Fillon procedura antikushtetuese e prishjes se Teatrit Kombëtar!
Ndonëse të zhytur në skandalin e ministrit Xhafaj dhe atë të ish ministrit Tahiri, qeveria Rama nuk rresht së grabituri pasuritë publike për interesin e një klientelë të vogël. Pak ditë më parë një qeveri e etur dhe uritur për abuzime ka propozuar një draft ligjor për të kaluar jashtë çdo standardi ligjor dhe kushtetues, projektin për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Pasi dështuan që ta realizonin planin e prishjes së Teatrit Kombëtar me metodat e shëmtuara, qeveria ka vendosur që të prodhojë një ligj për t’i dhënë me koncesion kompanisë private prishjen e teatrit dhe ndërtimin e kullave. Një procedurë e ngjashme u ndoq edhe për aeroportin e Vlorës ku dy super ministrat e pazarit qeveritar Ahmetaj dhe Gjiknuri morën përsipër negocimin e kontratës me palën turke duke lënë qytetarët dhe parlamentin në errësirë.
Po kështu edhe sot qeveria propozimin e pa kërkuar të kompanisë Fusha (e cila edhe nënkontraktoi studion daneze BIG për projektin e teatrit) po e shndërron në ligj me synimin që të anashkalojë edhe nesër një revokim të kontratës apo përgjegjësitë penale. Pse nuk zbatohet ligji i prokurimit publik? Pse nuk zbatohet ligji i koncesioneve? Pse nuk bëhet një tender ndërkombëtar? Si mundet te grabitet toka publike dhe private dhe ti jepet me koncesion një kompanie private?
Kështu Tiranës dhe vendit i zhduket një pasuri kombëtare ndërkohë që qeveria majmet përmes koncesioneve që pasurojnë vetëm një grusht njerëzish.
Ky projektligj është tërësisht antikushtetues pasi ligji për koncesionet/prokurimet konsiderohet si ligji kryesor në fushat përkatëse. Kjo do të thotë që ai qëndron mbi çdo ligj tjetër në fushën e koncesioneve apo prokurimeve. Më konkretisht, ligji i koncesioneve dhe prokurimeve është tejet i qartë në formë shteruese për rastet përjashtimore kur ai nuk zbatohet dhe rasti në fjalë nuk është i parashikuar në asnjë nga rastet në fjalë.
Por e keqja nuk mbyllet me kaq. Sipas logjikës që po përdor këto ditë qeveria për çdo koncesion po shkruan një ligj të veçantë duke anashkaluar detyrimet që rrjedhin nga ligji i posaçëm sikundër edhe nga parimi i mirëmanaxhimit të fondeve publike, konkurrenca dhe barazia në tendera.
FMN, BE dhe të gjithë aktorët e brendshëm edhe të jashtëm kanë kritikuar qeverinë për koncesionet e shumta që kanë rënduar buxhetin e shtetit. Por kryeministri dhe super ministrat e pazareve kanë vendosur që abuzimet e tyre t’i mbulojnë përmes ligjeve që miratojnë në një parlament të kthyer në noter. Me një mazhorancë që ka humbur kontaktin me qytetarët dhe që mendon si e si të pasurojë veten në kurriz të pronës së përbashkët dhe asaj private.
E në fund te ditës ku të ankohesh për një ligj antikushtetues? A kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale? Apo nuk na duhet?!/opinion.al