Home KRYESORE Propaganda (vetizoluese) e bar-ngrënies?

Propaganda (vetizoluese) e bar-ngrënies?

Nga Rezart Palluqi

Javën e kaluar mediat shqiptare në Kosovë, shfaqën një djalë i cili kishte refuzuar lejen e qëndrimit të Merkel, ndërsa sot gazeta e mirënjohur Balkan, na shfaq një qytetar nga Korça, i cili refuzon të emigrojë në Amerikë, ngaqë atje, sipas tij, që të gjashtë kushërinjtë e tij janë çmendur prej ilaçeve që pinë. A mos po ringjallet motoja: bar do të hamë dhe dorën armikut nuk do tia shtrijmë?

Qytetarët e lartpërmendur u sollën në hapësirat mediatike me bujë të madhe. Qytetari korçar u shfaq i filmuar. Aty ai bën debat me një djalë të ri, dhe atë e akuzon se ai është dembel dhe se di vetëm të pijë drogë. Ky është një diskretitim i rrezikshëm i rinisë shqiptare, sepse ajo identifikohet me një grup të vogël të rinjshë që për arsyet e tyre emocionale dhe psiko-sociale rrëshqitën në humerën e drogëpirjes.

Unë nuk jam pro emigrimit kronik të shqiptarëve. Madje jam përpjekur që nëpërmjet romanit tim të dytë, “Dallëndyshet pa fole” që atë ta frenoj duke ua bëre të mundshme jetesën dy personazhëve të mi, ish emigrantë, të cilët në sajë të kursimeve në emigracion dhe ekpseriencës së tyre profesionale, ditën edhe pse me përpjekje titanike të hedhin rrënjët e tyre në atdhe.

Por në rastin tonë, rinia nuk ka eksperiencë profesionale evropiane, as kursime të bollshme, si dy personazhet e mi në roman. Rinia pra nuk përkrahet pa kushte, por me kushte, duke e uzurpuar atë në djepet partiakë. Atëherë, rinisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të pranojë të mercenarizohet politikisht ose tia mbathë jasht Shqipërisë. Por videoja histerike e qytetarit korçar, që po bën bujë të madhe në rrjetet internetike, e tremb rininë tonë. Po të emigrosh jasht Shqipërisë, çmendesh, bëhesh për ilaçe. Atëherë, ajo do të zgjedhë të rrijë në Shqipëri, dhe hajë barin e Partisë dhe dorën të mos ia shtrijë armiqve neurozë. A po shkojmë drejt një vetizolimi enverist?

Bullgaria, arriti të anëtarësohet në BE, JO vetëm në saj të reformave politike dhe juridike, por edhe në sajë të përkrahjes financiare që ajo u ofroi emigrantëve bullgarë. Në gazetat e mëdha bullgare , në vitet 1998-1999, ajo iu bë thirrje për disa muaj emigrantëve bullgarë, që të kthehen në atdhe, të investojnë atje, sepse qeveria do t’i përkrahë duke mos paguar tatime gjatë 3 viteve të para, shitur tokë kundrejt çmimeve të ulëta e shumë lehtësira të tjera.

Po qeveria shqiptare përse nuk e ka bërë dhe nuk e bën këtë ndaj emigrantëve shqiptarë? Përse po e mbyt biznesin e vogël me tatime dhe ushtri spiunësh?
Kjo propagandë e pështirë mediatike, përkon për fat të keq me këmbënguljen e madhe që po bën ambasadori amerikan për zbatimin e reformës së drejtësisë shqiptare.

Ndaj lind pyetja: a po përpiqet qeveria aktuale dhe simotra e saj, opozita ta sulmojë ambasadorin amerikan? Nga njëra anë, politikanët shqiptarë, e tallin sy në sy ambasadorin amerikan, duke e zvarritur pafundësisht reformën e drejtësisë, nga ana tjetër, ata e shpallin Amerikën në sytë e shqiptarëve një vend psikopatik, ku njerëzit çmenden nga ilaçet që u duhen të pijnë?

Atëherë, përderisa Amerika paska ca doktorrë diabolikë që qytetarët dhe emigrantët e saj i detyrojnë të pinë ilaçe, shqiptarëve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të rrinë aty ku janë, në atdhe, të hanë bar e dorën armikut të mos ua shtrijnë.

Rrjedhimisht, edhe ambasadori amerikan na qënkërka një figurë politike që përfaqëson Amerikën, spitalin gjigant, të mbushur me njerëz çmendurakë!!!

Share: