Nga Kastriot Cipi
Pas ceremonies së betimit më 9 korrik, Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) filloi me shpejtësi të qeverisë vendin si president ekzekutiv me autoritet të pakufizuar. Sistemi presidencial ekzekutiv hyri në fuqi pas zgjedhjeve të 24 qershorit.
Qeveria e AKP (Partia e Erdoanit) nxirrte dekrete që anashkalonin parlamentin, qëkurse hyri në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrik 2016. Presidenca e re ekzekutive i jep Erdoanit pushtet jo vetëm për të drejtuar ekzekutivin, por edhe të udhëheqë partinë e tij AKP. Duke qenë se kabineti qeveritar është shfuqizuar, së fundi Erdoani zgjodhi kabinetin e tij. Si president ekzekutiv, Erdoan ka fituar të drejtën të ndryshojë ministritë pa miratimin e parlamentit, të emërojë zyrtarë të niveleve më të larta, të nxjerrë dekrete presidenciale, përgatisë buxhetin dhe të vendosë gjendjen e jashtëzakonshme.
DEKRETI PRESIDENCIAL MBYLL TEATROT SHTETËRORE
Më 9 korrik u shpall një dekret statutor, që i përshtat ligjet e vendit me sistemin e ri presidencial.
Dekreti i ri statutor përfshin ndryshime në ligjin për Teatrot Shtetërore. Ai shfuqizon nenin e mëparshëm, sipas të cilit “Teatrot Shtetërore drejtohen nga një drejtor i përgjithshëm”, duke e zëvendësuar atë me një deklaratë që thotë se administrimi i brendshëm i teatrit do të përcaktohet me një rregullore presidenciale.
Vendimi për subvencionet e nevojshme qeveritare, që i jepeshin Teatrit nga Këshilli i Ministrave, tani do të merret nga Presidenti.
Dekreti parashikon gjithashtu konfiskimin e pronave të Teatrove Shtetërore dhe Operas e Baletit Shtetëror, që do të mbyllet gjithashtu, si edhe transferimin e të gjitha aseteve të dy institucioneve në dobi të Presidencës.
Të dy institucionet kanë qenë udhërrëfyes dhe motorë të modernizimit dhe sekularizimit të Turqisë pro-perëndimore dhe kanë pasur një ndihmesë të jashtëzakonshme në jetën artistike të vendit.
Duke pasur parasysh mungesën e sponsorizimeve të mjaftueshme private, Teatrot Shtetërore ishin një faktor i domosdoshëm në prurjen e dramaturgjisë së huaj në skenat turke dhe vënien në skenë të dramave kombëtare, me fonde shtetërore.
Megjithëse aktorët konsiderohen si nëpunës civilë sipas ligjit, Teatrot Shtetërore kanë vepruar në mënyrë të pavarur dhe aktorët i rinovojnë kontratat e tyre çdo vit. Struktura autonome e institucionit, pa ndërhyrje politike, dukej se ishte një burim i fërkimeve me qeverinë turke me rrënjë islamike, e cila shfaqte pakënaqësinë e saj ndaj karakterit sekular të institucioneve shtetërore të artit.
Kontratat e aktorëve aktualë janë pezulluar automatikisht me dekretin presidencial, njoftoi e përditshmja Cumhuriyet.
Çfarëdo aktiviteti që Teatrot Shtetërore do të organizojnë në të ardhmen, do të përcaktohet me një agjenci të re, me varësi direkte nga Presidenca.
ÇFARË JANË TEATROT SHTETËRORE DHE OPERA E BALETI SHTETËROR
Teatrot Shtetërore Turke (turqisht Devlet Tiyatroları – DT) është drejtoria e përgjithshme e kompanive shtetërore të teatrit në Turqi, institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Ajo financohet nga shteti me qëllim zhvillimin e artit skenik dhe interesit publik për të. Deri në vitin 2007, ky institucion punësonte rreth 2,200 vetë, duke përfshirë mbi 700 aktorë e po aq teknikë skene. Institucioni administron 52 salla teatri në 19 qytete të ndryshme (Ankara, İstanbul, İzmir, Bursa, Adana, Antalya, Trabzon, Konya, Sivas, Diyarbakır, Van, Erzurum, Gaziantep, Malatya, Elazığ, Samsun, Çorum, Zonguldak dhe Kahramanmaraş), realizon çdo vit 120 produksione dhe, përmes turneve në të gjithë Turqinë arrin një audiencë prej 1,5 milion shikuesish.
Opera dhe Baleti Shtetëror (turqisht Devlet Opera ve Balesi – DOB) është drejtoria e përgjithshme e kompanive shtetërore të operas dhe baletit, e cila administron sallat në Ankara, İstanbul, İzmir, Mersin, Antalya and Samsun.
Fillesa e dy institucioneve është viti 1948. Dhjetë vjet më pas, ato u ndanë për të krijuar dy institucione të pavarura nga njëri-tjetri.
Burimet:
https://news.sol.org.tr/turkeys-administrative-system-restr…
https://turkey.theglobepost.com/turkey-dismantles-state-th…/
https://en.wikipedia.org/wiki/Turkish_State_Theatres
https://en.wikipedia.org/wiki/Turkish_State_Opera_and_Ballet
Foto e pare: Drejtoria e Teatrove Shteterore, ku ndodhen edhe Teatri i Vogel dhe Teatri i Dhomes
Foto e dyte: Opera e Ankarase