Home KRYESORE PËR MOSVLERËSIMIN E INTELEKTUALËVE TË SPIKATUR FAJËSOHEN VAJZAT E BUKURA TË TELEVIZIONIT…

PËR MOSVLERËSIMIN E INTELEKTUALËVE TË SPIKATUR FAJËSOHEN VAJZAT E BUKURA TË TELEVIZIONIT…

Nga Robert Martiko

Nuk e kuptoj se përse, në një artikull që lexova në Fb, artikullshkruesi, me temën e titullit të mësipërm, për të nxjerrë në pah mos vlerësimin e botës shpirtërore, përdor në shkrimin e tij vajzat e pashme të shfaqjeve në televizion. Çdo njeri është i lirë të zhvillojë aktivitetin që dëshiron në jetë. Mjafton të mos bjerë në kundërshtim me ligjet. Ka kaluar koha kur prostitucioni konsiderohej plagë kombëtare, siç ndodhte në Francën e fillimit të shekullit të XIX.

Aq sa e çuditshme mund të duket, pavarësisht se sa përputhet me shijet tona personale, Merlin Monroe, konsiderohet si një nga individët më të aftë dhe të suksesshëm të botës. Madje, paraqitet në almanakë e libra formatesh të mëdha, krahas njerëzve më gjenialë të shekullit të kaluar. Pikërisht në këtë kategori ëndërruesish apo praktikuesish futen edhe vajzat e shfaqjeve shqiptare. Dhe, kur ato nuk thyejnë ligjet askush nuk ka të drejtë tu thotë gjysmë fjale.

Nga ana tjetër, nuk mund të them që artikullshkruesi nuk ka të drejtë, kur vë në dukje interesin e pakët për punën shpirtërore të intelektualëve. Në të vërtetë fenomeni është mjaft i vjetër. Herakliti, filozofi i gjërave që ndryshojnë, i cili thoshte se nuk mund të lahemi dy herë në të njëjtin lum, qysh para 2500 vjetësh, ka folur për kategorinë e njerëzve që i japin më shumë rëndësi botës materiale se sa shpirtërore. Pasi, pas çdo shfaqjeje të keqe që na bën përshtypje, fshihen gjithmonë njerëzit. Janë ata që vendosin të bëjnë të suksesshme ose jo një shfaqje televizive. Turmat janë ato që janë. Nuk ndryshojnë. Të paktën, ka kaluar koha e gjakderdhjeve të mëdha me turmat votuese të Musolinit e Hitlerit, për të mos folur për gjithë historinë, nga krijimi i shoqërisë njerëzore.
Të futet shteti i shkatërruar dhe i korruptuar shqiptar për të rregulluar jetën e intelektualëve të dalluar më duket shumë paradoksale.

Ndoshta edhe mund të ndodhë, nëpërmjet të njohurish dhe ndërmjetësish. Në shtetet e Ballkanit, ku nuk ekziston as ideja e kulturës evropiano-veriore: me Sigurimet Shoqërore, më të mira në botë, miku dhe i njohuri marrin vlerë të madhe.

Më mirë intelektualët e spikatur shqiptarë, sidomos ata që ndiejnë se kanë edhe ndërgjegje të pastër nga e kaluara, të thonë atë që thoshte Herakliti për veten e tij, pa mburrjen e mendjelehtit, por më shumë për të ngushëlluar veten: ‘‘Vlej sa dhjetë mijë njerëz’’, në kuptimin se një i ditur që jeton për të vërtetën, vlen sa miliona njerëz të paditur, që pëlqejnë lavdinë dhe jetojnë me opinionet e të tjerëve. Sepse janë pikërisht këta shkaku që jo vetëm në Shqipëri, por kudo në Botë, merr më shumë vlerë Merlin Monro dhe Ledi Di nga Mahatma Gandi, Nelson Mandela dhe Nënë Tereza. Prandaj thuhet se sot njerëzimi, i vendosur si mish në skarë për tu pjekur, për shkak të Ngrohjes Globale, është duke udhëtuar me trenin e vdekjes drejt lagerave e krematoriumeve, si në kohën e Hitlerit. Është koha kur vetë filozofia botërore, udhëheqëse e kualifikuar e mendimit të zgjedhur, ndërtuese e fatit njerëzor, ka ngritur duart përpjetë.

Share: