Nga Henry c.Hatfield Profesor i Gjermanishtes në Universitetin e Harvardit
Përktheu nga origjinali anglisht, Elvis Zaimi
Në 1930 Thomas Mann do të jepte goditjen e tij të parë madhore mbi fashizmin me: “Apel te Arsyeja”. Këndvështrimi i kësaj ligjërate i përngjan shumë asaj të novelës alegorike “Mario dhe Magjistari”. Tek të dy shkrimet gjejmë përçmimin mospërfillës dhe plot neveri prej patrici të Thomas Mann për fashizmin, sëbashku me vetëdijësimin e padyshimtë të tij se rreziku prej tij duhej marrë seriozisht.Nënkuptimet politike të kësaj novele, së jashtmi shfaqen më së qarti në dukjen dhe karakterin e Cipolla, personazhi që në mënyrë të përsëritur përdor kamzhikun e mbërthyer pas dore dhe stimujt e konjakut për energjitë që i veniten, si dy instrumentat e tij të pushtetit, pra me qëllimin për të ushtruar dhe nxjerrë prej tyre ndikimin dhe yshtjen e tij magjike. Thomas Mann I sjell në vëmëndjen tonë këto dy simbole si aluzione metaforike të forcës dhe mashtrimit që mishërojnë rreziqet e karizmës politike, me një insistim gati Ëagnerian. Cipolla është një përzierje e tipareve në dukje kontradiktore: i ngjason ”një sharlatani dhe xherahu batakçi”, një Kaliostro i vërtetë, për më tepër ashtu si petite bourgeoisie në plazh, ai është krejtësisht i zbrazët nga ndjenjat dhe pa humor.Ai është grotesk dhe qesharak, por nuk ta provokon aspak ndjenjën e të qeshurës me të. Ka diçka gati fantastike nga veshja e tij e modës së vjetëruar, një pispilloje vanitoze dhe mendjeboshe, në përpjekjen e tij për të sajuar portretin e një figure të traditës. (Në esetë dhe ligjëratat me të cilat Thomas Mann i paralajmëroi gjermanët mbi fashizmin, ai vuri në dukje pikërisht karakterin e tij reaksionar dhe “të modës së vjetëruar”). Ashtu si shefat e fashizmit, ai vjen me vonesë në shfaqje, e bën audiencën të presë për të rritur syspansën, dhe hapi i tij i parë kur shfaqet para saj në podium është i vrullshëm, si për të thënë se mezi ç’pret ta vendosë veten në shërbim të audiencës, ndërkohë që ai, sigurisht kishte qenë aty duke pritur, duke qëndruar në anësitë e skenës.
Magjistari flet me një elokuencë kaq brilante saqë fiton respektin qejfprishur dhe mosdashës të dëgjuesve të paqëndrueshëm dhe naivë. Ka tek ai një kombinim kureshtar të kapardisjes mburravece me mëshirën për vetveten; ai luan dhe shtiret sikur të jetë ai, dhe jo viktimat e tij, që vuajnë të debilizuar gjatë bëmave të tij hipnotike. Me fjalë të tjera, ai si një qerrata që di dhe kupton gjithçka, e portretizon vetveten si i gjithëmençur, hero deri në çastin e mbramë, udhëheqësi i popullit. Në karakterin e tij mbizotëron arroganca dhe vetëkënaqësia, por është e dukshme se ajo është kompensimi për shëmtinë e tij, dhe karakteristike për të deformuarit. Me një fytyrë “të mprehtë, por shkretane”, Cipolla ka një gungë në fund të shpinës. Ndjeshmëria e tij për “nderin kombëtar” imiton atë të burrit me kapele rrumbullake në plazh. Në të vërtetë, shovinizmi i Cipolla-s është i atillë sa ai nuk zmbrapset edhe përpara gënjeshtrave më absurde :”Në Itali, të gjithë kanë dhuntinë e të shkruarit”. Pikërisht para se të vritet ai shfaq një prirje të fortë homoseksualizimi, për të cilën fashistët gjermanë tashmë ishin famëkeq. Përmbi të gjitha, askush nuk duhet të nënvleftësojë aftësitë e tij prej magjistari, se edhe pse kostumi i vendosur mbi trupin e tij, ose më saktë që varet në trupin e tij, të nxit një habi kureshtare, sepse vende-vende i rri i puthitur ngushtazi, në vende të tjera i qëndron kindegjerë, Thomas Mann e thekson se në pozat, manierat dhe sjelljet e tij nuk kishte asgjë prej shakaxhiu apo klouni.
Përkundrazi në to mbretëronte serioziteti I plotë dhe mungesa e ndonjë apeli për të kaluar në humor. Pak e nga pak Kavalier Cippolla e zbulon vetveten të jetë “hipnotizuesi më i fuqishëm që kam parë në jetën time” sipas rrëfyesit anonim të novelës. (Na duhet të kujtojmë se ai e kishte afishuar vetveten thjesht si një presdigjator). Në mënyrën sesi ai e trajton dhe përballet me audiencën, Cipolla është një mjeshtër I taktikave demagogjike.Përça e sundo është metoda e tij, të cilën ai e ushtron me një aftësi mjeshtërore, dhe në mënyrë të përkryer deri në fund. Për herë të parë kryelartësia dhe arroganca e tij false prej kokëboshi sfidohet, me romuze, përpara se shfaqja të fillojë, nga një djalosh i rrëmbyeshëm në zulmën e turmës, por djaloshi nuk është vetëm sfiduesi, por edhe viktima e parë që bie nën kontrollin e pushtetit të tij hipnotik. Cipolla i përgjigjet sifidës së djalit duke e poshtëruar atë, duke e detyruar me fshikullën e kamzhikut të tij të nxjerrë gjuhën përpara audiencës, pra jo vetëm për ta poshtëruar, por njëkohësisht edhe duke e përdorur djalin nën fuqitë e tij hipnotike për të ofenduar pjesën tjetër të audiencës. Ai, e katandis një të ri tjetër në një derexhe të atillë, e cila mund të përshkruhet gati si një “somnambulizëm ushtarak”.
Në krye të herës, ai e lë spektatorin e veshur më mirë mënjanë, duke u përqëndruar tek ata të cilët injoranca apo mungesa e sigurisë në vetvete I bën më të përthyeshëm dhe të cënueshëm para trukeve të tij magjike. Për të thyer barrierën që ndan udhëheqësin nga masa, ai largohet nga podiumi dhe qarkullon në mes të audiencës. Më në fund, edhe aristokratët, duke përfshirë një oficer ushtrie, një zonjë me pretendimeve kulturore, madje edhe “një anglo-saksone plakaruqe” bien nën efektet e pushtetit të tij magjepsës. Nëpërmjet lajkave, trukeve, dhe intimidimeve, dhe mbi të gjitha me pushtetin hipnotik, për sinqeritetin e të cilit autori nuk lë fare vend për dyshim, ai arrin të nënshtrojë praktikisht të gjithë audiencën.
Diku ai merr një rol në dukje pasiv, duke dhënë shfaqje të një gjenialiteti të lindur për të lexuar dhe zhbiriluar mendjen e spektatorëve, duke iu bindur vullnetit të tyre. Udhëheqësi duhet të jetë në gjendje të ndjejë se cilat janë dëshirat e popullit të tij. Porse Cippolla e bën të qartë, se vullneti i tij, është mbizotërues përmbi të gjitha, tek e fundit. Komentet dhe vërejtjet e tij, duke sjellë në vëmëndje dhe i kushtuar rëndësi përdorimit të njësishëm të urdhrit dhe bindjes, unitetit ndërmjet udhëheqësit dhe popullit, tingëllojnë si citime të drejtpërdrejta nga ndonjë vepër e dogmës fashiste.
Audienca, ja vlen të theksohet nuk e kishte pëlqyer kurrë magjistarin. Qëndrimet që ajo merr ndaj tij janë të rrëshqitshme dhe të dykuptimta, dhe në përgjithësi ajo shfaq simpati për viktimat e tij. Prapë se prapë askush nuk largohet nga shfaqet e tij, Cippolla ka aftësinë e jashtëzakonshme të prodhojë një magjepsje personale dhe ushtrojë një ndikim tejet tërheqës tek audienca, “ krejt i pavarur nga programi i shfaqjes”.Në këtë mënyrë një temë e re është vendosur për t’u përcaktuar; kjo është historia e vullnetit, ashtu si edhe e fashizmit, ose më mirë e dy elementëve, tiranisë morale dhe politike, të ndërlidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin, dhe më në fund të shkrirë në një.