Home KRYESORE Koncesionet pa ankand publik si “vjedhje të ligjshme”

Koncesionet pa ankand publik si “vjedhje të ligjshme”

Nga Artan Fuga

Nga informacionet në media (sepse qytetarin agjencitë e pushtetit lokal nuk marrin mundimin ta informojnë) mësohet se bashkitë po i hyjnë një rruge përftimi investimesh të mundshme duke dhënë asete publike me qira privatëve që financojnë duke u kompensuar me përdorimin e këtyre aseteve për një periudhë të caktuar.

Këtu përfshihet edhe bashkia e Tiranës, me rastin e mediatizuar të parkingjeve, transportit publik, etj. Të paktën mirë që nuk i shesin fare këto asete publike si troje, etj., gjysma e të keqes kur i japin me koncesion, pra janë të rikthyeshme një ditë përsëri te prona publike. Personalisht nuk jam ideologjikisht kundër dhënies të koncesioneve nga ana e pushtetit lokal privatëve.

Në këtë mënyrë arrihen të tërhiqen kapitale private për t’u financuar në shërbime për publikun, në kushtet kur bashkitë nuk kanë buxhet për këtë. E qartë, publiku do të paguajë për këto shërbime, por edhe poqese do të investonte bashkia, ku do ta gjente buxhetin? Do të rriste edhe më fort taksat, pra përsëri barra financiare te publiku do të binte.

Nuk më duket se problemi është këtu.

Madje bashkitë duke kursyer paranë publike, mund ta hedhin në fusha shërbimesh ku privati nuk investon. Problemi nis gjetiu dhe unë këtu jam i ndikuar fort nga “punisti” Joseph Stiglitz, që nuk është ndonjë ekonomist që ze peshk me dinamit në lanë, por nobelist në financë, i cili thekson se problemi me koncesionet është se nëpërmjet tenderimeve priviligjohen persona të caktuar, me lidhje me politikën dhe pasurohen me vendim politik.

Padyshim, pastaj ata do ta ushqejnë politikën mbrapsht duke formuar bazën e lidhjes korruptive. Pabarazitë shtohen, pasuria akumulohet në duar me baza trafiku klientelist, dhe gjithçka shkatërron drejtësinë sociale dhe madje edhe funksionimin cilësor të sipërmarrjeve që fitojnë këto tendera. Kjo pasuri e akumuluar me vendime nga agjenci politike pastaj e ka të lehtë të financojë fushata elektorale dhe të pistonojë drejt pushtetit robotët dhe robt e vet.

Demokracia lokale bëhet bosh sepse vendimmarrja bëhet nga këto sipërmarrje dhe jo më nga të zgjedhurit lokalë. Por, çfarë duhet bërë? Sot po iket gjithnjë e më shumë nga logjika e tenderit dhe po shkohet drejt ankandit publik të aseteve edhe kur është fjala për t’i dhënë për koncesion të përkohshëm ato. Cmimi negociohet në mënyrë liberale dhe ankandi kryhet nga agjenci të pavarura nga pushteti lokal.Pushteti publik pra i merr maksimumin vlerës në ankand duke u nisur nga një minimum fillestar i panegociueshëm.

Po ashtu ankandi bëhet në format e duhura duke i hequr edhe atij mangësi dhe boshllëqe. Ai negociohet në sasi por edhe në cilësinë e shërbimit të ofruar si edhe duke e ndarë asetin në më shumë se një dorë e vetme për të mos krijuar monople që pastaj reflektohen në çmimin e kripur të shërbimeve. Mbi të gjitha kur jepen me koncesion të mira publike duhet në mënyrë të qartë që të paktën 30 përqind e aseteve të jepen a të shiten si aksione te popullsia në treg të lirë, dhe të ndara në njësi të përballueshme financiarisht edhe nga shtresat e mesme ose me të ardhurave të pakta. Kështu qytetari do të jetë aktiv në menaxhimin e qytetit të tij.

Mos tallen me rininë e Tiranës, mos i japin gjoja ca lokale të qelbura si “shtëpi rinie” të tipit magazina, por ta tërheqin drejt pjesërmarrjes në pasurinë publike lokale.
Përndryshe hipokrizia është sheshit. Hapni aksione për rininë e popullit sepse po i merret fryma duke e zhveshur nga cdo pasuri e cdo aset. Dhe pastaj jo të gjitha projektet jepen me koncesion pa llogari. Përndryshe bashkia mbetet pa funksion administrues. Në çfarë dreqin qoshe të Lanës e kanë gjetur modelin e boshatisjes nga funksionet administrative agjencitë publike?

Na bëtë lanet me Lanën…

Dhënia me koncesion mbetet një model, por jo apriori i zbatueshëm. Jo si model ideologjik idiot dhe hajdutërish me çizme, por si pasojë e përllogaritjeve pragmatiste rast pas rasti. Sepse pastaj në vend të kemi një kryetar bashkie, ta zemë në Përmet, Ersekë, Laç a Tiranë, që kullandris pasuritë tona, e kemi vetëm tenderues që prodhojnë bazat për padrejtësira, për përqendrim pasurish te individë afër politikës dhe rinisë, në vend të pjesëmarrjes në pasurinë e qytetit, i dhurojnë papunësi dhe … shtëpi rinie për të luajtur ndonjë dorë bilardo….

Cfarë mashtrimi publik irritues !

Share: