Nga Eglantina Alliaj
“Udhëto dhe lexo”, 45 shtëpi botuese sollën për pushuesit botimet e tyre më të mira
Ulqini, një qytet bregdetar me rreth 20 mijë banorë mirëpriti këtë gusht botuesit, gazetarët dhe dashamirësit e librit. Në panairin e 18 të Librit, të mbajtur në këtë qytet, rreth 45 shtëpi botuese, nga Ulqini, Tirana, Shkodra, Podgorica, Prishtina, Shkupi, Tetova e Gostivari kanë prezantuar titujt e rinj dhe botimet e tyre më të mira. Një panair që bashkoi botues dhe pushues, duke treguar që arti dhe kultura, janë jo vetëm ura lidhëse mes popujve, por edhe mjet për promovimin e tyre. Në moton “Udhëto dhe lexo, 7 ditë në Ulqin me Librin pranë detit”,”, nga data 3 deri në 8 gusht, në shëtitoren e Plazhit të Vogël, u bënë bashkë botuesit, lexuesit dhe pushuesit, në eventin që i jep dritë këtij qyteti që prej vitit 2001. Irena Toçi, drejtuese e Institutit të Librit dhe Promocionit, si një nga bashkëorganizatorët e këtij panairi që në fillimet e tij 18 vite më parë u shpreh se ka qenë vizioni i drejtuesve që bënë që fjala Shqip dhe ajo malazeze të jenë të barabartë, pikërisht falë këtij panairi.
“Është pikërisht periudha më e frekuentuar, ky qyteti gati 100-fishohet me banorë. Është e pamundur të mos ketë risi, sepse të gjithë botuesit janë gjatë gjithë vitit në garë për të sjellë libra të rinj. Kështu që çdo vit kur vijmë në Panairin e Librit, në Ulqin, në sjellim produktet tona të reja, të një viti, që nuk janë të pakta. Ju e shikoni që këtu ka shumë pushues. Të gjithë botuesit që marrin pjesë në këtë panair, janë nga botuesit më të njohur të rajonit, janë botues që nuk i janë ndarë kurrë këtij aktiviteti, dhe që vijnë me një dëshirë dhe pasion gjithmonë konstant dhe frekuentojnë si panairin, ashtu edhe qytetin e Ulqinit, ku duhet thënë, ne kombinojmë shumë mirë pushimin me punën”, shprehet Irena Toçi, botuese dhe organizatore e panairit.
I pranishëm në këtë takim, ministri i Kulturës i Malit të Zi, Aleksandër Bogdanoviç tha se të tilla nisma i shërbejnë shtimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes dy vendeve, në art, kulturë e turizëm.
Ndërsa kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Ndrekiç vlerësoi Panairin e Librit si një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore që mbahen aty.
“Qyteti ynë i lashtë bëhet pikë takimi ndërmjet kulturave dhe nxitës i lidhjeve të paqes dhe ato përmes kulturës e artit. Fuqia që sjell libri është dija, bashkëpunimi, kultura dhe toleranca”, tha Loro Nrekiç.
Për kreun e Shoqatës së Intelektualëve të Ulqinit, Ismet Kallaba, ky panair është një mundësi ku autorët shqiptarë në Mal të Zi mund të promovohen. “Panairi i Librit në Ulqin është një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme në këtë qytet, sidomos sa i përket sezonit veror, dhe ndikon edhe në begatimin e ofertës turistike, sikurse dhe në përmirësimin e imazhit kulturor të Ulqinit në përgjithësi”, tha Ismet Kallaba.
Është traditë e Panairit të Librit në Ulqin që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Këtë vit, në ceremoniënë e hapjes së këtij panairi nderuan me praninë dhe fjalën e tyre shkrimtari dhe ish-politikani i njohur shqiptar, z. Namik Dokle, si dhe shkrimtari dhe ish-ministri i Kulturës së Malit të Zi, Pavle Goranoviç.
Letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj, por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, albume e katalogë gjithfarësh etj, o ofrua për lexuesit ulqinakë dhe pushuesit. miqtë e librit do të mund të shijojnë takimet e veçanta të programuara me shkrimtarë, përkthyes dhe përfaqësues të shtëpive botuese që bashkë ndajnë zhvillimet kulturore së bashku. Panairi i 18 i librit në Ulqin u organizua nga Qëndra Kulturore Ulqin, Inistituti i Librit dhe Promocionit në Tiranë, Organizata Turistike e Ulqinit dhe nën kujdesin Komunës Ulqin.
“Vajzat e mjegullës” të Namik Dokles promovohet në Ulqin
Një mbrëmje kushtuar botimeve të shkrimtarit dhe ish politikanit, Namik Dokle, u mbajt në kalanë e Ulqinit, në edicionin e 18-të të Panairit të Librit. Te “Vajzat e mjegullës”, Dokle flet për vendlindjen, Goren.
“Kam qenë politikan, por duke shkruar këto libra mallkoj faktin që kam humbur shumë kohë në politikë”, shprehet ish deputeti, Namik Dokle. “Letërsia dhe politika janë shumë xheloze ndaj njëra-tjetrës. Ose do merresh me njërën, ose me tjetrën. Më thanë: “Me se do merresh?” U thashë se do të merresha me një kopësht, që quhet letërsi. Unë kam dashur të shkruaj për rezistencën shpirtërore të njerëzve, as rezistencë politike, as rezistencë fizike, por për atë shpirtërore, për të ruajtur atë pasuri shpirtërore që njerëzit e kanë”, shprehet Dokle. Në mbrëmjen kushtuar edhe botimeve të tjera të tij, ishin të pranishëm botuesja Irena Toçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi dhe lexues e dashamirës të librit.
“Mënyra se si ky roman është shkruar, forma e tij dhe modernizmi me të cilin ai ka sjellë për ne fabulën që trajton ky roman. Kjo ndihet në çdo faqe të librit të Namik Dokles. Ndihet fakti që ata janë goran, janë një popull i tillë, që janë sa shqiptarë, aq edhe vetvetja. Në këtë libër, ndihet vazhdimisht linja e nostalgjisë për vendlindjen, e shkrimtarit Namik Dokle”, thotë botuesja Irena Toçi.
“Vajzat e mjegullës” është romani i një dashurie të madhe, ku vërshojnë ndjesitë e dashurive ekzistenciale, si ajo për jetën, vendlindjen, njerëzit, gjuhën, apo zakonet, mitet e legjendat ende të gjalla. Përmes një stili gjuhësor të veçantë, Dokle sjell situata dhe vemde që nxisin përfytyrimin e lexuesit.
Vizion.com.al