuk qe një njeri i fortë në politikën e jashtme.
RG: Nuk ka asnjë dyshim që ai ishte shumë i dobët në lidhje me politikën e jashtme. Ai bëri një vizë në rërë dhe deklaroi se armët bërthamore, armët kimike…
BF: Po, gabimi më i madh i Obamës ishte në Siri që solli edhe rritjen e pushtetit të Putinit.
RG: Putini e mori atë si një shenjë që ai mund ta zgjeronte më shumë pushtetin e tij në botë dhe kështu bëri. Ne i dhamë përsëri Putinit dhe Rusisë një vend në Lindjen e Mesme, kur në fakt ne i kishim larguar ata nga Lindja e Mesme që në kohën e Niksonit. Obama për mendimin tim ishte një President i tmerrshëm./tvklan