Nga Aurel Plasari
(Nga cikli “Me historinë poshtë nënkresës”)
Mor kokërr injoranti…!” nisa të shkruaja. Por u tërhoqa. Sepse personi që më ka shkruar në inbox më është drejtuar me mirësjellje. Atje në Milano ai është student, këtu mund të kishte qëlluar studenti im. Më takon t’i përgjigjem me mirësjellje, edhe me dashuri në mundsha, pyetjes së tij ngacmuese: “Po pse, profesor, La Scala e Milanos qenka ai teatër i Tiranës?”. Nga ana ime është fjala për dashuri, të kuptohemi, ndaj teatrove kudo ata qofshin.
Krahasimi që, tërthorazi, orvatet bëjë studenti i hamgjitur nga La Scala quhet krahasim jashtëkontekstual. Ka pas bërë ndonjëherë truke të tilla edhe Konica i çuditshëm. Kur u vu ta detraktonte me çdo kusht Naimin tonë, për shembull, u ngrit e pyeti shqiptarët në e dinin apo jo se çfarë shkruante, bash në kohen e Naimit, një Charles Baudelaire në Francë?! Afërmendsh që Faiku shtirej kinse nuk e bënte dot dallimin që Naimi punonte në “Shqipërinë turke”: ai jo vetëm shkruante për atdheun, për gjuhën shqipe e për Skënderbeun, po edhe flijonte talentin e vet duke hartuar deri libra për “mësonjëtoret” e para, në kohë e sipër që Baudelaire-i, nga Parisi i lirë dhe libertin, rafinonte në art temat gjithë neps të seksit. Doli më vonë shkrimtari ynë i realizmit socialist dhe iu kundërvu Konicës duke na kujtuar që, ndërsa z. Baudelaire paskësh shkruar “Lulet e së keqes”, Naimi shkruante “Lulet e verësë”! Këto quhen krahasime jashtëkontekstuale, që nuk nxjerrin kund dhe as marrin fund.
Të jetë për krahasime të këtilla po përfytyroj studentin tonë, me këllëfin e flautit krahaqafë, duke bërë një vizitë në Romë, nëse nuk e ka bërë ende. Do të vërë re që as kryeministria jonë nuk është pallati Montecitorio, as presidenca jone e ndërtuar mbi një projekt mirëfilli sovjetik dhe për përdorim sovjetik, nuk është pallati Quirinale, as ministria jonë a jashtme nuk ngjan kurrkund me pallatin Chigi, le më Kuvendi ynë ish-Popullor: kurrfarë lidhjeje nuk ka ai me pallatin Madama dhe pallatet e tjera që përbëjnë korpusin e madhërishëm të Parlamentit dhe Senatit të Italisë. Që monumente të tilla ta marrin mendjen me sharmin e tyre disashekullor, kjo po vetëkuptohet.
Shteti ynë 100 e pak vjeçar ka histori më të vogël dhe më modeste, përkatësisht të tilla i ka edhe monumentet e historisë së tij shtetërore. Se sa për histori të mëhershme, banjat e famshme të Dioklecianit nuk duhet të kenë qenë gjë e madhe para Durrësit antik që Horaci e lavdëroi si Taverna e Adriatikut: “Taberna Adriae”.
Monumentet e historisë së shtetit shqiptar mundet që të duken jo kushedi çfarë përkundrejt trashëgimive të Europës së kohës së Rinascimento-s dhe Renaissance-s, kur andej ndërtohej, ndërsa këndej rrënohej. Një të tillë ndërtesë shumëfish historike përbën edhe kompleksi i sotëm me dy teatrot që mbrohen sot dhe që quhen “Teatri Kombëtar” dhe “Teatri Eksperimental”. Mesazhi i të dashuruarit me teatrin Alla Scala, student i flautit në qoftë me të vërtetë i tillë, nënkupton që këto monumente tonat qenkëshin fort të rinj në krahasim me emërmadhin e Milanos. Mirëpo këtu te ne po ndodh pikërisht e kundërta: këtu ndërtesat, që po mbrohen, i kundërcilësojnë si “të vjetra”! Madje duke i çkualifikuar si “të vjetruara”.
