Home KRYESORE Alarmon policia vendase, “Holanda po kthehet në narko-shtet”

Alarmon policia vendase, “Holanda po kthehet në narko-shtet”

Nga Daniel Boffey, The Guardian

Policët holandezë thonë se shumë prej viktimave nuk i raportojnë fare incidentet dhe se grupet e organizuara kanë dorë të lirë veprimi.

“Holanda po nis t’i ngjajë një narko-shteti, me policinë që nuk është në gjendje të luftojë një ekonomi paralele”, paralajmëron një raportim i shoqatës së policisë në Holandë.

“Me kaq pak burime dhe personel sa ka policia holandeze tani, është në gjendje të godasë vetëm një në nëntë grupe të krimit të organizuar. Hetuesit shohin se si kriminelët e vegjël rriten në biznesmenë të pasur dhe zgjerojnë bizneset me investime në industrinë e hotelerisë, me pasuri të patundshme, biznese të shtresës së mesme, agjenci udhëtimit, etj.” thotë raporti që ka dhënë policia holandeze për Der Telegraaf.

Shumica e drogës “ekstazi” që konsumohet në Europë dhe në SHBA vjen nga laboratorët e hapur në jug të vendit, të cilat drejtohen nga grupe kriminele që merren me prodhimin e kanabisit. Gjysma e kokainës me vlerë 5.7 miliardë euro që shpërndahet në Europë futet nëpërmjet portit të Roterdamit, sipas Europol-it.

Shumica e drogës “ekstazi” që shpërndahet nëpër Europë dhe SHBA prodhohet në laboratorë holandezë.

Shoqata e policisë holandeze shpreh nevojën për të shtuar numrin e stafit me 2000 efektivë, ndaj raporti për rritjen e krimit të organizuar shihet nga kritikët e tyre si përpjekje për të marrë më shumë fonde nga buxheti i shtetit.

Megjithatë, gjetjet e këtij raporti përputhen me një tjetër, të hartuar më herët nga prokuroria, të cilin ia kanë dërguar kabinetit qeveritar.

Ndonëse numri i krimeve të regjistruara ka rënë me 25% në nëntë vitet e fundit, në rreth 1 milion në total, raporti thotë se rreth 3.5 milionë krime nuk regjistrohen fare, si dhe ngre shqetësimin se autoritetet janë duke mbetur shumë prapa, në një disavantazh që është vështirë të kapërcehet.

Drejtori i Policisë së Amsterdamit, Pieter Jaap Aalbersberg, tha se agjentët e tij kalojnë rreth 60% deri në 70% të kohës duke luftuar krime që vijnë si pasojë e goditjeve mafioze të krimit të organizuar.

“Ka të rinj që janë gati të kryejnë ekzekutime për 3,000 Euro,” thotë ai në një intervistë të kryer këtë muaj. “Në vitet ’80 e ’90 u duhej të pajtonin vrasës të huaj me pagesë, që ta kryenin krimin në Holandë për 50,000 euro”, thotë Aalbersberg. “Vitet e fundit janë kryer nga djemtë e rinj të Amsterdamit për 3000 euro”

Thuhet se ndërkohë që policia angazhohet fort me krimin e nivelit të lartë, shumë krime të tjera po shpëtojnë pa u vënë re.

Ministri holandez për Drejtësi dhe Siguri, Ferd Grapperhaus, pranoi se e kishte marrë raportin e policisë që paralajmëronte për “mungesë të kapacitetit të nevojshëm për të luftuar krimin e organizuar”. Ai tha: “Është shenjë që tregon se duhet ta marrim më seriozisht këtë çështje. Qeveria e pranon që nevojiten më shumë investime për policinë. Prandaj, në vitet e ardhshme do ta shtojmë buxhetin e investimeve me rreth 267 milionë dollarë në vit. Kemi edhe një fond 100 milionësh për të luftuar krimin e organizuar.

Ministri i Drejtësisë theksoi edhe se “policia holandeze bashkë me prokurorin e përgjithshëm po arrijnë rezultate të pëlqyeshme kundër krimit të drogës. Prandaj, ‘narko-shtet’ nuk është termi që unë do të përdorja në këtë rast.”

s.a/dita

Share: