Home KRYESORE Seksualiteti dhe pornografia!

Seksualiteti dhe pornografia!

Nga Mirela Cela Jorgo

Ideja që seksi ka edhe rreziqe është e vjetër sa edhe Edipi. Grekët e dinin se kjo histori ishte metaforike dhe ajo nuk hynte në dhomën e gjithkujt çdo natë. Ndërsa në shtëpinë tonë, sot në shekullin e njëzetenjëtë, violenca seksuale nëpërmjet televizionit, është më e zakonshme nga sa të mblidhet gjithë familja për t’u drekuar. Në qoftë se gjithkush do të harxhonte më shumë kohë për të ngrënë familjarisht dhe më pak kohë duke parë violencën seksuale në televizor, ne nuk do ta njihnim gjithë këtë seksualitet të pakontrolluar. Pornografia dhe mbathjet thong po shkatërrojnë shtëpitë dhe komunitetet tona sikur po i ha krimbi.

Është e vërtetë që pornografia nuk është një dukuri e re, ajo ka ekzistuar në shekuj, por kurrë nuk ka qenë në shkallën që është sot.

Është e vërtetë që më parë njerëzit shikonin më pak, më rrallë dhe më fshehtë pornografi dhe pa asnjë dyshim, nën një presion më të madh të kundërshtimit shoqëror.

Është e vërtetë se asnjë mëndje e shëndoshë nuk mund ta mohojë faktin, se skenat e sotme pornografike kanë bërë të ulen standardet tona morale.

Sot, pornografia shikohet, lexohet dhe dëgjohet në kushte të tjera. Shoqëria duket se është bërë më tolerante ndaj saj. Pornografia ka invaduar televizionin, filmat, radiot, libraritë dhe galeritë e arteve. Pornografi shkruajnë dhe shesin edhe profesorët që shteti u jep rrogë të edukojnë rininë.

Disa vjet më parë ne nuk do të toleronim skena që i shohim sot kudo në televizion, kinema dhe teatër. Pornografia përparon pa u ndalur. Duket sikur ajo është fjala e fundit drejt së ardhmes.Kemi plot arsye të reflektojmë për implikimet e pornografisë dhe të heqim paralele me jetën tonë të sotme. Dëgjojmë njerëz që thonë: Jemi qytetarë të rritur të një shoqërie të lirë, ne duhet ta kemi privilegjin të lexojmë dhe të shikojmë çfarë të duam.Sjellja “Unë dua të shoh atë që unë dëshiroj ”, pa parë interesat e mëdha dhe të largëta të shoqërisë, duket se është bërë e zakonshme në këtë Shqipërinë tonë sot. Kjo është një pikëpamje thellësisht narcissistike, vetë-indulgjente dhe fare pa përgjegjësi shoqërore.

Në vitet e diktaturës që lamë pas, interesi i “përgjithshëm” (i shtetit diktatorial) ishte mbi gjithçka, ndërsa interesat e individëve thuajse asgjë. Tani kemi shkuar në ekstremin e kundërt që thërret për liri individuale që tejkalon kërkesat e shoqërisë. Dhe ne të hutuar nuk gjejmë dot mençurinë për të përcaktuar një pikë diku midis mentalitetit diktatorial dhe prioriteteve individualiste të sotme.Dikush mund të pyesë:

Pse të censurojmë pornografinë dhe jo violencën në filma dhe në TV? Mirë është të censurohen të dyja. Violenca e tejskajshme në botën e shfaqjeve, është një problem shoqëror i rëndësishëm që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Por të gjithë e kemi vënë re se në filmat violenca paraqitet “si një e keqe “ që duhet ndëshkuar, ndërsa në të gjitha filmat dhe shfaqjet pornografike seksi i papërgjegjshëm paraqitet si një e mirë që kërkohet.Zor të besohet qënjerëzit normalë janë solemnisht dakord me atë që disa na thonë: “shoqëria nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këto çështje”.

A nuk e ka shoqëria të drejtën të vendosë standarde minimum të hijeshisë, të mirësjelljes, apo të turpit, sa herë që një pakicë mundohet ta prishë këtë.?A nuk kanë njerëzit e ndershëm të drejtën të thonë se kjo shkon tej kufijve të qytetërimit më minimal dhe këtë nuk e tolerojmë?.

Share: