Njoftimi i fundit në lidhje me korrupsionin e përhapur në administratën publike në Shqipëri, dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, më detyroi t’i rikthehem një problemi tejet serioz lidhur me administratën tatimore, që lidhet me fjalën integritet.
Në këtë kuptim, integriteti është koncepti i qëndrueshmërisë së veprimeve, vlerave, metodave, masave, parimeve, pritshmërive dhe rezultateve përfundimtare që arrin administrata tatimore.
Integriteti fillon nga lidershipi dhe angazhimi dhe angazhimi i tij. Por çfarë mund të presësh në këtë drejtim kur me ndrrimin e pushtetit, madje dhe brenda mandateve të të njëjtit pushtet, vepron “fshesa” e spastrimit.
I pamësuar për t’i konkretizuar përfundimet me shëmbullin personal, këtë herë po bëj një përjashtim.
Një prej punonjësve themelues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që prej vitit 1992, i trajnuar prej ekspertëve amerikanë të IRS dhe në disa prej qendrave më të njohura të OECD – së, me një përvojë mbi pesëmbëdhjetë vjeçare, me detyra menaxhuese të nivelit të lartë, trajner i çertifikuar nga Banka Botërore, botues i disa qindra artikujve, lektor në Universitetin Luarasi dhe Shkollën e Lartë të Magjistraturës, në fund të vitit 2013 (pas një përvoje 5 vjeçare si Këshilltar Ekonomik i Presidentit të Republikës) iu nënshtrova testimit për t’u bërë punonjës i shërbimit publik.
Fitova dhe për ironi të fatit, në listen e publikur në faqen e internetit, njëherë isha i pari, njëherë i dhjeti, madje jam ende edhe pse kam tre vjet në pension.
Kam parë në gjithë këto vite të hyjnë dhe dalin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve militantë dilitantë që nuk e morën vesh se ku kishin punuar.
Në këtë kuptim menaxherë të tillë ekzekutivë dhe mbikqyrës të tillë nuk mund të adoptojnë rolin e një lidershipi të fortë, si dhe të pranojnë një nivel të përshtatshëm të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë për mbajtjen e niveleve të lartë të integritetit në të gjithë aspektet e punës së administratës tatimore
Në marrëdhëniet e tyre me administratën tatimore, tatimpaguesit kanë të drejtën të presin një shkallë të lartë të sigurisë dhe parashikueshmërisë dhe për këtë qëllim, tatimpaguesve u duhet bërë publikisht i njohur:
legjislacioni tatimor, rregullat dhe proçedurat dhe udhërrëfyesit administrativë, që të zbatohen lehtësisht, në mënyrë uniforme dhe të qendrueshme.
Baza mbi të cilën mund të eleminohet ushtrimi i fuqisë së maturisë të punonjësit tatimor kërkon përkufizimin e qartë dhe vendosjen e një sistemi serioz dhe rigoroz rishikimi dhe ankimimi administrativ që të sigurojë atë mekanizëm që tatimpaguesit kur kanë të drejtë ta sfidojnë, ose të
kërkojnë nga administrata tatimore rishikimin e vendimeve, praktikave dhe veprimeve të tjerë administrative dhe jot ë kthehet në një system pazaresh për të nxjerrë rentë.
Automatizimi ose kompjuterizimi i funksioneve të administratës tatimore mund të përmirësojë efiçencën dhe efektivitetin, si dhe të heqë mundësitë për korrupsion, mund të rrisë nivelin e përgjegjshmërisë, si dhe të sigurojë gjurmë kontrolli për monitorimin dhe rishikimin e vendimeve administrative dhe të ushtrimit të maturisë dhe jo të bëjë gabime dhe të ndëshkojë me gjoba tatimpaguesit sikundër ka ndodhur jo pak herë gjatë viteve 2013 – 2017.
E kujt tatimpaguesi i intereson deklarata e Ministrit të Financave se Ministria e Financave ka përgatitur një draft për ta paraqitur në Kuvend për miratim?!
Përse ndëshkohet vetëm tatimpaguesi dhe jo administrata tatimore kur gabon?!
Në mënyrë tipike korrupsioni ndeshet në situata ku përdoren praktika të vjetëruara dhe joefiçente dhe/ose atje ku tatimpaguesit kanë një nxitës për t’u përpjekur të shmangin proçedura të ngadalta ose të ngarkuara me anë të ofrimit të rentës/mitës dhe pagimit të kuotave lehtësuese, arsye kjo që tregon përse administrata tatimore duhet të reformojë dhe modernizojë sistemet e saj, si dhe proçedura penguese.
Po kujtoj vetëm rastin e kontrolleve që iu bë sektorit të turizmit në verën e vitit 2017, gjatë të cilit, përveç sjelljeve jo etike të inspektorëve gjatë kursit të veprimtarisë pik të biznesit, por edhe ndëshkimi i disa inspektorëve, pasqyruar në median e shkruar.
