Home KRYESORE Inaugurohet lëshimi i certifikatave në Itali

Inaugurohet lëshimi i certifikatave në Itali

Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano, u inaugurua shërbimi i lëshimit të certifikatave të gjendjes civile, shërbim i cili do të ofrohet tashmë në të gjitha zyrat konsullore pranë Ambasadës sonë në Romë dhe Konsullatave në Bari dhe Milano. Lëshimi i certifikatave të lindjes, familjare, të martesës dhe të vdekjes për shtetasit shqiptarë, rezidentë në territorin italian, u mundësua falë bashkëpunimit me qeverinë italiane në kuadër të angazhimit të shtetit shqiptar për të reformuar shërbimet konsullore. Kjo reformë ka për objektiv kryesor përmirësimin dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve konsullore, përshpejtimin e procedurave, si dhe uljen deri në masën 50% të tarifave konsullore për shtetasit tanë. Synohet që brenda vitit 2016, në kuadër të projektit të “Konsullatës Digjitale”, një pjesë e mirë e shërbimeve konsullore të ofrohen brenda një platforme online, duke modernizuar kësisoj shërbimin, duke rritur transparencën, aksesin ndaj informacionit dhe duke shkurtuar procedurat. Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Ministri Bushati nënvizoi se: “Ofrimi i këtij shërbimi pranë zyrave tona konsullore në Itali përbën një hap të rëndësishëm për bashkëkombasit tanë, në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe transparente dhe sa më pak të kushtueshme. Njëkohësisht, është shprehje e marrëdhënieve tona të shkëlqyera me Italinë si mikëpritëse e një numri të madh shtetasish shqiptarë. Ky shërbim përbën një formë moderne të asistencës ndaj qytetarëve tanë, të cilën synojmë ta shtrijmë dhe në vende të tjera”.

Share: