“Adriatiku është një Det Europian”. Me këto fjalë të Prof.Luigi Berlinguer mbi vizitën e tij në Shqipëri, pasqyrohet më së miri iniciativa që GUS Albania propozon për pasditen e së shtunës më dt 19 Maj 2018. Reflektimi përfshin Europën dhe dy vendet që shtrihen në brigjet e Detit Adriatik: Shqipërinë dhe Italinë, të ndërlidhura ngushtë nga historia dhe sot partnere strategjike në rrugëtimin drejt të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Europian. Shqipëria, me zërin e të gjithë komponentëve të saj politik dhe shoqëror, thotë prej vitesh që e ardhmja e saj është në Europë. Por a është BE gati sot për të hapur negociatat me vendin tonë? Cilat perspektiva konkrete jep Strategjia e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor? Dhe në këtë kontekst, cili është roli i Italisë, deri tani mbështetësi më i bindur i rrugëtimit europian të Shqipërisë?
Këto janë disa nga temat për të cilat do të flasin të ftuarit e takimit “Marrëdhëniet Italo-Shqiptare në një perspektivë Europiane”.
Luigi Berlinguer është një intelektual i shumëanshëm, i cili ka punuar në mjaft fusha dhe ka pasur poste të rëndësishme në Itali, siç është ai i Ministrit të Arsimit, deputet i Parlamentit Europian, Rektori i Universitetit të Sienës, anëtar i Këshillit të Lartë të Magjistraturës. Në bashkëbisedim me të do të jenë Ambasadori italian në Shqipëri, SH.T. Alberto Cutillo dhe Arlinda Dudaj, Drejtore e shtëpisë botuese Dudaj.
Ky takim është pjesë e një sër iniciativash që GUS Albania ka organizuar qysh nga viti 2015 për të shqyrtuar çështje që lidhen me Bashkimin Evropian, duke pasur një vëmendje të veçantë për marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë.
E shtunë 19 Maj 2018
h17,30
COD – Center for Openness and Dialogue tek Kryeministria