Nga Namik Selmani
Sa herë që vinte në kalanë e Petralbës, ku ai kishte lënë për disa kohë edhe Donikën gruan e tij, Skënderbeu iu thoshte miqve të tij se lumturohej si në asnjë vend tjetër. E gëzonte pamja magjike që i dilte para sysh. Lumi që dukej nga kreshta e kalasë deri larg i dukej si fjongo e blertë që qarkonte mbarë Luginën. Shpatet që binin butë në luginë ishin të mbushura me pemë e me lisa. Mes tyre livadhet kishin shumë bar që ushqenin bagëti të imta pa numër. Nuk të lodheshin sytë sikur të rrije edhe mjaft kohë aty si ndodh shpesh me malet e zhveshura ku edhe një zog i vogël nuk ka ku të gjejë qoftë dhe një gjethe dhe një degë të vogël ku të ulet. ku të bënte një fole. Jo, aty kënga e zogjve ishte në të gjithë stinët si një kor hyjnor. Maja e malit ku ishte kalaja shkonte gati deri në 1000 metra e ishte një lloj ballkoni për luginën. Që në ato vite populli i fshatrave ia kishte vënë kësaj kalaje emrin Kalaja e Skënderbut. Ai vinte shumë herë këtu. Ndryshe e quanin dhe Kalaja e Gurit të Bardhë. Edhe fshati që ishte aty kështu quhej. Deri vonë studiuesit e folklorit të zonës këngëtarë, shkrimtarë, eseistë e, sidomos etnografisë, e thonë me plot gojë se kostumet e grave të Gurit të Bardhë ishin dhe janë krejt të veçanta nga Lugina.. O, sa bardhësi që kishte aty! Bardhësi zemrash dhe befati sofrash. Bardhësi bore dhe bardhësi odash. I vetmi zanat, nëse do ta quaja kështu, që nuk ekzostonte ishte ai i pajtimtarit. Ishte e vështirë që të gjeje hasmëri në atë vatër malesh. Po kishte shumë dasma, shumë fëmijë. Sofrat e Gurit të Bardhë, të fshatit Fshat, poshtë në Klos e në mjaft fshatra të tjerë që rrinin si mollët, bajamet e arrat në prehërin e një nëne, të një gjysheje, përherë i kishin plot stallat me bagëti, sofrat me begati e djepet me fëmijë.
Ishin këto sofra që ushqenin dhe ushtarët e Skënderbeut. Ushqenin odat me fëmijë që mbushnin më vonë radhët e ushtrisë së Skënderbeut me djem e burra të fortë e kaq shumë trima në të gjithë betejat vështira që bënte ai me osmanët. O, sa mirësi që të jepte ai diell që e hidhte të parën rreze pikërisht aty te porta e asaj kalaje, e atij fshati. Lindja e diellit përherë ka patur edhe legjendat e saj në trojet tanë stërgjyshorë. Edhe Presheva ka një legjendë me këtë lindje rrezesh. Pushtuesit nuk dinin se si të futeshin në kalanë e Preshevës. Kishin patur shumë humbje nga trimat e saj Pas shumë mundimesh, gjetën një plakë të vjetër dhe ia gjetën anën që ta merrnin këtë mister nga goja e saj. Ajo ia kishte thënë se porta e saj është bash në atë vend ku bie rrezja e parë e diellit që lindëte pas maleve. E të gjithë malësorët që e kishin lidhur jetën me këto gryka, male, kroje, gurë kalaje me këto kulla që ishin disa kala në miniature, e kishin shumë më të madhe shpresën e jetës. E kishin edhe dashurinë për këtë tokë, mbase më të madhe se në çdo vis tjetër të krahinave të tjera Po për ta thënë edhe më thjesht, edhe zoti e ishte bekuar këtë vend me bujari. Mollët, kumbullat e sidomos rrushi, rrrinin deri vonë në degët e pemëve në fshatin Fshat që ishte vetëm disa qindra metra larg Kalasë së Skënderbeut.
Po mjalti! Ah, mjalti i luleve të shpateve të kësaj lugine bë nte mund të mburrej çdo fshat në Shqipëri. Me rrushin e Gurit të Bardhë mund të mburrej çdo vatër me verën e saj. Fshati Fshat dikur kishte pasur emrin Alba. E si thotë legjenda e zones, do ketë qenë edhe një pjesë e qytetërimit e të rrënjëve të shqiptarëve.. Atje kalonin mbi kuaj karvanët e tregtarëve, karvanët e nuseve për rrugët e largëta për të shkuar edhe në fushë. Atje përherë kishte djem që shikonin deri larg nëse një ditë pushtuesit do të vinin me dallgët e lukunive të tyre të egra. Po të gjithë fshatarët njëri më besnik se tjetri ndaj Skënderbeut gëzoheshin se kishin mes tyre për kohë të tëra edhe Skënderbeun që nuk quhej kurrë mik, por si një njeri i shtëpisë
Të gjithë betoheshin se një ditë edhe Gjoni i vogël djali i Skënderbeut këtu i kishte nxjerrë të qarat e para. Në këtë majë Petralbe, thonin se Skënderbeu kishte falur Mosiun nga gabimi e faji ta themi.
E të gjitha këto nuk do të kishin kurorën e tyre pa atë, Destanin nga fshati Fshat. Ndryshe i thonin dhe Destani i Petralbës. Kur kishte ardhur një ditë Skënderbeu ua kishin treguar historinë e ai e kishte thirrur në kala, jo për t’ia treguar, po edhe për t’ia shtrënguar pak dorën si burri burrit, si trimi trimit, si shqiptari shqiptarit. E kishte nisur luftën herët, shumë më herët se të gjitha ata burra malësorë që shkonin sa herë që i thërriste Komandanti.
I gjithë fshati e, më vonë e mbarë krahina nuk e harronte atë histori të bukur dhe rrënqethëse që kishte kaluar Destani. Që kishte bërë të shtrëngonin nofullën nga dhimbja, të flladisnin gjokset nga krenaria. Pse jo, edhe të skuqeshin të gjithë para “provimit“ që kishte kaluar ai për të shkuar në betejë . Babai i tij, Marashi, kishte kohë i sëmurë nga plagët e luftës. Një ditë çeta e luftëtarëve ishte mbledhur në një livadh të fshatit. Ishte pranverë nga ato stinë që këtu e bëjnë Luginën të të dehë . Dhe të gjithë e dimë se ç’do të thotë të dehesh nga aroma nga lulet, nga bari, nga qengjt që ecnin as nënave-dele.
Ishte një rregull i pashkruar që në prag të një beteje që do të bënin ceta do të bënte një lloj prove. Në atë livadh që quhej Livadhi i Vashës ishin gati 20 e ca burra, djem që prisnin sy më sy kapadan Bejkon . Të gjithë kishin nga një shpatë. Me këtë shpatë do të qëllonin fort në një degë e me forcën e tyre do të provonin sa të fortë ishin. Në fund të saj do të provonin edhe dorën në një shkëmb në një lloj gare ose loje “Thyerja e krahut.” Kaloi një nga një djemtë dhe burrat kapedani dhe, në fund të rreshtit, pa një djalë . Nuk e dinte se kush ishte dhe sa vjeç ishte. Fytyra e tij ishte e butë, e kuqëluar. Mosha që kishte kapedani e lejonte që t’i drejtohej me fjalën “bir”, po, në çast e ndërroi mendimin. Ai kishte hyrë në rreshtin e burrave që, për rastësi, që të gjithë kishin mustaqe. Të vogla e të mëdha, të dredhura a jo..Dikujt edhe i ishin zbardhur pak.
-C’kërkon këtu, more djalë?!!
-Unë do të vij në luftë me ju, kapedan?
Fytyra e kapedanit dhe e të gjithë atyre që ishin rreshtuar në Livadhin e Vashave mori një trajtë habie.
-I kujt je ti, more bir, – i foli kapedani që ta zbuste pak heshtjen që u vendos atje ku vetëm zogjtë vazhdonin të cicërinin.
– Unë jam djali i Marashit, – iu drejtua me një qëndrim prej një djali që sapo kishte hedhur lesën e burrërisë.-Babai është i sëmurë e më tha që të vija në vend të tij.
Nuk foli më. Nuk kishte se çfarë pyetje t’i bënte këtij djali që, më vonë iu tha se e quanin Destan. E njihte mirë Marashin dhe Destani sikur ia solli në mendje gjithë trimëritë e tij
Ç’të bënte kapedani? Kishte marrë pjesë në sa e sa luftra, po atë çast u djersit pak. A thua se gara do të niste nga vetë kapedani? E gjeti mjaft të vështirë që të merrte një vendim para këtij djali që nuk ishte më shumë se 13-14 vjeç./
Po edhe këtu forca e luftëtarit u bashkua me forcën e urtisë së tij. Të maturisë. Edhe kapedani njihej nga të gjithë si burrë i fortë, por edhe i mençur. Bëri disa hapa prapa pa ia kthyer kurrizin Destanit nga Petralba dhe u vu gati në mes të rreshtit të gjatë .
-Burra, ju e dini se para çdo beteje, do të bëjmë një garë, një provë . Sot do ta ndryshojmë provën, ashtu si nuk e keni bërë kurrrë më parë . Nxorri ngadalë nga xhepi një krëhër nga ata të bririt dhe u tha:
-Ju do të merrni këtë krëhër dhe do ta vini në mustaqe. Atij që do t’i mbetet krëhëri në mustaqe, do të vijë në luftë . Nuk tha që atij që nuk do i mbetet në mustaqe nuk do të vinte, po të gjithë e kuptuan mençurinë e kapedanit. E gjithë kjo provë kishte në sy Destanin. Atë, të parriturin. Destanit po i vihej prova më e madhe. Destani nuk foli. Fare mirë edhe mund të thoshte pa u vënë në garë se ai nuk kishte mustaqe. Por ai heshti. Një lloj si atë çast kur i njohu burrat me veten dhe një soj si atë çast kur pranoi garën, ndoshta të humbur pa e filluar.
Eh, krëhëri! Të gjithë kishin nga një krëhër në një vend të veçantë . Ata burra kur niseshin nga shtëpia, i rregullonin para grave mbase për t’u dukur më të bukur, më të fortë. E ishte gjëja më e thjeshtë kjo garë për ta. E kaluan njëri pas tjetrit krëhërin dhe të qetë ndërronin duart. Nuk flisnin shumë. Ishte koha e garës, qoftë kjo edhe me një krëhër prej briri që ndërronte mustaqet e secilit. Secili që kalonte provën merrte nga Kapedani fjalën “Po, do të vish!” Luftëtari i fundit, Kreshniku, me një dorë paksa të dridhur, ia kaloi në duar Destanit. Destanit, djalit të parritur. Destanit që jo mustaqe, por nuk kishte as dhe një qime në fytyrën e tij të bardhë . Destanit, djalit të Marashit që i ishin kë nduar sa e sa këngë . Destanit, që kishte veshur një këmishë të bardhë që dukej se ishte veshur për herë të parë. Mbase si një dhëndërr lufte. Që kishte vënë dhe një plis të bardhë si maja e Dejës. Si maja e Tomorit që shumë nga këta burra nuk e kishin parë ndonjëherë në jetë. Si maja e Sharrit në Kosovë . Si Mëllëzi në Çamëri. Si maja e Korabit që nuk ishte dhe aq larg tyre.
…Heshtje. Një heshtje kureshtare paksa tronditëse. Një heshtje në pamje të parë fitimtare për kapedanin dhe për ata burra. Destani e mori krëhërin dhe ngadalë e ngriti në duar. E nguli fort, fort, në atë vend ku duhet të ishin mustaqet. Mbi buzët e tij që ishin po kaq të buta nisi gjaku. Krë hë ri e kishte gjetur shpejt rrugën.. E nguli fort shumë fort që ai të mos binte në tokë, por të mbetej atje në trup. Dhe dhëmbët e fortë të krëhërit të bririt e gjetën lehtë vendin e tyre jo te mustaqet, se ato as që ishin në atë trup, Buza, mjekrra menjëherë nisi të mbulohet me gjakun e kuq. Një gjak djaloshi. Gjaku mori rrugën e pastaj nisi që të spërkaste këmishën e tij.
Ç’po ndodhte????!! Të gjithë, herë shihnin kapedan Bejkon, herë shihnin me gjysëm syri Destanin. Kapedani e shkoi vetëm ai e dinte se dhimbje ndjeju brenda vetes. Në këtë moshë edhe ai kishte në shtëpi një djalë që ia kishte vënë emrin Arbër. Edhe shumë nga ata burra kishin djem. Atij i takonte që të vendoste. Gjaku kishte nisur rrjedhën në fytyrë të djalit.
Ai nuk bënte as gëk. As fliste, as psherëtinte. U afrua ngadalë tani ishte e qartë se prova kishte kaluar. Ia hoqi krëhërin nga vendi ku duhet të ishin mustaqet e Destanit.
Po, po, Destani nga Petralba e kishte fituar provën me guxim, me mençuri, dhe me gjak. Po, gjaku i betejës së ardhshme kishte nisur që të derdhej që në barin e Livadhit të Vashës nga trupi i luftëtarit më të ri E puthi ngadalë në ballë dhe i tha me një fytyrë të ngrohtë, me një dhimbje që e kishte kapluar brenda thellë vetes : “Po ti do të vish!
Pastaj u tha shokëve:
-Burra, këto ditë kam nxjerrë mjaltin e ri. Do ta provojmë së bashku.
U nisën. Në krah kishte Destanin nga Petralba. Kur shkuan e ulën në odën e kullës dhe zonja i solli mjaltin me hojet, kapedani tha:
– Sot mjaltin e pare do ta provojë Destani.
Të gjithë e aprovuan me kokë vendimin e kapedanit. Po ai kishte shumë të drejtë edhe ata po të ishin në vendin e tij atë do të bënin. Destanit nga Petralba i takonte ky nderim.
…..Pranvera kishte ardhur më shpejt e lulet kishin shpërthyer kudo deri larg në Gur të Bardhë. Këtej e tutje u shtua edhe një ushtar i ri. Pas disa ditësh kapedani Bejko ia kishte rrëfyer Skënderbut të gjithë historinë. Ishte një lajm që ngjante me një fitore beteje.
Skënderbeu e njihte mirë Marashin, po tashmë po njihte dhe djalin e tij të më te mencur e të fortë Destanin, Sa bukur që po rritej një “: “Marash” shumë më i fortë se ai! Po, Shqipëria do të bëhej, tha me vete, se kishte djem që e donin kaq shumë atë, që sakrifikonin kaq shumë atë .