Pas publikimit të investigimit të kryer nga “Fiks Fare”, ku rezultonte se prodhimet e bukës bazoheshin tek gruri i kafshëve dhe mielli me cilësinë më të ulët në Europë, ka ardhur edhe reagimi i Unionit të Prodhuesve të Miellit.
Kreu i Unionit, Adi Haxhiymeri, shprehet për “News 24” se ky standard është i detyrueshëm për prodhuesit vendas, por që nuk zbatohet për miellin që importohet nga jashtë, kryesisht nga Serbia.
Futja në Shqipëri e miellit të biskotave pa proteinë si miell buke, por me çmim më të lirë, sipas Haxhiymerit, e ka futur industrinë e miellit në kolaps.
Me futjen në kolaps, kreu i Unionit nënkupton dëmtimin e industrive ndihmëse sikurse është edhe ajo e prodhimit të thasëve të miellit.
Në një situatë të tillë të krijuar, Haxhiymeri thotë se ka vetëm dy zgjidhje: nëse vjen lëndë e parë (grurë) duhet të jetë detyrimisht 12.5% proteinë që të dalë 12% mielli, por nëse vjen direkt miell për bukë duhet të jetë 12%. Në rast të kundërt, nëpër thasët e miellit të shkruhet me gërma të mëdha dhe të dukshme për konsumatorët, për të dëshmuar që flitet për miell biskotash.