Home KRYESORE Sot Saimir Tahiri në Apel, çfarë tha Donald Lu për gjyqtarët

Sot Saimir Tahiri në Apel, çfarë tha Donald Lu për gjyqtarët

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të dalë sot në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda për rivlerësim të masës së sigurisë. Seanca e sotme do të zhvillohet në orën 13:00. Kujtojmë se avokati ka apeluar masën “arrest shtëpie” caktuar nga Shkalla e Parë, ndërsa prokuroria nga ana tjetër kërkon që ai të qendrojë në “arrest me burg”. Mbi Tahirin rëndojnë dy akuza, “trafik droge” dhe “korrupsion pasiv”. Të dyja palët, si akuza si mbrojtja kanë kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë. Javën e shkuar, avokati i Tahirit, Maks Haxhia shprehu bindjen se masa e vendosur ndaj Tahirit do të ndryshojë në Apel nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.

Sakaq, pasditen e djeshme ka reaguar ambasadori amerikan, Donald Lu. Në një prononcim për gazetarët Lu i ka bërë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, pasi sipas tij ka raportime nga burime te pavarura për presione dhe rryshfete ndaj gjykatësve.

“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, ka thënë Donald Lu.

/Opinion.al

Share: