Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, mori pjesë në një takim të organizuar nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit “Aldo Moro” të Barit, ku u diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe ecuria e deritanishme e Programit të financuar nga BE-ja “Interreg IPA CBC Itali-Shqipëri-Mali i Zi”.
Gjatë fjalës së tij z.Balla ka theksuar nevojën e forcimin e mëtejshëm ekonomik mes dy vendeve, e veçanërisht me rajonin e Pulias.
Ndërkohë gjatë një intervistë dhënë në edicionin qendror të lajmeve të “TeleBari”, kryetari i grupit kuvendor socialist ka vlerësuar maksimalisht mbështetjen e qeverisë italiane në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.
“Dua të theksoj se në planin institucional, qeveria e re italiane ka mbajtur po atë qëndrim të mbështetjes së vendeve të Ballkanit, por veçanërisht Shqipërisë, në rrugën e saj drejt Integrimit Europian. Edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Europian, Ministri i Jashtëm, por e gjithë qeveria ka luajtur një rol mbështetës. Unë jam i bindur se roli mbrojtës që Italia gjithnjë i ka bërë Shqipërisë do të mbetet i njëjti, por mbetem i mendimit se mund të gjejmë mundësi të tjera bashkëpunimi, të pa shfrytëzuara akoma deri tani. Një bashkëpunim që nuk është vetëm përmes strukturave të mëdha Europiane si Projektet IPA, por duhet të gjejmë edhe mundësi të tjera. Unë i kthehem gjithmonë mundësive që ofron Shqipëria për bizneset italiane të vogla dhe të mesme. Ka mundësi shumë të mira për të zhvilluar këto biznese në Shqipëri duke bërë të njëjtat investime, por në një vend më afër i cili është vetëm pak orë distancë me target”,- u shpreh Balla.
Më tej ai është ndalur në nevojën e rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, duke u përshtatur me tendencat e zhvillimeve rajonale dhe globale. “Këtë shtator është Fiera Del Levante dhe ne duhet të rimarrim disa projekte për zhvillimin e përbashkët, pasi si për Shqipërinë ashtu edhe për Malin e Zi dhe Maqedoninë, hyrja kryesore drejt Europës është Porti i Barit, është Puglia. Për Pulian, për Italinë Porti i Durrësit është një portë e rëndësishme drejt “Korridorit 8”. Dhjetë – pesëmbëdhjetë vite më parë vija këtu për të biseduar dhe bashkëpunuar për zhvillimin e “Korridorit 8”. Në këtë moment ju e dini më mirë se unë që flitet shumë për projektet INTEREG IPA mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi dhe këtu ka shumë hapësira për t’u shfytëzuar. Kanë kaluar 4 vite tashmë që nga viti 2014 kur ky projekt ka filluar. Bëhet fjalë për një shumë prej 92 milionë eurosh dhe pas 4 vitesh ne konstatojmë që jo të gjitha mundësitë e dhëna janë shfrytëzuar siç duhet nga palët. Them këtë pasi Italia është përfaqësuar në këtë projekt përmes Rajonit të Puglia-s dhe asaj të Molise dhe në këtë rast Pugla ka rolin kryesor drejtues në këtë projekt mes tre vendeve. Italia është aktorja kryesore, si anëtare e Bashkimit Europian dhe më pas vijnë dy vendet e tjera të vogla që janë rrugës, drejt Integrimit Europian”, u shpreh Balla.