Ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazo, thotë se ndërtimi i bazës ushtarake të NATO-s në Kuçovë tregon se Shqipëria është në gjendje të prodhojë siguri dhe stabilitet.
Në një intervistë në studion e lajmeve të TemA TV, në lidhje me bazën ajrore që NATO do të ndërtojë në partneritet me qeverinë shqiptare, Bazo u shpreh se ky është një hap që tregon maturinë e Shqipërisë 10 vjet pas anëtarësimit në Paktin e Atlantikut Verior.
“Një bazë taktike ajrore është një siguri e shtuar, një element ekstra për të projektuar siguri. Është një maturi e shtuar e Republikës së Shqipërisë, anëtare e NATO-s prej 10 vitesh. Vendimi i fundit tregon se ne e kemi arritur këtë fazë maturie, jemi në gjendje të prodhojmë siguri e stabilitet”, tha Bazo.
Sipas tij, përzgjedhja e Kuçovës për ndërtimin e bazës ajrore nuk ka qenë një vendim i marrë në pak kohë.
“Nuk mund të themi që është vendim i marrë flakë për flakë. Është detyrimi i vendeve për t’i ofruar NATO-s infrastrukturën që kanë. Ia vlen të investohet dhe të mbështeten me fondet e përbashkëta.
Baza ajrore e Kuçovës si bazë e vjetër, gjurmët e para i ka para Luftës së Dytë Botërore. Është e mirëvendosur, plotëson kushtet për të qenë pistë uljeje, nisjeje, pritjeje, furnizimi etj”, tha Bazo.
Ish-shefi i Shtabit të FA-ve tha se Kuçova ka qenë prej kohësh në listën e vendeve që i janë ofruar NATO-s për ndërtimin e infrastrukturës së saj ushtarake, kjo për shkak të kushteve të përshtatshme të zonës.
“Ne jemi anëtarë të NATO. Nuk po bëhet gjë tjetër veçse po rigjenerohet një infrastrukturë ekzistuese e një vendi anëtar. Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm për ta ofruar infrastrukturën.
Kjo është vendimmarrje e përbashkët, i është ofruar aleancës në listën e shumë vendeve të tjera.
Janë pjekur kushtet që aleanca ta pranojë. Një bazë e tillë projekton siguri në rajon e më gjerë. Gjithkush e mirëpret një bazë të NATO-s. Kemi Gjermaninë kampione për bazat e NATO-s”, tha ai.
360grade.al