Home KRYESORE Xhon Alite, shqiptari që tmerronte mafian italiane vjen në Tiranë

Xhon Alite, shqiptari që tmerronte mafian italiane vjen në Tiranë

Xhon Alite ishte një vrasës, trafikant droge dhe gangster. I lindur në Amerikë nga dy prindër shqiptarë me origjinë nga Gjirokastra, Alite për më shumë se 25 vite zhvilloi një aktivitet të gjatë kriminal si pjesë e familjes Gambino.

Jeta e mafiozit 56-vjeçar me origjinë shqiptare ka intriguar regjisorin Andi Deliana për të sjellë një dokumentar të detajuar rreth tij.

Për ta prezantuar në Tiranë pas Kosovës, ai ftoi vetë protagonistin e ngjarjes, i cili ndonëse është një nga kokat më të kërkuara të mafias sot në New York, mbërriti si një nga njerëzit më të thjeshtë që lëviz lirshëm e pa probleme në një qytet, kur në fakt është një nga njerëzit më të mbrojtur nga FBI, të cilët mesa duket kanë format e tyre të sofistikuara të mbrojtjes.

Alite ka marrë me vete edhe dy djemtë e tij për t’i njohur me Shqipërinë. Për të kaluarën e tij nuk është krenar, por është një e kaluar të cilën ai nuk e fsheh.

“Unë jam i njëjti siç kam qenë. Nuk mund të them se kam ndryshuar. Ndryshimi është tek mënyra se si reagoj. Nëse dikush me shqetëson nuk reagoj me fizikisht. Dua të transmetoj mesazhe pozitive tani. Kam qenë një djalë agresiv, më vjen keq për këtë, por nuk mundem ta zhbëj. Ndërsa për disa nuk më vjen aspak keq. Kur kam urdhëruar vrasjen e njerëzve që përdhunojnë vajza, nuk do të kërkoj kurrë falje. Do ta bëja sërish. Nuk jam ai që më takon të gjykoj, por as ta lë këtë gjë të ndodhë nuk mundem”, thotë ai.

Alite është një njeri i lirë, pasi bashkëpunoi me FBI në luftën ndaj krimit, një zgjidhje që mendohet se e bëri për të shpëtuar nga vrasja prej mafias. Por Alite nuk mendon kështu.

“Ky lajm pushtoi gazetat amerikane në vitin 2005. Ky është Gotti në rolin e spiunit, duke folur kundër meje. Po bashkëpunonte me qeverinë, një gjë nuk ka të bëjë me mua apo me të, por me rregullat e rrugës. Në rrugë nuk ka besnikëri të vërtetë. Unë i kam mbijetuar kësaj, i kam mbijetuar njerëzve si Gotti. Besoj në Zot dhe nëse vdes dua të lë mesazhe pozitive. Nuk dua që në rrugë të mbeten mesazhet e mia të vjetra që të vriten e të lëndohen njerëz”, deklaron më tej.

Share: