Home Gjeo-Ekonomia A po varfërohen shqiptarët? Edi Rama vs Grida Duma

A po varfërohen shqiptarët? Edi Rama vs Grida Duma

Kryeministri Edi Rama mendon se vendi po njeh zhvillim ekonomik dhe këtë e ilustroi sot me një raport të “S-P Global”.
“S’ka nevojë për komente, me këtë raport të agjencisë globale të vlerësimit financiar S&P, e cila ka konfirmuar ecurinë pozitive të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama në facebook, teksa rendit disa gjetje të këtij raporti.

“Shqipëria pritet të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ka pak gjasa të pësojë çbalancime fiskale ose të jashtme, gjatë tre a katër viteve të ardhshme.

Performanca fiskale e vendit është përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit, mbёshtetur nga rritja e qëndrueshme ekonomike dhe nga një kuadёr fiskal i pёrmirёsuar, i cili tani përfshin edhe një frenim të formalizuar tё defiçitit (Ligji Organik Buxhetor).

S&P njeh përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar ekonominë informale, për të arritur statusin e kandidatit formal për pranimin në BE.

S&P parashikon që ecuria fiskale e Shqipërisë të mbetet pozitive deri në vitin 2021 dhe më e mirë se vendet me vlerësim të ngjashëm. Kjo si rezultat i pritshmërive pozitive të rritjes ekonomike dhe kontrollit të defiçitit buxhetor nga qeveria”, shkruan Rama.

Edhe pse Rama kërkoi të mos ketë komente, Grida Duma nga selia e PD, reagoi ashpër. Ajo nuk citoi raportin që serviri Rama, por iu referua një tjetër matësi: Eurobarometrit. Duma tha se tre problemet më të mëdha për shqiptarët janë ekonomia, papunësia dhe korrupsioni.

Deklarata e plotë

“Eurobarometri i 2018 për Shqipërinë, fakton që 1 milion 750 mijë shqiptarë deklarojnë që gjendja e tyre ekonomike është plotësisht e keqe.

Vetëm në një vit, pra midis 2017 dhe 2018, janë shtuar 245 mijë shqiptarë më shumë, që deklarojnë se gjendja e tyre ekonomike është shumë e keqe.

Po ashtu Eurobarometri tregon se për 67% të shqiptarëve papunësia është problemi më i madh i tyre.

Në një vit të vetëm janë 315 mijë shqiptarë që e deklarojnë gjendjen e tyre shumë më keq.

Këto nuk janë shifra, por jetë njerëzish që përkeqësohen, jo në dhjetë e njëqind, por me qindra mijëra.

Një tjetër raport i rëndësishëm, Barometri për Ballkanin shpjegon jo vetëm në shifra përkeqësimin e gjendjes, por tregon si shifrat pasqyrojnë mjerimin jetesën e keqe, varfërimin social e mendor.

Barometri Ballkanik tregon se kriza ekonomike, korrupsioni dhe e papunësia e lartë po rrënon jetët e shqiptarëve.

51% e shqiptarëve deklarojnë se janë të përjashtuar nga shoqëria se nuk gjejnë dot punë.

48% e shqiptarëve deklarojnë që problemin më të madh me korrupsionin e kanë në shëndetësi, spitale dhe ilaçe

85% e shqiptarëve besojnë që gjithë pasuria e vendit i ka shkuar pak të pasurve dhe që diferenca mes të pasurve dhe të varfërve është rritur dhjetëra herë brenda një viti.

Është e qartë që me këtë model qeverisje ku favorizohet oligarku, personat e lidhur me qeverinë dhe ku i afti bëhet më i pamundur dhe i varfri më i varfër, të vërtetat që i dinë të gjithë shqiptarët për Shqipërinë i fakton dhe Bashkimi Europian.

Por shqiptarët fatmirësisht vijojnë të besojnë se hyrja në BE është zgjidhja. Madje besimi se BE është shpëtimi është rritur me 2% brenda një viti, dhe 90% e shqiptarëve kanë këtë qëndrim.

Për shqiptarët me këtë qeverisje nuk ka shpresë; nuk ka shpresë nëse vijon rilindja e dështimeve.

Është jetike të ndalojmë qeverisjen kundër njerëzve, kundër mirëqenies.

Është jetike një tjetër qeverisje, përndryshe rrezikojmë të ndodhë skenari më i keq për shqiptarët, ai që parashikon BERZH.

Në këtë skenar, theksohet se nëse vazhdohet me këto shifra në rënie, shqiptarët do të arrijnë mesataren europiane në vitin 2220.

Është jetike të ndalojmë qeverisjen kundër shqiptarëve, kundër mirëqenies që shtyn të ardhmen me qindra vite”, shprehet Grida Duma.

/Opinion.al

Share: