Home KRYESORE Maskat e patriotizmit në funksion të antishqiptarizmit

Maskat e patriotizmit në funksion të antishqiptarizmit

Nga Enver Bytyçi

Kanali televiziv kombëtar, Top Channel, i Tiranës paraqiti në ekran një hartë sinoptike, në të cilën Kosova figuron si pjesë e territorit të Serbisë. Aeroporti i Tiranës ka bërë gjithashtu të njëjtën gjë në faqen e tij të internetit. Po afrohet 17 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe madje çlirimi i saj nga Serbia, po afrohet gjithashtu 8 vjetori i shpalljes së pavarësisë së saj e ndërkohë në Shqipëri po gjallërohen simbolet e dikurshme të sovranitetit serb në Kosovë.

Çfarë po ndodh dhe pse po ndodh kjo?! A kemi të bëjmë me një “lapsus”, apo është një dorë që provokon? Më tej akoma, mos dikush dëshiron të rikthejë si temë diskutimi e kontestimi brendashqiptar të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës?! Jemi shndërruar në një vend të çudirave, paradokseve dhe befasive që prodhojnë ndjesi dhe energji negative, prandaj dhe në këtë vend mund të pritet gjithçka, edhe mohimi i identitetit kombëtar e shtetëror të vetëvetes.

Antikombëtarët thërrasin natë e ditë për nacionalizmin, për vetëvendosjen, për ngjyrat kuq e zi, për bashkimin kombëtar e për dronët, ndërkaq përpiqen të kthejnë kohën e padronëve të periudhës 1941-1948. Hajdutët, të korruptuarit, maskarenjtë që vijnë në pushtet, ushtrojnë pushtetin ose duan ta marrin pushtetin me dhunë, flasin non stop për “duar të pastra”, “qeverisje të ndershme”, flasin për shtet, madje dhe për reforma që bëjnë shtetin e “së drejtës”, por qeverisja e tyre e ushtron të “drejtën e dhunës shtetërore” vetëm kundër të pamundurve, të varfërve, njerëzve idealistë, si dhe kundër inteligjencies! Kriminelët e votojnë gjykatën speciale për gjykimin e krimeve, por nga ana tjetër “gjejnë kasusin” e rrënimit të këtij procesi. Kjo po ndodh edhe sot në Prishtinë me protestën e organizuar nga disa të inkriminuar për gjoja kundër disa të inkriminuarve të tjerë në qeverisje, por që në fakt janë gishta të të njëjtës dorë.

Ata që duhet të shkojnë prapa hekurave, ata që në dy dekada e më shumë shfrytëzuan pushtetin dhe paratë publike për të pasuruar vetëveten, familjen, klanin politico-mafioz, pikërisht ata bëjnë sikur bëjnë reformën e drejtësisë në Shqipëri. E nga ana tjetër, askush nuk beson se mafia do të bëjë një reformë drejtësie antimafie. Ata që janë majmur në pasuri të përfituar me krim të organizuar, ata flasin për drejtësi e shoqëri sociale. Ata që shpenzojnë qindra milionë për evente personale e familjare, ata që bëjnë nga dy dasma në dy javë “me paratë e mamas딝, ata bërtasin çdo ditë për “humanizëm”, për “bamirësi të komshiut të pasur për komshiun e varfër”, madje improvizojnë shfaqje teatrale të neveritshme. Ata që çdo ditë bëjnë bilancin e përfitimeve nga tenderat, pikërisht këta bërtasin në ekrane pa u ndalur kundër hajdutëve, madje në mënyrë komike, duke e zgjedhuar foljen “vjedh” në vetën e dytë e të tretë, por asnjëherë në vetën e parë.

Prandaj nuk do të habitem, nëse ata që prodhojnë etiketa patriotizmi të ndërtojnë platformat e antishqiptarizmit. Nuk do të çuditem nëse shoh se ata që anonçojnë “sabah e aksham” këngë patriotike me flamur, me shqiponjë e me hartën e Shqipërisë etnike, të punojnë në anën tjetër për ta shkatërruar edhe këtë Shqipëri që kemi sot, edhe këtë Kosovë që na e falën NATO e SHBA-të dje.

Share: