14 shkurt 1993.
Po kthehesha për në shtëpi pas pune.
Atëkohë, isha Përgjegjës Sektori i Llotarive dhe Lojrave të Fatit, si dhe inspektor për shërbimin e tatimpaguesve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim – Taksave (sikundër emërtohej atëkohë).
Për t’u kthyer në shtëpi rruga më e shkurtër ishte përbri Radiotelevizionit Shqiptar, Liceut Artistik “Jordan Misja“, kalimi në anën tjetër të Rrugës së Elbasanit kthim djathtas te Rezidenca e Ambasadorit Italian (edhe sot) dhe më pas kalimi majtas në drejtim Kopështit të Fëmijëve, në vazdimin e Rrugës “Budi“, me drejtim për nga Qyteti “Studenti“ te Pallatet e Pedagogëve.
50 – 60 metër pa dalë në vazhdimin e Rrugës Budi ndjeva disa hapa të lehtë dhe tentova të kthej kokën pas, por u godita kriminalisht me një mjet të fortë në anën e majtë të majës së kokës.
Mbaj mend se rashë duke bërtitur (në ato çaste tejet të dhimbshme të jetës): “Çfarë ju kam bërë?!“.
Ditë më parë, në programin “Mirëmëngjes“ të Radio Riranës, pata denoncuar mashtrimin me “Llotarinë Austriake“, duke i paralajmëruar qytetarët se në tregun e mashtrimit financiar kishte dalë një “Hajdin Sejdin i ri“.
Edhe pse pata probleme me Bankën e Kursimeve (që bënte menaxhimin e parave që rridhnin për llogari të këtij mashtrimi financiar), gjeta mirëkuptimin e Drejtorit të Përgjithshëm Edvin Libohova dhe Drejtorit të Degës së Tiranës Artan Santo.
Transferimi i parave sipas skemës gjeometrike 1 – 4 – 16 – 64 – 124 e në vazhdim (model tipik i skemës Ponzi në Boston të SHBA) u ndërpre.
U prek një nga fillimet e mashtrimeve financiare të njohura si skema piramidale.
Autorët e goditjes, sipas të gjithë hetimeve të farefisit tim të gjërë (për arsye se shteti nuk reagoi siç duhej), treguan se ishin larguar për në Greqi, nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme.
U largova nga ajo detyrë në mënyrë demonstrative.
Megjithëatë, më vonë, në vitin 1998, më ngarkuan të përgatis ligjin e llotarive dhe lojrave të fatit për arsye të karierës si Drejtor i parë i Ttotofutbollit dhe autor si disa VKM – ve dhe ligjit të parë për Llotaritë dhe Lojrat e Fatit (me mikun dhe juristin profesinist Genc Çifligu), si dhe dijenive praktike që kisha në këtë fushë.
I ruaj ende këto projekt – ligje, të cilët nuk u pranuan për hir të interesave politiko – mafioze të lojrave të fatit, që sot gëlojnë dhe janë një nga bazat e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parasë.
E bëra gjithë këtë paradë personale, për të arritur me logjikë historike te ngjarja kriminale e Klodiana Lalës.
Kjo paradë e thjeshtë e llotarive dhe lojrave të fatit në Republikën e Shqipërisë, shërben për të shpjeguar përse u qëllua shtëpia e prindërve të Klodiana Lalës por, që në fakt, nënkupton “shtëpinë” e të gjithë gazetarëve të medias shqiptare (elektronike apo edhe të shkruar).
I kthehem faktit të filmit të famshëm “Veronica” të gazetares irlandeze me famë botërore, veprimtaria hetuese e së cilës dhe vrasja mafioze arriti të bindë opinionin publik dhe të detyrojë politikën irlandeze të ndryshonte ligjet dhe të ndëshkonte mafian e lidhur me drogën, prostitucionin dhe të gjithë veprimtaritë e tjera të paligjshme.
Me këtë rast, po pyes:
Rasti Klodiana Lala, duhet të jetë, thjesht, një rast që duhet t’i lihet Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Sistemit Gjyqësor “përshpirtjeve” të politikës, apo duhet të jetë bashkimi në një rrjedhë e të zemërimit popullor sin ë Irlandën e viteve 90 – të?!
Është vrarë liria qytetare, ajo liri të cilën, sikundër e kam shkruar edhe më parë, i jep qytetarit të vendosë vetë mbi fatin e tij dhe jo t’i diktojnë se çfarë duhet të bëjë, kur dhe ku duhet ta bëjë dhe si ta bëjë.
Vettingu!
Fjalë e madhe, me një shpresë të vogël për qytetarin e thjeshtë dhe të varfër.
Vrasje, rrëmbime, vjedhje, mashtrime, korrupsion dhe, mbi të gjitha, … pasiguri.
Po bëj edhe rime:
RROJMË NË SHQIPËRI!
Kasem Seferi