Shtetet e Bashkuara vendosën të hënën sanksione ndaj pesë subjekteve dhe tre individëve rusë, duke i akuzuar ata për aktivitet keqdashës kibernetik, me synimin për t’i dhënë materiale dhe mbështetje teknologjike shërbimit sekret të Moskës.
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha se subjektet dhe individët ndaj të cilëve janë vendosur sanksione, “kanë kontriubuar drejtpërdrejt tek kapacitetet kibernetike të Rusisë, përmes shërbimit federal rus të sigurisë, duke rrezikuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve tanë”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara “janë të përkushtuara për të vënë në shënjestër në mënyrë agresive çdo subjekt, apo individ që punon me shërbimin rus të zbulimit, që përbën kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojnë të shfrytëzojnë autoritetin e sanksioneve amerikane…për t’iu kundërvënë kërcënimeve të vazhdueshme që burojnë nga Rusia.”
Sanksionet ngjajnë si mesazhe konfliktuale nga ana e Uashingtonit për Moskën.
Shtetet e Bashkuara kanë marrë një sërë masash ndëshkimore kundër aktiviteteve të caktuara të Moskës.
Por javën e kaluar, Presidenti Donald Trump la të kuptohet që Rusia duhet lejuar që t’i bashkohet grupit G7 të vendeve të zhvilluara, pasi ishte përjashtuar nga grupi pas ankesimit të Gadishullit ukrainas të Kimesë.
Trump ka folur gjithashtu për mundësinë e një takimi me Presidentin rus Vladimir Putin.
Sanksionet e njoftuara të hënën u ndalojnë personave të përfshirë në listën e zezë, që të kenë akses ndaj llogarive bankare që ata kanë në Shtetet e Bashkuara dhe ua ndalojnë amerikanëve të kryejnë transaksione me ta./VOA