Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka theksuar sot se ka një marrëdhënie të ngushtë me kryeministrin Edi Rama.
“Nuk besoj se ka patur ndonjë kryetar bashkie që të ketë aq mbështetje dhe aq akses e suport sa kam unë tek Edi. Unë nuk mbaj mend që të ketë njeri që të ketë patur më shumë në historinë e Shqipërisë. U them paçi fat atyre që besojnë te cic-micet e portaleve, sepse jeni rëndë.
Secili prej nesh është caktuar që të administrojë qytetin, unë kam kërkuar konsensus jo vetëm nga LSI, por dhe nga PD. Të njëjtën gjë po bën sot kryeministri kur fton edhe opozitën për zhvillimin e vendit. Besoj që qasja e Edi Ramës që ka në qeverinë qendrore dhe që përqafohet edhe nga qeverisja vendore, është për të mirën e vendit”, tha Veliaj në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në Report Tv.
Më tej kryebashkiaku ka folur edhe për Saimir Tahirin.
Nëse nuk iu rikandidon Rama?
Veliaj: S’besoj se do ta kemi këtë sfidë.
Rama u pyet për këtë gjë dhe nuk e mohoi…
Veliaj: Ne nuk shohim arsye se përse disa të kenë status preferencial. Të gjithë ata që kanë punuar mirë besoj se do të konfirmohen. Ndërsa disa që mund ta kenë zhgënjyer PS, duhet t’ia lënë radhën dikujt që e bën më mirë.
Nëse nuk iu jep një mundësi të dytë? Mendohet se rritja juaj, e vë në hije atë…
Veliaj: Sa është afër mishi me thoin, aq jam unë me Edi Ramën. Fati im që kryeministri ka qenë vetë kryetar bashkie. Kush ka brenga të tilla dhe shpreson se fitorja do t’u vijë nga këto thashetheme.
Kur e ke takuar për herë të fundit Ramën?
Veliaj: Para një jave…
Ju thoni se jeni si mishi me thoin, por ai si e konsideron?
Veliaj: Besoj reciproke.
Komunikoni?
Veliaj: Flasim për ditë.
Çfarë ndjeni kur ju thonë pasues i Ramës?
Veliaj: Mua më intereson qyteti i Tiranës. Kam një fat që nuk shoh TV dhe nuk ndjek as lajme, kolegët e shtypit më bëjnë një rezyme përditë. Në këtë fazë nuk mendoj. Tre vjet bëhen në 21 qershor nga zgjedhja dhe në korrik, 3 vjet nga betimi. Jam i dedikuar plotësisht.
Mendoni se mund të kandidoni për kryetar të PS?
Veliaj: Kjo është një gjë që nuk e kam në radar fare. Tirana nga një qytetet jashtë realitetit, sot është një qytet ku mbillen pemë, ndërtohen shkolla e kopshte.
Si i cilësoni mesazhet e koduara të Tahirit…
Veliaj: Nuk i kam ndjekur. Jam një njeri shumë i lumtur që nuk shoh lajme, fare.
Tahiri tha, nuk ka bir nënë dhe bir kurve që të më trembë mua…
Veliaj: Nëse dikush i ka thënë trembesh, i është përgjigjur në mënyrë popullore që nuk trembem. Çfarë duhet të komentojë kryetari i bashkisë?
A duhet të ishte aprovuar kërkesa e prokurorisë për arrestimin?
Veliaj: Kam tre vjet që s’jam në parlament, në qeveri, kolegu jonë të përballet me drejtësinë dhe të provojë të drejtën e tij. Duhet pyetur dikush që ka qenë në komision, unë s’kam parë një gjë të tillë. Të provojë të vërtetën e vet.
Kaq shumë di Tahiri sa të shantazhojë…
Veliaj: Në atë komision nuk u dha një provë që të justifikonte arrestin me burg. Saimiri është në këtë qytet, nuk është larguar, është në gatishmëri të kësaj drejtësie.
Pse PS i ofroi mbrojtje?
Veliaj: PS s’i ka ofruar mbrojtje askujt. Ka larguar shumë anëtarë kur ka pasur insinuata për probleme me drejtësinë. PS është e fundit që mund të shantazhohet, nuk është fare ky proces.
A e shihni të mundshëm rikthimin e tij në PS?
Veliaj: Pas këtij procesi duhet të vendosë ai se cili do jetë angazhimi politik.