Ishin disa raste të denoncuara, sepse në përgjithësi, tatimpaguesit e quajnë humbje kohe dhe paraje për t’u marrë me denoncimin dhe për t’iu përgjigjur ndëshkimeve pasardhëse të administratës tatimore.
Kur bëhet fjalë për veting, nuk do të më vinte aspak keq t’i kujtoj publikut se duhen përfshirë tatimorët.
Parandalimi dhe kontrolli i korrupsionit në administratën tatimore mund të ndihmohet me anë të vënies në jetë të një radhe mekanizmash të përshtatshëm monitorimi dhe kontrolli të tillë si programet e verifikimeve të brendshme, regjimet e kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm, investigimi dhe përndjekja, të cilët janë të vakët dhe të korruptuar.
Madje, jo pak herë, janë ndeshur raste kur këto mekanizma janë përdorur për të nxjerrë rentë/mitë nga ata që monitorohen, dhe verifikohen.
Të tillë regjime nuk kanë goditur atë balancë të arsyeshme që kërkohet ndërmjet strategjive pozitive për të inkurajuar nivelet e lartë të integritetit dhe strategjive ndëshkuese të projektuara për të identifikuar rastet e korrupsionit dhe për të displinuar ose përndjekur personelin e përfshirë në veprime korruptive.
Personeli i administratës tatimore, tatimpaguesit dhe publiku në përgjithësi këto vite të fundit nuk janë inkurajuar për ta denoncuar korruspionin, veprimin jo etik,, ose të paligjshëm si dhe një
informacion i tillë i mundshëm, i siguruar, nuk është investiguar shpejt nëpërmjet mënyrës së menjëhershme.
Vënia në jetë e politikave të shëndosha të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe proçedurave luan një rol madhor në luftën kundër korrupsionit, për arsye se praktikat e menaxhimit të burimeve njerëzore, të vërtetuara si të dobishme në kontrollin ose eleminimin e korrupsionit në administratën tatimore përfshijnë:
sigurimin e pagës së mjaftueshme, shpërblime dhe kushte të tjerë që zyrtarët tatimorë të ruajnë një standart të pranueshëm jetese;
rekrutimin dhe mbajtjen e personelit që ka të ngjarë të mbajë standarte të lartë të integritetit;
sigurimin e përzgjedhjes së stafit dhe proçedurave të promovimit që sigurojnë barazi të mundësisë dhe janë të lirë prej animit ose favorizimit, si dhe bazohen mbi parimin e meritës;
sigurimin që vendimet në zhvendosjen, rotacionin dhe rivendosjen e stafit të marrin në konsideratë nevojën për të hequr mundësitë për zyrtarët që mbajnë pozicione të sikletshme për periudha të gjata kohe;
sigurimin e trajnimit në përputhje me kërkesat e kohës dhe zhvillimit profesional të personelit të administratës tatimore mbi rekrutimin dhe nëpërmjet karierës së tyre për të promovuar vazhdimisht dhe përforcuar rëndësinë e ruajtjes së standarteve të lartë profesional dhe të etikës;
vënien në jetë të sistemeve të përshtatshëm të vlerësimit dhe menaxhimit, që përforcojnë praktikat e shëndosha dhe që forcojnë nivelet e lartë të integritetit personal dhe profesional.
Për ta bërë më të vërtetueshëm këto problem, le të dalë një prej drejtuesve të sotëm të administratës tatimore dhe të më japë argumente që e rrëzojnë këtë shkrim!
Korrupsioni, në pjesën më madhe të administratës tatimore, ndodh pikërisht atje ku morali është i ulët dhe personeli nuk e ka krenarinë e reputacionit që duhet të ketë një administratë tatimore, për arsye se personeli nuk vepron me integritet, për arsye se praktikat e menaxhimit të burimeve njerëzore nuk janë të drejta.
Administrata tatimore, në vend që të priret drejt marrëdhënieve të hapura, transparente dhe produktive me tatimpaguesit, vepron me kontrolle dhe me aksione qesharake dhe, në vend që t’i inkurajojë grupet e tatimpaguesve, shoqatat përfaqësuese të tyre si dhe të tjerë të interesuar që të pranojnë një nivel të përshtatshëm përgjegjësie dhe përgjegjshmërie, i acaron këto marrëdhënie që kanë lidhje të ngushta me problemet e integritetit, si dhe për identifikimin dhe vënien në jetë të zgjidhjeve praktike.
Protestimi i kësaj të shtune para Prefekturës së Dibrës nga tatimpagues të biznesit të vogël, sugjerimet e Shoqatës së Ndërtuesve dhe të tjera ngjarje të ngjashme që priten, tregon se ku janë këto marrëdhënie.
Kam lënë një pjesë të mirë të shpirtit në administratën tatimore dhe prandaj marr guximin dhe kam dëshirën që të bëhet njëherë si duhet “për të bërë shtet”.
Kasem Seferi – ekonomist