Ish-presidenti Rexhep Meidani priti në një takim të veçantë kryetarin e Kuvendit të Kosovës z. Kadri Veseli dhe zëvendës kryeministrat Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi.
Gjatë takimit u ndanë mjaft mendime mbi disa çështje të rëndësishme të procesit politik në Kosovë, por dhe ecurinë e mëtejshme të dialogut me Serbinë, në shërbim të interesave konkrete të qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, dhe jo të agjendave private politike.
Në këtë kuptim, në fazën e sotme, një rol parësor duhet të marrë ekipi me mandat nga Kuvendi i Kosovës, nën kryesinë e z. Limaj, me përfshirjen e domosdoshme të të gjitha forcave politike të Kosovës.
Mbështetur në një analize të detajuar u theksua qartë se, në kushtet e krijuara, uniteti midis këtyre forcave mbetet një domosdoshmëri kombëtare, një tezë fondamentale në mbarëvajtjen e dialogut me Serbinë, të vetë procesit politik në tërësi dhe, mbi të gjitha, në ndërtimin e qëndrimeve të qarta dhe të mençura sa më rezistente ndaj ndërhyrjeve, shpesh të personalizuara, me një objektiv madhor dhe tepër sublim:
fuqizimin e mëtejshëm të qeverisjes unitare demokratike, sovranitetit, shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës./360grade.al