Home KRYESORE Arrestimi i Gjuriç, Erdogan flet me Thaçin dhe Vuçiçin

Arrestimi i Gjuriç, Erdogan flet me Thaçin dhe Vuçiçin

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiç, tri ditë pas arrestimit të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency”, sipas të cilës burimet presidenciale turke thanë se gjatë bisedave telefonike është folur rreth tensioneve që pasuan arrestimin e Gjuriç.

Erdogan ka theksuar rëndësinë që të kushtohet kujdes maksimal që rasti në fjalë të mos e dëmtojë procesin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Presidenti turk ka thënë se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është i një rëndësie tejet të madhe për paqen e rajonit, duke shtuar se Turqia është e gatshme të ofrojë çdo kontribut në këtë drejtim.

Lajmi për një bisedë telefonike mes Erdoganit dhe Thaçit vjen vetëm pak orë pasi drejt Turqisë u ekstraduan 6 drejtues të institucioneve “Mehmet Akif” në Kosovë, të akuzuar nga Ankaraja si anëtarë të “shtetit paralel” drejtuar nga kleriku në ekzil, kundërshtar i ashpër i Erdogan, Fetullah Gylen.

Sipas të dhënave që AA ka siguruar nga burime të sigurisë, Agjencia turke e Inteligjencës (MIT) “ka kapur gjashtë pjesëtarë të FETO/PDY-së të kërkuar në Turqi përmes një operacioni që ka realizuar në bashkëpunim aktiv me inteligjencën e Kosovës”.

Share: