Home KRYESORE Km-ja i plotfuqishëm, si një sulltan i madhërishëm… Nga Artur Zheji

Km-ja i plotfuqishëm, si një sulltan i madhërishëm… Nga Artur Zheji

Përpara se Ay, të niset për diku, për një vizitë apo për një rrugëtim, Garda e Republikës, lajmëron qëndrat e policisë që janë në trajektoren e rrugës së tij.

Policia lajmëron Rrugoren dhe komunat dhe bashkitë aty ku kalon rruga e Km-së dhe eskortës së tij me të paktën 8-9 makina.

Qëndrat policore brofin në këmbë dhe krijojnë një kordon të rreptë kontrollesh dhe parkojnë makinat apo motorrët e tyre, në çdo kënd dhe në çdo kthesë, mbajnë shënim targat e makinave të “dyshimta” dhe tregojnë një zell të mbrapshtë disiplinor, edhe nëse 5 minuta para lajmërimit, ishin duke ngrënë fara, apo duke punuar si privat diku tjetër, për të rrumbullakosur rrogën.

Se për fat Vettingu në Polici, u harrua dhe makinat e të vërtetës, nuk erdhën dot nga jashtë shtetit, se ka krizë buxheti.

Por gaztorët më të mëdhenj, janë dhe bëhen, pushtetarët lokalë, pavarsisht ngjyrave partiake.

Ata hedhin në sulm, të gjithë zorzopërinë e qyqarëve që mbajnë në punë, nga mirëmbajtja e rrugëve, te gjelbëruesit e dhimbshëm që mezi mbahen në këmbë.

Dhe fillojnë e krruajnë rrugën, sidomos atë lokale, në të djathtë e në të mëngjër, e shkulin barishtet e egra, largojnë ndonjë tullë apo qërrojnë ndonjë bajgë të qerreve dhe forcojnë ndonjë vizë rruge.

Kjo ndodh në panik rreth 2 orë përpara, se sa eskorta e sulltan mavrisë, të rendë me shpejtësi, duke mbrojtur nga qoftëlargu, jetën e çmuar të Km-së, nga ndonjë rrezik apo protestë e rastësishme të pakënaqurish (pavarësisht se nuk kemi kurrë nga këto në traditën tonë të shkëlqyer).

Dhe kështu pra, nëse ndalon makinën dhe pyet ndonjë nga këta fakirë fukaraje: “Se çfarë po ndodh?”

Ai të përgjigjet në mënyrë konspirative se: “Do kalojë i madhi këtej…prandaj duhet vënë rregull…”dhe fshin në mënyrë teatrale ndonjë sumbull djerse dhe drejton me krenari, krrusjen e trupit eshtak dhe të rregjur nga skamja e varfëria.

Por…

Këto janë skena të përsëritura, në Historinë e Madhe dhe në historinë mjerane të diktatorëve dhe të diktatorucëve shqiptarë, që në fillimet e Pavarsisë.

Trashëguar nga kohërat kur kalonin Pashallarët oriental, me ushtri dhe harreme pas.

Ajo çka ndryshon në këtë kohë që mbajmë shënim, është se harremi i Km-së sonë, nuk ka gra, por burra të tredhur…
Do shkojmë në Europë apo jo?!

360grade.al

Share: