ESSE PER SHKODREN, nga Albert Vataj
Nuk asht befasi nëse e tashmja e këtij qyteti ka degdis n’nji gjendje jo dhe aq shndrrimi se sa stanjacioni. Tue ik prej saj, përdhunshëm, ndoshta kapacitetet ma t’njimendta, e tuj mbetë aty të tjera forca t’afta për me përshkue rrugën e parathanë t’fatit të këtij qyteti, jo gjithçka e jo gjithqysh, si asht dashtë ka pasë kushtet e përshtatshme me ndodh. Megjithëse, përpjekejt dhe kontributet vijojnë me ken përfaqsuese. Emna dhe vlera, ngulme dhe sfida, s’reshtin së përkunduni njat djep t’kulturës, s’prajn së kunguemi t’hyjshmen e t’shkumes dhe t’tashmes së kësaj krenie dhe detyrese, t’njasaj andrre e dëshirimi qi ka ndez e ka me zjarrmue sod e përgjithmonë Shkodrën e shkodranët.
Politika, e cila gjithherë tue dashtë me përfitue, asht përpjekë me e denigrue kët qytet e tue synue me i’a mbrri këtij oguri t’keq, me mujt gjithqysh me e shkurorzu kyt zonj t’rand, kyt hyjnesh. N’vëzhgim turraz, mundem me thanë qi diçka ka mujtë me marrë prej kësaj dashakeqsije, jo vetëm duke shmangë dashtazi kapacitetet përfaqsuese dhe ata qi denjësisht do t’kishin kenë udhëpërshkues të vazhdimsisë, por tue rrëmue me e diftue kët kryqendër të qytetnimit shqiptar me disa zelltarë jopërfaqësus, njiherash ka arritë qëllimin për me hedhë baltë mbi përmendoren e krenarisë së këtij qyteti, tue përdorë pjellën e vet. Tue e lan n’mshirë të fatit, tue e pa ma shum me synin e njerkës se t’nanës, politika, shteti, e pse jo edhe vetë shkodranët kanë ba t’mujtin me e frenue n’nji far mënyre ecjen e këtij qyteti, daljen e saj prej anatemës: “…se Ajo krenohet me kujtesën… e jo me mundësinë”.
Ndoshta goditjen ma t’randë kjo nevojë për me kenë dhe me u ndie ma e hyjshmja ndër hyjnesha, Shkodrës ia ka dhanë ikja, e cila tue kenë e kushtëzueme prej ndryshesave e zhbani endjen e dëshirueme t’fatit krenues të këtij qyteti.
Megjithëse dita-ditës, rranjtë e saja, thirrja e kakohëshme amanetqare, borxhi i pashlyem, kanë gjetë vullnete dhe hove me marrë zjarm e me lshue turr. Asht inkurajues fakti se sot ka pena fort t’mira, t’cillat po përpiqen me vu nji gur n’themelet e traditës shkodrane dhe asaj shqiptare. Kanga dhe poezia, arti dhe skena, dëshmimi dhe përpjekja kanë mbushun krahnore e kanë buçitun zane. Edhe pse konsumizmi, tue kenë nji e tashme imponuse, duket se nuk ka frenue qi shumësia e këtyne vlerave të kumtojë at nevojë që ndin secili për me i ruejtë dhe me i çue ma tej gjanat krenuese t’Shkodrës, kët traditë qi n’themelet e saj janë murue; jetë dhe shpirtna, sakrifica dhe kontribute, vlera dhe veti, tipare dhe karakteristika dalluese, përpjekje dhe vepra.