Teatri Alla Scala, që mahnit sot jo vetëm një student shqiptar, por mbarë botën artistike, është i tillë sepse Italia kulturore – kulturore po them – nuk është qeverisur nga ndonjë grup banditësh që kundër trashëgimisë kulturore të vendit të tyre të ngrenë kazmën. Edhe kur ka ndodhur ndonjë mini-incident i tillë është dënuar rëndë: jo vetëm nga historia, por qysh nga bashkëkohësia.
La Scala është ndërtuar në vitin e largët 1778, me sa konstatoj në Historinë e Teatrit Italian. Përfytyroni që bëhej fjalë për një ndërtesë e cila ndriçohej me qirinj dhe me llamba vaji. Mezi ia delnin, një herë në mot, ta pastronin e ta dëlirnin nga tymrat. Mirëpo ja ku doli ndriçimi elektrik, që filloi të praktikohej në salla shfaqjesh mbas gati një shekulli. Duhet të ketë qenë i pari që e praktikoi një teatër në Uestminster, “Savoja” me gjasë. Ç’do të bëhej me teatrin Alla Scala?
Me logjikën e politikanëve banditë do të duhej prishur: ishte tanimë jo vetëm jashtë kohe, por edhe jashtë funksioni. Nuk di të them në kanë ofsharë a rënkuar primadonat: “Oh, ç’na mbyti tymi! Oh, nuk këndohet dot me llamba vaji!”. Di që në Milano u mblodhën mendjet e zanatit dhe ia përshtatën teatrin Alla Scala epokës së elektricitetit. Mund të përfytyrohet se çfarë ndërhyrjeje e vështirë, e ndërlikuar, e cila kryhej për herë të parë, duhet të këtë qenë në atë fundshekulli XIX konvertimi i një teatri të konceptuar jo për funksionim me elektricitet. Rëndësi ka që ajo ndërhyrje revolucionarizuese u krye dhe La Scala mbeti në këmbë: ja tek e kemi.
Por edhe ajo çfarë ndodhte në atë teatër, sot me emër marramendës, nuk bën të idealizohet. Ndryshe patën qenë punët, një herë e një kohë, edhe për të. Dikur në atë teatër kryesorët nuk ishin as artistët, as shfaqjet e tyre. Kryesore ishin lozhat. “I palchetti”, siç quheshin. Në to zhvillohej jeta teatrore, që nuk ishte veçse konkurrencë mes familjeve të mëdha se cila syresh të kishte lozhën të më mirë, më të bukur, më të rënshme në sy, më të shtrenjtë. Qe një kapërcyell epokash. Aristokracia kishte titujt, diplomat, nderet, por nuk kishte më paranë, që do të thotë po binte nga fuqia. Ndërsa ngrihej borgjezia, që kishte paranë dhe që promovonte tanimë kapitalin, sepse kishte zhvilluar industrinë dhe tregtinë, megjithëse ndryshe nga aristokracia e mëparshme ishte mediokre për ç’u përket shijeve artistike.
Pa e vrarë shumë mendjen se ç’luhej në skenë, çdonjëra familje bënte “jetën artistike” në lozhën e vet. Mund ta stoliste lozhën simbas ëndjes, mund ta ndriçonte me llamba më të forta se të lozhave të tjera, mund ta “mobilonte” me orendi nga të shtëpisë. Kjo ishte La Scala e një herë e një kohe! Jo vetëm kaq, por nëpër lozha praktikohej rëndom kumari: luhej me letra, me zare. Duhani po që po, por edhe pijet alkoolike qarkullonin lirisht. Bëheshin, mbase, në ato lozha edhe punë të tjera. Sepse kur shkrimtarit Gabriele d’Annunzio i ndodhi njëherë të grindej me drejtuesit e teatrit Alla Scala, në mllef e sipër lëshoi për atë teatër një epitet të rëndë, që nuk duhej t’ia nxinte goja: e quajti “scopatoio”. Anglezët i thonë “fuckpad”. Në shqip nuk e paskemi termin “qirtore”.
Po kompozohej një opera simbas tragjedisë së D’Annunzios, “Francesca da Rimini”, dhe censura e operës i kishte bërë shkrimtarit sqimatar do vërejtje “namuzi”, kinse e prekur për shkak të një elementi incesti, shqip ”fëlligshtie në gjak”, në subjekt. Në fakt nuk mund të thuhet në qe e saktë vërejtja apo jo, sepse në subjektin dantesk Francesca thjesht ra në dashuri me të vëllanë e burrit. I prishur shkrimtari me teatrin Alla Scala, opera në fjalë u shfaq në Torino. Kuptohet që më vonë “Francesca da Rimini” u vendos dhe u rivendos kushedi sa herë në repertorin e teatrit Alla Scala, porse sharja e momentit e shkrimtarit të madh mbeti në historinë anekdotike për të na kujtuar që jeta e teatrove është gjithnjë një ndërthurje “intrigë & dashuri”. Edhe për të madhen La Scala.
Dhe si mendoni ju që u ridimensionuan këto marrëdhënie mes publikut spektator, mendjemadh, të lozhave dhe artit të teatrit Alla Scala? Duke shembur atë teatër për të ngritur një të ri? Apo me polici bashkiake? Marrëdhëniet u ridimensionuan me kohën: nga njëra anë qytetërimi i publikut dhe nga ana tjetër ai proces që në estetikën e sotme shpjegohet nga ajo që njihet si “teori e receptimit”. Me të tjera fjalë: artistët me produktet e tyre ndikuan që të përkryej receptuesi, ndërkohë që vetë receptuesi ndikoi fort mbi ta: si në teatër, ashtu edhe në opera, në muzikë, në letërsi, në arte figurative etj., në La Scala dhe kudo në Europë.
E vetmja gjë që mundën të bënin politikanët italianë, që nuk qenë banditë si politikanët e sotëm shqiptarë, ishte që të mos ndërhynin në këtë proces estetik dhe njëherësh social veçse për të ndihmuar. Merrni një katalog të thjeshtë të teatrit Alla Scala, nga ata që u ofrohen rëndom turistëve kalimtarë në hollin e teatrit; në të do të shihni se sa herë është ndërhyrë për të restauruar dhe rikonstruktuar atë monument me histori kaq paradoksale. Kam përshtypjen që ndërhyrja më e fundit, ajo më pranë nesh, të ketë qenë e vitit 2014. Ju ka ndier vrima e veshit që në Itali ta quajnë teatrin Alla Scala si “i vjetër”? Veç në e quajtshin kështu në kuptimin e lavdërimit, të mburrjes. Ndërsa që ta quajë atë teatër tanimë “të vjetruar” nuk besoj të ketë italian që t’i ketë vdekur mendja.
Për të qenë të drejtë, jo se nuk ka pasur, – e mbase ende ka, – banditë edhe në politikën italiane, që ngrenë kartona e miratojnë ligje të cilat i vuan në shpinë vetë shoqëria votuese. Por kundër teatrit Alla Scala nuk ua ka mbajtur të ngrenë jo kazmën, por as dorën. Se në shoqëri të tilla të ndjeshme dorën ua presin. Ja se përse, i shumëlavdëruari prej studentit të magjepsur prej tij, teatri All Scala i vitit të largët 1778-s, – i rinovuar, i restauruar, i rikonstruktuar, – sot na bën të fala. Ndokujt ia bën edhe me sy. /Hashtag.al.