Nostalgjia…
Kam lexuar shpoti publicistike dhe politike për ne që e duam Teatrin Kombëtar të mbrohet, duke na konsideruar si nostalgjikë.
Nuk mund të mos qesh kur këto shpoti i lexoj nga po të njëjtët njerëz që dje thurrnin lëvdime e arsyetime pakufi për vlerat e mëdha të Shtëpisë së Gjetheve dhe të Bunk’Artëve 1 dhe 2, të shndërruara në Muze me para publike.
Që të mos zgjatem në këtë vorbull agjpropi hajnash, po rendis vetëm pak mendime sa për të çliruar udhën ku dua të mbërrij me këtë arsyetim.
Shqipëria Politike dhe ajo intelektuale ka një mëkat madhor sepse në këto 27- 28 vite tranzicion, pak shumë pak ka bërë për ti larë hesapet me Diktaturën Komuniste.
Jemi vendi i vetëm që nuk i hapëm kurrë dosjet, nuk e bëmë kurrë qarkullimin e vërtetë të elitave, nuk bëmë asnjë ndëshkim të vërtetë për krime ndaj asnjë zyrtari a apratçiku mizor të Diktaturës, nuk bëmë as filma, as dokumentarë, as tekste dhe programe shkollore për ta ndarë njëherë e mirë shoqërinë shqiptare nga komunizmi. Madje mediat tona e kanë si ushqimin kryesor çdo histori rozë apo tê verdhë nga ish Blloku. Kujtesa e vetme që kanë brezat e pas ’90 për komunizmin është e ngjyrosur si ekzotike dhe e lënë në mëshirë të intepretimit sipërfaqësor.
Vetëm çerekshekulli ka kaluar dhe 18 – 25 vjeçarët e sotëm nuk kanë asnjë dijeni apo qëndrim të qartë ndarës me krimet çnjerëzore të komunizmit.
Madje ka shkuar më keq akoma kjo punë sepse Muzeun Kombëtar e kemi kryesisht për Lutfën Nacional Çlirimtare, e tej tij kemi Muze vetëm Shtëpinë e Gjetheve dhe Bunk’Artet.
Po ashtu kemi media që vetëquhen MAPO, lokale që quhen Komiteti, Byroja, e të tilla marrëzi, të cilat e sjellin komunizmin tej brezi i ri si tren, modë, seksi.
Pakica që mbjell kaq shumë harresë për komunizmin dhe krimet e tij monstruoze, e nxit kaq shumë kujtesë rozë e të verdhë për Byronë Politike dhe Sigurimin e Shtetit, sot ka pushtetin politik, mediatik dhe financiar ne vendin tonë.
Kjo Pakicë ka si axhendë të vetme mbajtjen e shoqërisë peng nëpërmjet vrasjes së kujtesës, kulturës, mendimit, lirisë dhe demokracisë.
Në këtë mënyrë kjo Pakicë e ka të lehtë që të na sundojë dhe plaçkisë pa asnjë rezistencë.
Sepse edhe atë rezistencë me të cilën ballafaqohet, në një shoqëri të kontrolluar, të penguar kulturalisht dhe me kujtesë afatshkurtër dhe të interpretuar, e ka të lehtë ta vendosë në Bllokun Negativ përmes Agjipropit.
Psh, ne që duam Teatrin Kombëtar të mbrojtur, Pakica Sunduese na etiketon si nostalgjikë. Kurse ata që bëjnë Muze, Shtëpinë e Gjetheve a Bunk’Art, i quan modernë, artistë dhe humanë.
Është e vërtetë që Bashkim Shehu e ka kritikuar fort e madje ka bërë ndarje të prerë me babain e tij Mehmet Shehu, por është po aq e vërtetë se në një shoqëri normale, ai do të ishte i ndaluar të përfitonte para publike si i biri i njërit prej figurave më mizore të Diktaturës Komuniste. Le të bëjë shkrimtarin, bohemin, mendimtarin, çtë dojë, veç të përfitojë fonde publike, nuk duhet kurrësesi. Ka disa vija e qëndrime morale që shoqëritë kur ndahen nga krimi, i bëjnë të pakalueshme.
Sepse tu thuash qytetarëve dhe artistëve se godina e Teatrit Kombëtar është kalbësirë e dëmshme dhe e panevojshme dhe si alternativë tu vendosësh hajninë që ua ribën Teatrin të ri dhe modern, dëshmon se ke vetëm axhendë sunduese dhe plaçkitëse. Kjo axhendë pi ujë vetëm në shoqëri ku nuk ka as vija e as qëndrime morale.
Përgjegjshmëria nuk është nostalgji.
Ta duash qytetin, vendin, Kombin me kujtesë, nuk është aspak nostalgji.
Po or po, e shëmtuar shumë dhe plot probleme është ajo godinë, për këtë nuk ka as dyshim e as ngurrim askush që ta thotë.
Ama, ajo godinë është e Teatrit Kombëtar.
A është godina, Teatri?
Jo. Godina është e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar është i gjithë arti që është bërë, si është bërë, që bëhet e si bëhet.
Po e prishe godinën, sigurisht që nuk prish Teatrin Kombëtar.
Me siguri prish një nga themelet e Teatrit Kombëtar, prish kujtesën e tij.
Mund ta ruash kujtesën me arkiva, celuloidë, foto, kostumografi, etj, etj. Mundet.
Sidoqoftë, pse duhet ta bëjmë ne këtë përplasje të madhe sot për kujtesën e Teatrit Kombëtar, kur godinën e kemi aty.
Arkivat, fotot, celuloidi, kostumografia mund të zhvendosen e bëhen muze edhe diku tjetër, edhe në një godinë të re, por përse kështu kur nuk ka rënë as tërmet, as zjarr, as meteor për të na e rrënuar godinën që kemi.
Është vullneti i një Pakice që kërkon ti vërë minat a rruspat godinës së Teatrit.
Kjo Pakicë po bën nje transaksion të fëlliqur financiar.
Privatit po i shet me ligj një hapësirë publike për përfitime private.
Dhe publikut dhe aktorëve po ua rrëzon godinën e kujtesës, në këmbim të një godine të re që do ta ndërtojë privati që po përfiton nga prona publike.
A nuk bëjnë tipikisht kështu ata që bëjnë mbrapshti?
A nuk shesin gjithmonë diellin për të mos u parë hija?
Të mendosh që hija e Kullave aty tek Teatri ka për të qenë fort e gjatë dhe e rëndë mbi godinën e re të ofruar nga PPP…
Godina si Kujtesë, Teatri si sfidë…
Beteja për Teatrin Kombëtar e ka një vlerë të çmuar, sepse ata njerëz që e duan atë godinë po bëjnë qëndresë për Kujtesën.
Dështuam si shoqëri ta ndërtojmë kujtesën e dhimbjes dhe vuajtjeve prej krimeve të komunizmit.
Së paku jemi në kohë tani, në këto ditë, në këtë betejë për Teatrin Kombëtar, që të mbrojmë kujtesën e artit që kemi bërë, ashtu si e kemi bërë, kur e kemi bërë.
Dy sfida ka qëndresa për Teatrin.
Sfida për mbrojtjen e godinës pra të objektit të kujtesës.
Dhe sfida për gjetjen e parave, financimit për një Teatër të ri modern dhe plot prestigj.
Ku ndahemi ne nga Pakica Sunduese?
Pikërisht sepse ne transaksionin e kemi moral dhe për publikun.
Ne duam që edhe godina të mbrohet edhe Teatri i ri të bëhet.
E nëse ne duam që godina të mbrohet dhe Teatri i ri të ndërtohet si e mirë, prestigj dhe sfide e frymëzim i publikut, ata duan që godinën ta rrënojnë, publike ta shesin dhe Teatrin e ri ta ngrenë si objekt nën hijen e në bahçnë e Kullave me një allishverish plotësisht privat në kurriz të publikes.
Qëndresa për Teatrin si Mendim.
Pakica ka axhendë. Pakica do të vjedhë publiken e të përfitojë privaten.
Pakica do që të vjedhë pronën publike për të ndërtuar Kulla për përfitim privat.
Pakica do që edhe Teatrin e ri ta ndërtojë si fryt i allishverishit privat aty mbi rrënojat e të vjetrit, sepse duan që godina e re të mbetet aty si monument i kujtesës arkitekturore për emrat e tyre privatë.
Pra duan të bëjnë para, të vjedhin, të rrënojnë kujtesën, të na zhbëjnë prestigjin dhe kombëtaren, e të na kultizojnë poshtërimin duke e bërë teatrin e ri si monument të Çizmes dhe veprës së tyre grabitqare.
Andaj them se qëndresa për Teatrin kërkon mendim për tu kuptuar.
Të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe janë në krah të qëndresës për Teatrin janë thelbësisht mendimtarë dhe njerëz që e duan këtë vend me prestigj dhe kombëtar.
Të duash kujtesën, mendimin, prestigjin dhe kombëtaren, mund të dukesh prapanik në kohët kur shpirti i përfitimit dhe paraja janë Zotërit e Kohës.
Gjithësesi, fakti që edhe ata që kishin heshtur u lehtësuan kur Ligji u kthye mbrapsht nga Presidenti, tregon se Qëndresa për Teatrin ka fituar zemrat e Shumicës së shqiptarëve.
Ndoshta ka ardhur koha që kjo qëndresë për Teatrin të vetëdijësohet se 40 ditët e “shkretëtirës” që ka fituar si kohë reflektimi dhe përpjekje pajtimi e paqtimi mes të gjithëve që kanë qenë në nisje në të njëjtat valë.
Askush nuk është i tepërt, askush nuk është tradhëtar.
Duhet vetëm arsyetuar qëndresa si frymëzim publik dhe i shumicës së shqiptarëve për Prestigjin dhe Kombëtaren.
Nuk ka as Prestigj e as Kombëtate tek Monumenti i Allishverishit Privat. Ka vetëm përdhunë, poshtërim dhe Diktaturë të Faktit të Kryer.
Artistët të bashkohen për të mbrojtur Kujtesën, Prestigjin dhe Kombëtaren.
Ne qytetarët, shumica e shqiptarëve të ngrihemi me frymëzim në krah të tyre për tu siguruar mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjen e një Teatri të ri.
Ne jemi Shumica. Ne mund tia dalim.
Arian Galdini