Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deklaroi nga studioja e lajmeve të Top Channel se partia që ai drejton “de facto” nuk është më pjesë e koalicionit qeverisës.
“De facto PBDNJ-ja nuk është më pjesë e koalicionit, por “de jure” nevojitet edhe kongresi për këtë vendimmarrje. Unë do i propozoj kongresit daljen nga ky koalicion”, tha Dule.
Në lidhje me takimin që pati të martën me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Dule theksoi: “Është normale takimi i krerëve të dy forcave politike. Unë as nuk i afrohem as nuk i largohem koalicioneve duke u nisur se kush bën pjesë në koalicione. Ne jemi të përqendruar te politika”.
Dule shpjegoi se po i largohet koalicionit qeverisës për arsye se ky koalicion i është larguar frymës që e karakterizonte.
“Ne po i largohemi një koalicioni që i është larguar frymës me të cilën erdhi në pushtet. Erdhi me dëshirë për reforma, por dështoi me taksat, dështoi me shëndetësinë dhe dështoi në lidhje me zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Dule./ Top Channel