Home KRYESORE Filozofia e mohimit, ëngjëjt e rremë dhe dora e padukshme!

Filozofia e mohimit, ëngjëjt e rremë dhe dora e padukshme!

Nga. Dr. Enriko Ceko

Më tërhoqi shumë ftesa e Zj. Lori E. Amy, studiuese amerikane dhe pedagoge në  Georgia Southern University, e cila prej disa kohësh është në Shqipëri, për të kontribuuar në një debat të hapur publik në lidhje me shkrimin e saj “Dhuna shtetërore, mohimi dhe trashëgimitë traumatike të komunizmit”, botuar në Gazetën MAPO të datës 11.07.2018.

Jetojmë në një kohë që e kaluara e tashmja dhe e ardhmja nuk mund të konceptohen pa njëra tjetrën. Nuk ka tashmë asnjë segment të veprimtarisë njerëzore për të cilin të mos ketë një të shkuar dhe një të tashme dhe për të parë përtej, drejt së ardhmes është mëse logjike që të referohemi te e kaluara dhe e tashmja. Por, duket se për ne shqiptarët, në këtë pikë, në në lidhje me atë se ç’farë ka ndodhur, ç’po ndodh dhe ç’mund të ndodhë në jetën tonë kryesisht në aspektin kolektiv, në aspektin e shoqërisë, për çështjet madhore politike, ekonomike, shoqërore, sportive, kulturore, historike, të traditës, të familjes, të jetës tonë në përgjithësi, ekziston një ngërç, një vorbull, një humbëtirë, që nuk po na jep mundësi apo hapsirë që të flasim, të diskutojmë, të ndajmë pikëpamjet me njëri tjetrin, që nëse nuk çbllokohet, nuk ndalet dhe nuk mbushet, do të ketë pasoja shumë më të mëdha në të ardhmen e afërt dhe të largët.

Me të drejtë studiuesja Amy vëren se heshtja është një kosto mjaft të madhe sociale për çdo shoqëri, aq më shumë për shoqëri të tilla si shoqëria shqiptare, që vjen deri në ditët tona nëpërmjet një historie mjaft unike filozofie dhune shumë vjeçare.

Përveç heshtjes, vërehet se ekziston, për arsye nga më të ndryshmet, në një masë të madhe ndërgjegjia e dyfishtë, e cila, bazuar në frikën, (sipas studiueses Lori Amy) i detyron njerëzit që “t’u thonë atyre që janë në pushtet atë që këta të fundit dëshirojnë të dëgjojnë, i bën ata të pretendojnë një gjë kur ata, në fakt, nënkuptojnë diçka tjetër” dhe kjo bën që njerëzit të komunikojnë midis tyre me “parulla partiake, fjalë të rreme e të pakuptimta, të llogaritura për të mbrojtur veten apo për të përmirësuar pozitën e tyre”.

Vërtet, ne jemi dëshmimtarë të kësaj. Studiuesja Amy hedh në diskutim konceptin e mohimit “si një mekanizëm normal mbrojtës, një reagim i pandërgjegjshëm ndaj ndjenjave të frikës apo ankthit kaplues”, duke ju referuar periudhës së regjimit përpara vitit 1990. Imagjinoni një shoqëri të tërë, e futur në vathë, frikësuar në të tëra drejtimet, për punën, jetësën individuale dhe familjare, për bukën e gojës, shkollimin e fëmijëve, kujdesin shëndetsor, veçimin nga të tjerët, thashethemet, linçimin publik, etj, që mohon realitetin dhe krijon një gjendje deliri ku gjithshka duket se shkon më së miri, kur çdo gjë në fakt shkon teposhtë.

Çështja shkoi aq keq sa bashkëshorti kishte frikë nga bashkëshortja e fëmijët, ku drejtori kishte frikë nga shoferi i tij, ku pastruesi kishte frikë se mos zbulohej ndonjë gjurmë pluhuri në portretin e udhëheqësit, kur mësuesi kishte frikë nga provokimi i kolegëve, ku inxhineri kishte frikë se shkonte në burg se nuk plotësohej plani i prodhimit, etj si këto.

Pyetja e madhe është: a mendonin në fakt në atë kohë në ndërgjegjien e tyre shumica e personave të pjekur në moshë se ky ishte një mohim i së vërtetës dhe se me këtë mohim të së vërtetës, në fakt ata mohonin jetën e tyre personale, vehvehten, interesat e tyre intime, familjare, të shoqërisë dhe të kombit shqiptar?

Turmat e gjata të atyre që shkulnin flokët përpara arkivolit të diktatorit tregojnë se sa thellë ishte futur në mendjen e njerëzve mohimi si koncept dhe si filozofi. Aq keq ka qenë gjendja, sa edhe i vdekur, diktatori ngjallte frikë dhe ende kishte pushtet të pakufishëm. Dhe pas rënies së regjimit, në periudhën 1990 – 1993, në vorbullën e zhvillimeve të shpejta të pakontrolluara, të çorganizuara, që ndodhën në Shqipëri, në të gjitha drejtimet, duket se ka patur një kujdes tepër të madh nga duar të padukshme që, filozofia e mohimit, vendosja e fasadës dhe ireales mbi të vërtetën dhe realen, të dominonin edhe më tej jetën politike, ekonomike dhe sociale në vend. Në këtë pikë, ideologjia nuk njeh kufi. Ajo nuk përmbahet. Ajo vetëm përparon, shkatërron realen, krijon kushte që të mohuarit si proces, të mbizotërojë në mendjen e njerëzve.

Është fakt i pamohueshëm se edhe pas vitit 1993, që mund të quhet edhe viti që Shqipëria hyri në një periudhë tjetër qasjeje politike, ekonomike dhe sociale, siç edhe studiuesja Amy evidenton, “një ushtri aktorësh ndërkombëtarë kanë hyrë dhe kanë iniciuar “tranzicionin” – dhe këta aktorë ndërkombëtarë janë tanimë gjithashtu pjesë e strukturës së mohimit me të cilën ne duhet të punojmë në mënyrë që vërtet të fillojmë të themi të vërtetën – të vërtetën e eksperiencës në komunizëm, të vërtetën e eksperiencës në tranzicion. Sërish, kjo është e vërtetë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha anët e botës.”

Atëhere pyetja e madhe që kërkon një përgjigje është: Si ka mundësi që mohimi të ngrihet në ideologji dominuese. Si ka mundësi që qenia njerëzore të arrijë të mohojë vetvehten duke arritur në mjaft raste deri në mohim të vetvehtes për të mbrojur parimet e mohimit?

Në rastin e Shqipërisë mendoj se çështja mund të trajtohet edhe si një rezultante e asaj se shqiptarët për shumë shekuj kanë qenë drejtuar nga fuqi pushtuese dhe i kanë mbijetuar qeverisjes përveç revoltave dhe kryengritjeve edhe me mënyra nga më të ndryshmet, të tilla si indiferenca, servilizmi, puthadorja, shërbëtorizmi, shpifja, thashethemet, vjedhja, mashtrimi, mënyra mjaft efikase mbijetese kur qytetarët janë të varfër dhe vendi drejtohet nga qeveri pushtuese, gjendje që të çon deri në ngritjen e mohimit në nivel ideologjie dhe filozofie. Revoltat dhe kryengritjet janë rezultat i numrit të popullsisë që ndërgjegjësoshet për gjërat që shkojnë keq. Ndërsa kur, në një vend, mungojnë standardet, nuk respektohen ligjet, nuk ka etikë pune në veprimtarinë e përditëshme të administratës publike, të drejtuesve të komunitetit të biznesit, të OJF-ve, të institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësive diplomatike, dhe kur shumica e popullsisë nuk reagon, një pjesë e popullsisë, ajo më e pacipa, më e përdala, më e shpërfytyruara, për përfitime individuale dhe familjare, vepron me mënyrat e indiferentizmit, servilizmit, puthadorjes, shërbëtorizmit, shpifjes, thashethemeve, vjedhjeve, mashtrimit, etj si këto.

Sa më lart, mendoj se çështja që kërkon edhe më shumë hulumtim është fakti se përse shqiptarët vazhduan dhe vazhdojnë ende me të njëjtat mënyra mbijetese edhe kur në Shqipëri kanë “qeverisur” shqiptarët? Pra, përse edhe pas mbarimit të Luftës II Botërore dhe edhe pas vitit 1993, përse shqiptarët përsëri vazhduan dhe vazhdojnë të mbijetojnë me të njëjtat mënyra që në fakt të çojnë drejt eliminimit si komb. Kaq i vakët është nocioni “komb” për shqiptarët saqë janë të gatshëm të mohojnë realitetin thjesht dhe vetëm për mbijetesë individuale dhe familjare, duke lënë mënjanë ecjen përpara si shoqëri dhe si komb?

Mendoj se kjo dukuri vjen për shkak të asaj se shqiptarët ende nuk janë në gjendje të bëjnë dallim midis qeverive që vijnë në pushtet nga pushtimi dhe qeverive që vijnë në pushtet nga revolta popullore dhe nëpërmjet procesit të votimit. Kjo sepse edhe kur kanë votuar për qeveri “shqiptare”, ata kanë qenë të bindur se rezultatet e votimeve do manipulohen dhe se përsëri, pavarësisht nga qeveria, ata do të jenë të detyruar të vjedhin, të mashtrojnë, të servilosen, të manipulojnë, të bëjnë thashetheme, të shërbejnë, të shpifin, etj, përsëri për të mbijetuar në një gjendje mohimi. Kryesisht kjo vjen sepse shqiptarët mbetën të zhgënjyer në të tëra aspektet edhe nga regjimet që qeverisën vendin midis viteve 1912 – 1939, 1944 – 1991 dhe 1991 – e në vazhdim.

Për shembull, në mënyrë të dukshme, gjatë regjimit diktatorial komunist, kryesisht pas vitit 1980, u bë modë fitimi i vendeve të punës me mik, kryerja e operacioneve në spitale me bakshkishe, marrja e notave më të larta në mësime me shpërblime të të tëra llojeve, shpëtimi nga ndjekja policore me rryshfete (pa vajtur çështja në prokurori), etj.

Edhe pas vitit 1991, meqënëse në mendjen e shqiptarëve nuk funksionoi drejtësia jo thjesht si sistem në aspektin e respektimit të ligjit, por edhe si koncept në mendjen e njerëzve, në përgjithësi qytetarët vazhduan të mbijetojnë me mënyrat e vjetra.

Aktualisht, kemi raste sporadike kur qytetarët ngrenë zërin për çështje të caktuara, por këro raste janë shumë të pakëta dhe pjesëmarrja në këto ngjarje është shumë e ulët. Në këto ngjarje, le të themi të ngritjes së zërit kolektiv, marrin pjesë vetëm ata që mund t’i etiketojmë si “pakica e ndërgjegjëshme”. Pakica e ndërgjegjëshme janë ata individë që, duke e kuptuar se si qendron çështja, ngrenë zërin për përmirësimin e situatës.

Kështu ka ndodhur për shembull me rastin e përmbytjevur kur e kanë ngritur zërin vetëm disa specialistë, ndërkohë që ata që përmbyten nuk thonë asnjë fjalë për të mbrojtur interesat e tyre, sepse ende mendojnë se qeveria do i ndihmojë apo se do ketë zgjidhje nga lart.

Kështu ka ndodhur edhe me çështjen e cilësisë, sigurisë dhe garancisë ushqimore, çështje madhore kjo edhe e sigurisë kombëtare, për të cilën vetëm disa aktivistë e specialistë të fushës kanë ngritur zërin, edhe pse këta më vonë janë etiketuar se po krijojnë panik në publik, që sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përbën vepër penale. Pra, këta aktivistë janë kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga autoritetet publike se përbëjnë rrezik për qytetarët duke krijuar panik, kur në fakt rreziku për qytetarët për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre janë ushqimet e rrezikshme që konsumojmë. Ù

Një shembull tjetër është çështja e Teatrit Kombëtar. Pakica e ndërgjegjëshme, ata që dalin çdo mbrëmje për të protestuar janë ata që e kuptojnë rëndësinë e çështjes, që nuk është thjesht veprimi i shkatërrimit të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, sepse ndërtesa të tjera teatrosh kombëtare mund të ndërtohen në vende të tjera dhe edhe më të bukura dhe edhe më funksionale se ajo aktuale. Jo. Çështja qendron se me shkatërrimin e Teatrit tonë Kombëtar, eliminohet lufta dhe përpjekjet që arti dhe teatri në veçanti i bënë regjimit komunist, eliminohet kujtesa kolektive dhe trashëgimia për brezat që vijnë pr të marrë shembull si në aspektin e qendresës qytetare ashtu dhe në aspektin e pasjes së përvojës mjaft të shëmtuar të një qeverisjeje diktatoriale që mbyste fjalën e lirë, fjalë e cila vetëm nëpërmjet artit në përgjithësi dhe teatrit në veçanti mund të penetronte te masat, edhe pse e kamufluar, nëpërmjet thënieve të artistve.

Sa më lart nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh me qeverisjen përpara krijimit të shtetit shqiptar. Edhe përpara kësaj periudhe ka patur pakica të ndërgjegjëshme, që kryesisht kanë patur karakter identiteti kombëtar, luftë për gjuhën dhe kulturën tonë, luftë për mos eliminimin e popullsisë vendase në trojet tona, e të tjera si këto. Vetëm kur këto pakica të ndërgjegjëshme arrinin që të bëheshin të forta mjaftueshmërisht për të qenë faktor në marrjen e vendimeve, vetëm atëhere dhe vetëm atëhere këto pakica janë ndjekur nga masat e popullsisë dhe janë marrë në konsideratë nga pushtuesi.

Si rezultat, edhe në ditët tona, vetëm me ekzistencën e këtyre pakicave të ndërgjegjëshme, është pothuajse e pamundur që dikush të marrë guximin të ngrerë zërin, të kërkojë të drejtën, realen dhe logjiken në aspektin shoqëror dhe kombëtar, pasi në aspektin individual “të drejtën”, “realen” dhe “logjiken” një pjesë e shqiptarëve përpiqen që ta arrijnë nëpërmjet mënyrave përmendura më sipër.

Strategjia më e mirë do ishte që këto pakica të ndërgjegjëshme që ngrenë zërin në fusha të ndryshme të jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore s sportive në vend, të arrijnë të krijojnë një bërthamë serioze për vendim marrje të nivelit strategjik, rreth së cilës të përfshihen sa më shumë qtetarë, për të çuar vendin drejt një kohezioni social, ku dukuritë e indiferentizmit, servilizmit, puthadorjes, shërbëtorizmit, shpifjes, thashethemeve, vjedhjeve, mashtrimeve, etj, të minimozohen sa më shumë të jetë e mundur dhe të mos jenë më faktor vendimtar për ecurinë e vendit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në Shqipëri. Kjo paraleisht me forcimin e ligjit dhe respektimin e tij dhe të standardeve në të tëra fushat e jetës.

Kjo pra është Shqipëria dhe e tillë do mbetet ajo përderisa në vend do të ketë mbi 30% të popullsisë që jeton në kushte varfërisë të thellë, kur më shumë se 50% e të rinjve që kanë përfunduar studimet e mesme dhe të larta nuk mund të gjejnë punë, kur më shumë se 40% e popullsisë aktive dhe të aftë nga ana intelektuale kanë lënë vendin dhe kur administrata publike është e mbushur me të paaftë, arrogantë, mëndjemëdhënj, të pa trainuar, të paedukuar dhe të korruptuar, etj, ndërkohë që ministrat, e zgjedhur me kujdes nga dora e padukshme, këta ëngjëj të rremë, i bien trumpetave poshtë e përpjetë në arenën ndërkombëtare për sukeset e tyre imagjinare, kur ndërkombëtarët, njësoj si pushtuesit e mëparshëm të Shqipërisë, edhe pse e dinë fare mirë gjendjen politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri, përsëri vazhdojnë të përgëzojnë dhe mbështesin qeverisjet “shqiptare” për rezultatet dhe arritjet madhështore imagjinare, qeverisje që në fakt kanë qenë të tilla vetëm dhe vetëm me vulën e ndërkombëtarëve dhe miratimin e plotë të tyre, që prej shumë shekujsh kanë vepruar dhe ende vazhdojnë të veprojnë dhe ndikojnë me dorën e tyre të padukshme në dhe për fatet e këtij vendi dhe të popullsisë së tij.

Share: