Nis hetimi pasuror për vellaij e ministrit Fatmir Xhafaj, Agronit

    Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Hetimi pasuror ka nisur në kuadër të ligjit antimafia, pas regjistrimit të procedimit penal në ngarkim të tij te Krimet e Rënda për audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike. Në këtë audiopërgjim, pretendohet se Agron Xhafaj flet me një person tjetër, të identifikuar si Albert Veliu. Ky i fundit i kërkon atij t’i sigurojë një sasi kanabisi për ta trafikuar jashtë vendit.

    Duke qenë se ka dyshime se Agron Xhafaj mund të jetë përfshirë në trafik narkotikësh, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur shkresa zyrtare në të gjitha bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për të zbardhur llogaritë bankare të Agron Xhafajt. Shkresa janë dërguar edhe në Hipotekë për të mësuar nëse ka prona në emër të Agron Xhafajt dhe si mund të jenë blerë ato. Kujtojmë se Agron Xhafaj ndodhet në Itali, ku shkoi me vullnetin e tij pas publikimit të audiopërgjimit të PD-së. Për Agron Xhafajn ka një vendim penal nga Gjykata italiane dhe ai u është dorëzuar autoriteteve atje, pas sulmeve të njëpasnjëshme të PD-së. Nga ana tjetër, Albet Veliu, i cilësuar si dëshmitari X, pretendon se e njeh Xhafajn që në Itali, para shumë vitesh dhe pasi ai ra në burg, Agron Xhafaj nuk u interesua më për të.

    Veliu gjendet në Kosovë, kur u ndalua para disa javësh dhe është në proces azili politik. Deri më tani, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë thirrur për dëshmi, Albert Veliu, i njohur si “Dëshmitari X” në video, dy deputetët e PD-së, Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj, si edhe Gazment Bardhi. Gjithashtu, në Prokurori është pyetur edhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili mendohet se ka kryer përgjimin. Të dhëna për “Ermalin” ka dhënë vetëm Albert Veliu dhe në bazë të të dhënave të tij po kryhen verifikimet. Më herët, në Prokurori ka qenë edhe vëllai i ministrit Xhafaj, që ka dhënë versionin e tij për ngjarjen dhe ka lënë një regjistrim të zërit për krahasim me përgjimin. Agron Xhafaj pretendon se zëri nuk është i tij dhe se përgjimi i publikuar nga PD është montazh. Ai është nisur drejt Italisë ku ka shkuar me avokatin për të zgjidhur çështjen e dënimit në Itali. Lidhur me ekspertimin e videos, një burim i tha “Panoramës” se Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka dërguar për ekspertim në Itali audiopërgjimin.

    I njëjti burim i tha gazetës se po pritet që të identifikohet dhe të merret dëshmia e “Ermalit”, në mënyrë që të vendoset për hapin tjetër të hetimit. Kujtojmë se Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi që të bashkojë dy çështjet për audioregjistrimin. Kështu, kallëzimi i Agron Xhafajt për “kallëzim të rremë” ndaj tre zyrtarëve të PD-së në Prokurorinë e Tiranë iu bashkua procedimit të nisur kryesisht me akuzat e PD-së për përgjimin e vëllait të ministrit Xhafaj. Nga ana tjetër, vazhdojnë kërkimet për personin e përmendur në përgjim, me emrin “Ermal”. Nuk dihet nëse ai është trafikant droge apo efektiv policie, por kërkimet për të vazhdojnë në Vlorë. Ditët e fundit, opozita ka lëshuar akuza të forta ndaj organit të akuzës, ku sipas tyre, po tentohet të fshihet e vërteta e audiopërgjimit dhe po tentohet që ai të dalë si manipulim./Panorama

    Share: