Home KRYESORE Shërbimi Informativ i Shtetit i shqetesuar per informacione qe publikohen ne emer...

Shërbimi Informativ i Shtetit i shqetesuar per informacione qe publikohen ne emer te instititucionit

Shërbimi Informativ i Shtetit shpreh shqetësimin e thellë për rastet e përsëritura të
pasqyrimit në media të informacioneve apo të dhënave që pretendohet se u referohen
dokumenteve të hartuara nga SHISH-i ndër vite.
SHISH-i i bën me dije opinionit publik se nuk ka asnjë koment specifik për autenticitetin e dokumenteve të pretenduar të inteligjencës.

Megjithatë SHISH-i nënvizon me forcë se përdorimi i emrit të Shërbimit dhe referimi
për format e metodat e punës së tij, me synimin për të siguruar besueshmëri të shtuar të
deklaratave apo akuzave në media dhe opinionin publik, sjellin një cënim të ndjeshëm të aktivitetit të komunitetit të inteligjencës. Ato rrezikojnë të ndikojnë aftësinë e Shërbimit
Informativ për garantimin e sigurisë kombëtare.

Shërbimi Informativ i Shtetit vlerëson se çdo shkelje në administrimin e informacionit
të klasifikuar, kudo ku ajo ndodh, mund të dëmtojë rëndë punën dhe të ekspozojë
punonjësit e Shërbimit përballë rreziqeve të paparashikuara.

Shërbimi Informativ i Shtetit thekson se ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë
parimet bazë të punës së tij. Në këtë kuadër, SHISH-i mbetet i angazhuar të zbatojë me
rreptësi procedurat dhe rregullat ligjore gjatë prodhimit, qarkullimit, administrimit,
shfrytëzimit, transportimit, transferimit, arkivimit, shumëfishimit, riprodhimit e
asgjësimit të informacionit “sekret shtetëror” të çdo lloji.

SHISH-i sjell në vëmendje se, në bazë të ligjit, është organ informativ dhe nuk kryen
veprimtari të karakterit ushtarak ose policor, por në funksion të sigurimit kombëtar
informon institucionet e larta shtetërore e bashkëpunon me agjenci informative e
institucione shtetërore brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë kuadër, SHISH-i do të vazhdojë bashkëpunimin me organet ligjzbatuese, me
qëllim mbrojtjen e sigurisë së veprimtarisë së vet, metodave dhe burimeve të informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara.

Share: