Home Gjeo-Ekonomia Një raport kritik, ja çfarë paralajmëron FMN për ekonominë

Një raport kritik, ja çfarë paralajmëron FMN për ekonominë

Raporti i fundit i FMN ka qenë kritik për Shqipërinë. FMN shpreh shqetësim për ndikimin që kanë në ekonomi dhe në buxhetin e shtetit koncensionet e tipit të Partnetitetit Publik Privat, niveli i lartë i borxhit, detyrimet e pashlyera dhe klimën e vështirë të të bërit biznes.

Raporti i parë i programit të post monitorimit për Shqipërinë i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka qenë i mbushur me kritika.

Ndonëse konstaton rritje ekonomike, FMN ka tërhequr vëmendjen lidhur me disa cështje, që sipas saj janë shqetësuese për ekonominë dhe me rrezik për buxhetin, duke evidentuar koncensionet e Partneritetit Publik Privat, krijimin e detyrimeve të prapambetura nga qeveria, nivelin e lartë të borxhit publik, klimën e vështirë të të bërit biznes dhe nivelin e lartë të kredive me probleme.

“Pavarësisht mjedisit të favorshëm dhe perspektivës pozitive afatshkurtër, mbeten rreziqe dhe dobësi, që rrjedhin nga borxhi i lartë publik, huatë me probleme në sektorin financiar, dhe dobësitë në institucionet publike dhe në sistemin gjyqësor. Një ngadalësim i reformave apo efekteve nga goditjet e jashtme mund të dëmtojë perspektivat e rritjes dhe besimin, duke ndikuar negativisht në dinamikën e borxhit dhe duke krijuar presione financiare për qeverinë. Nga ana e saj, hapja e negociatave të pranimit në BE mund të ofrojë një mundësi për të përparuar në zbatimin e axhendës së reformave, duke çuar në rritjen e investimeve dhe rritjen e PBB-së”.

Raporti paralajmëron që nëse nuk adresohen këto probleme, dhe nëse nuk zbatohen reformat strukturore, rritja mund të ngadalësohet.

FMN e ka këshilluar qeverinë që të tërhiqet nga ulja e taksave dhe përjashtimet tatimore, ashtu siç po bën së fundmi.

360grade.al

Share: