Home KRYESORE BE i kundërpërgjigjet Trump: Me kërcënime nuk negociohet

BE i kundërpërgjigjet Trump: Me kërcënime nuk negociohet

Presidenti i KE-së, Jean-Claude Junker, ka thënë se BE nuk do të pranojë kërcënimet në negociatat me SHBA për të siguruar një përjashtim të përhershëm nga tarifat e importit.
“Do të doja të përsëris thirrjen që ky përjashtim të jetë i pakushtëzuar dhe i qëndrueshëm, dhe ne besojmë se masat amerikane nuk mund të justifikohen për shkak të sigurisë kombëtare”, tha Juncker në Parlamentin Evropian.

Juncker shtoi se negociatat me SHBA do të vazhdojnë, por theksoi se BE “refuzon të negociojë nën kërcënim”.

BE njoftoi të martën se vendimi i administratës amerikane për pezullimin për një muaj të tarifave të importit të çelikut dhe aluminit nga Unioni është i keq për biznesin.

Vendimi i SHBA-së “prolongon pasigurinë në treg, e cila tashmë ka ndikim në vendimet e biznesit”, thuhet në deklaratën e Komisionit Evropian.

Vendimi amerikan që të shtyjë për një muaj luftën eventuale tregtare vjen pasi që BE ka paralajmëruar më parë se do të përgjigjet me kundërmasa nëse administrata e Donald Trump vendos tarifat, transmeton KosovaPress.

“Si partner dhe mik i SHBA-së, ne nuk do të negociojmë nën kërcënime”, thuhet në deklaratën e Komisionit Evropian. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi të shtyjë futjen e tarifave të importit të çelikut dhe aluminit nga BE, Kanadaja dhe Meksika deri më 1 qershor dhe ka arritur një marrëveshje për një përjashtim të përhershëm për Argjentinën, Australinë dhe Brazilin.

Vendimi u mor disa orë përpara skadimit të afatit të fundit për SHBA për të vendosur më shumë tarifa të importit për çelikun dhe aluminin nga Evropa.

360grade.al

Share: