Home Gjeo-Ekonomia Mediat maqedonase: Rama i premton Zaevit port në Durrës

Mediat maqedonase: Rama i premton Zaevit port në Durrës

Shqipëria do t’i japë Maqedonisë mundësinë për një port në Durrës, të cilin do ta shfrytëzojnë kompanitë maqedonase për shkëmbim tregtar, ndërsa në të do të valëvitet edhe flamuri i Maqedonisë.

Sipas kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, i cili citohet nga mediat maqedonase, këtë ia ka premtuar homologu, Edi Rama.

Deklarata e Zaev është bërë gjatë një aktiviteti të organizuar ditën e sotme në Odën Ekonomike të Maqedonisë. Para sipërmarrësve maqedonas Zaev foli edhe për përfitimet e Maqedonisë nga marrëveshja me Greqinë dhe integrimin euro-atlantik.

Kryeministri i Maqedonisë tha se pas atij në Durrës, ata synojnë që të hapin edhe një port në Bullgari.

“Ja për shembull, me kryeministrin e Shqipërisë kemi të garantuar se do të na japin një port në Durrës ku do të valëvitet flamuri maqedonas. Kjo do të ndikojë në përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve që portet ofrojnë për kompanitë e Maqedonisë. Një tjetër çështje është që të lidhemi me Bullgarinë, përmes Detit të Zi dhe besoj se kjo do të ndikojë shumë në konkurrencën e çmimeve, ofrimin e kushteve më të mira për shfrytëzimin e porteve”, deklaroi Zaev.

Në aktivitetin e sotëm, Zaev tha se përfitues më të mëdhenj nga marrëveshja me Greqinë dhe ajo me Bullgarinë do të jenë sipërmarrësit dhe qytetarët.

o.j/dita

Share: