Home KRYESORE SADRI RAMABAJA ËSHTË I PAFAJSHËM, ‘’SYRI I POPULLIT’’ – NJË KONSTRUKT I...

SADRI RAMABAJA ËSHTË I PAFAJSHËM, ‘’SYRI I POPULLIT’’ – NJË KONSTRUKT I SAJUAR ME NGUT

Nuk besoj se ka gjykatës normal në Kosovë që dëshiron të mbahet mend për një proces që përpos që është i ndërtuar kryekëpur mbi akuza të supozuara dhe mbi prova të imagjinuara, ndërkohë që është edhe i ideuar si proces absurd që i bën njerëzit të besojnë në diçka që nuk ka ndodhur dhe ata që nuk e njohin Sadri Ramabajën mund të bien lehtë pre e një pseudo të vërtete që plasohet për të

Nga Emin AZEMI

Profesori  universitar, prof.dr. Sadri Ramabaja, i cili pritet të del në gjykim sot (29 mars), tash disa muaj padrejtësisht po mbahet në paraburgim dhe po dyshohet për ‘’tentim vrasjeje të përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’ dhe ‘’Përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’.

Pra, ai ende s’e paska vra askënd, vetëm se po dyshohet(!?). Kështu disi edhe Serbia dikur dyshonte dhe gjithë ata që i ishtin në shënjestër i shpallte prej përpara armiqë. Atëbotë, opinioni publik nuk mund të bindej nëse fajësia e supozuar nuk fabrikohej mirë e mirë për t’u dukur e besueshme dhe e vërtetë. Me fjalë të tjera, rrena sajohej aq mirë sa që ajo duhej të dukej si e vërtetë.

Por, a ka nevojë dikush në Kosovën e lirë, 10 vjetë pas pavarësimit të saj të huazojë truqe e modele nga një shtet okupues, kundër të cilit ishte angazhuar edhe vetë Sadri Ramabaja. Nuk besoj se do të ketë gjykatës në Kosovë që nuk do ta ketë parasysh të kaluarën e lavdishme të këtij intelektuali, për të sjellë një vendim të drejt, që do ti bënte nder parasegjitash sistemit të drejtësisë së Kosovës. Nuk besoj se ka gjykatës aq naiv në Kosovë që të besojë se të jesh autor i parathënies së ndonjë një libri qenka ‘’tentim vrasjeje të përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’, ose‘’Përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’.

Nuk besoj në trivialitetin e aktakuzave që sajohen me nguti, duke futur në ‘’listë likudimi’’ edhe emra të nderuar të politikës dhe jetës publike kosovare, ndërkohë që asnjë argument deri më tani, siç e thotë edhe avokati i Ramabajës, nuk përbën kurrfarë bindje se vërtetë ky i akuzuar është i implkuar në veprat e supozuara dhe të imagjnuara të aktakuzës. Thjeshtë, nuk besoj se dikush me çdo kusht dëshiron të na ideojë një proces absurd që i bën njerëzit të besojnë në diçka që nuk ka ndodhur. Sepse, jo vetëm që nuk kanë kurrfarë lidhje këto akuza me Sadri Ramabajën, por ato janë edhe nënçmuese për pastërtinë e figurës së tij morale, kombëtare e intelektuale.

Në formulimin përgjithësues të aktakuzës janë dy shprehje shumëkuptimëshe-eklektike dhe kundërthënëse: ‘’tentim vrasje’’ dhe ‘’ përgatitje të veprave terroriste’’. Një Prokurori (jo)objektive, që nuk besoj se ka të tillë në Kosovë, mundet lehtë të operojë (manipulojë) me këto shprehje, duke i vendosur ato në kontekste e rrethana të caktuara inkriminuese dhe pa kurrfarë problemi  mundet ta bëjnë të dyshuarin ‘’kryes të veprës penale’’.

Këto dubioza terminologjike-juridike nuk janë të panjohura në historinë e proceseve të montuara gjyqësore dhe nuk duhesh të jesh ndonjë ekspert i forenzikës gjuhësore për të konstatuar se DIKUSH e ka vënë në shënjestër dr. Ramabajën, jo për ‘’veprat e pakryera penale’’, por për ndonjë motiv që lidhet me raportin e tij me oponencën e mendimit dhe jobashkmendimtarët e tij.

Janë të dënueshme dhe të papranueshme listat e personave që janë vënë në shënjestër për likudim, por sa kjo listë ka të bëjë me  Ramabajën, është një çështje që lë hapësirë për të menduar dhe pyetur pubikisht: A nuk paska patur mjete të tjera ai për t’iu kundërvënë oponentëve dhe jobashkëmendimtarëve (ai këtë e ka bërë me shkrime publikisht), por paska zgjedhur një metodë kriminale, që as nuk është në natyrën e tij as në dinjitetin e tij njerëzor, familjar e kombëtar?

Nëse organizata e ashtuquajtur ‘’Syri i popullit’ po deshka të ketë një lider dhe shpjetësia naive për të gjetur liderin te Sadri Ramabaja, është një përpjekje e dështuar që në start. Nëse kjo organizatë po deshka me çdo kusht të ketë ‘’trurin’’ e saj, sepse ata që dolën të implikuar me vepra penale (M.Jashari) nuk po i plotësokan kushtet të jenë ‘’truri’’ i organizatës, atëherë diçka nuk është në rregull me ata që e kanë përpluar aktakuzën ku Sadri Ramabajën e fusin jo se vërtetë është i implkuar në veprime kriminale, por pse iu duhet si alibi për të mbuluar hetimet paraprake ku M. Jashari ka rezultuar të jetë ‘’i pa denjë’’ për rolin që ia paska caktuar populli me syrin misterioz.

Ka shumë indikacione që të shtyejnë të dyshosh se emri i dr. Sadri Ramabajës është përfshi  jo rastësisht  në këtë dosje inkriminuese  dhe ‘’analistët’’ e proceseve të montuara nuk e kanë patur vështirë të identifikojnë katër ‘’dobësi’’ në fushëveprimin publik të Ramabajës, që në vetvete përbëjnë dilema për gjithë ata që janë të prirur t’iu besojnë më tepër paragjykimeve se sa argumenteve, të bazohen më tepër në alibi të rrejshme se sa në fakte konkrete që karakterizojnë natyrën e një personi.

E para, ishte përfaqësuesi më aktiv i LVV që ka goditur oponentë të rinjë e të vjetër, të majtë e të djathtë, titistë e rugovistë, pacifistë e uçk-istë, por pa patur me asnjë prej tyre implikime individuale e motive personale;

E dyta, është ndër intelektualët e rrallë që aderimin në një organizatë politike nuk e bën për qëllime karrieriste (siç veprojnë shumica e aparatçikëve që vegjetojnë nëpër parti politike)  por për çështje të bindjeve;

E treta, ishte një sfidues publik i disa dukurive shoqërore e politike që asnjëherë nuk gëzoi mbështetjen e merituar të subjektit ku aderon;

E katërta, do të ketë shumë persona  (me mjekrra e pa mjekrra) që arrestimin e Ramabajës  do ta festojnë me thënien: ‘’moti kohë e ka lypë këtë me ia bë’’;

Të gjitha këto ‘’dobësi’’ të Sadri Ramabajës kanë mundur të projektohen gabimisht nga autorët e aktakuzës si shansë për të disiplinuar dhe izoluar çdo zë kritik e jotipik në shoqëri, me kusht që kjo të shërbejë si leksion për të gjithë jobashkëmendimtarët të cilët shikohen si ‘’dele të zeza’’ në mjediset ku ata veprojnë.

Çdo qytetar i ndershëm dhe normal i një shteti nuk do të donte të bashkëjetonte me krimin dhe kriminelët. Edhe rasti i të ashtuquajturit ‘’Syrit të popullit’’ meriton vëmendjen e gjithë neve, së pari duke e dënuar si metodë dhe qëllim (nëse vërtetë ka patur plane për likudime) tepër të papranueshëm e të errët, dhe së dyti, duke zbardhur të gjitha rrethanat dhe personat që janë pjesë e kësaj organizate. Por, krimi nuk mund të luftohet duke futur në dosje të dyshuarish edhe njerëz që kurrë në jetën e tyre nuk e kanë pre as edhe një pulë, siç është rasti me dr. Ramabajën.

Nga njohja mbi tridhjetëvjeçare me të, më ka rezultuar të jetë personi më pacifik dhe më johakmarrës, i cili edhe atëherë kur ka qenë i mbushur me pezm e vrer ndaj makinerisë pushtuese të Serbisë, me zgjatimet e saja edhe në Kosovë, ai në asnjë rast nuk i ka përmendur shprehjet : ‘’vrasje’’, ‘’hakmarrje’’, ‘’likudim’’, ‘’ekzekutim’’ etj. etj. Sadriut i mjaftonte pena për ta thënë publikisht mospajtimine tij dhe na duket qesharake që t’i hiqet atij pena nga dora për ta zëvendësuar me një mjet të hekurt, shumë më pak të efektshëm se fjala e thënë publike, për të cilën Sadri Ramabaja ishte përgatitur e kualifikuar. Ata që duan ta zhvendosin betejën e Sadri Ramabajës nga sfera publike e kritikës në kampet holivudiane të armëqitjes, tregojnë se te ne ende paska njerëz që besojnë në filma me protagonistë që duhet ta shohin realitetin me sytë e konstruktar nëpër laboratore.

‘’Syri i popullit’’ mund të jetë ndonjë sy dhie që gabimisht përdoret për të maskuar shikimin në rrethanat e vështira nëpër të cilat po kalon Kosova, ndërkohë që Sadri Ramabaja vazhdon të jetë viktimë e një procesi pa sy.

27. 03. 2018

Share: