Home KRYESORE 100 Vjet mbas Luftës së Parë Botërore – Mësime për të mos...

100 Vjet mbas Luftës së Parë Botërore – Mësime për të mos u harruar!

Nga Prof. Lisen Bashkurti

Njëqind vjet më parë përfundoi Lufta e Parë Botërore. Kjo është një ngjarje e paharueshme në kujtesën historike të njerëzimit. Bota kurrë më parë nuk kishte përjetuar një tmerr të tillë. Lufta e Parë Botërore i dha fund ‘Koncertit’ të shekullit të XIX dhe shënoi fillimin e ‘funeralit’ të shekullit XX.

Nga kjo lufte disa Perandori të Vjetra u shëmbën, duke lënë pas humbje njerëzore, shkatërrime ekonomike, konflikte dhe luftra. Ndërkohë disa Perandori të reja nisën të ngriheshin, duke shpalosur ambiciet politike, ekonomike e ushtarake për hegemoni, tregje dhe sundim botëror.

Ndërkohë midis rënies dhe ngritjes së Fuqive të Mëdha, disa Fuqi Botërore u tërhoqën në isolimin e tyre luksoz ose u zhytën në sfidat e tyre të brëndshme. E ndërsa kancelaritë përllogaritnin fuqitë e tyre dhe të armiqve, prognozonin avantazhet dhe disavantazhet për arritjen e ambicieve, në teatrin e përgjakur të luftës ngelen vetem popujt.

Lufta e Parë Botërore ishte nga më vdekjeprurëset në historinë e njerëzimit, në të cilën mbi 17 milionë njerëz u vranë, prej tyre 7 milion ushtarë dhe 10 milionë civilë. Ndërkohë që u plagosën dhe gjymtuan rreth 37 milionë civilë e ushtarë. Miliona mbetën ta paaftë, të gjymtuar, e të sëmurë nga afektet shëndetsore të armëve kimike, biologjike dhe të dëmtimit në masë. Afro 85 miliardë dollarë ishin dëmet ekonomike e materiale.

Mbi të gjitha kjo luftë la pas ksenofobi në rritje, frikë, urrejtje dhe armiqësi të pafund. Traktati i Paqes,1919, që përfundoi këtë luftë nuk ishte gjë tjetër vecse një letër iluzive e përkohëshme, që do rikthente pas dy dekadash në nivele dhe përmasa akoma më të mëdha revanshin, urrejtjen dhe armiqësinë midis shteteve dhe popujve.

Periudha midis dy luftrave botërore ishte një paqe e ashtuquajtur, ose një periudhë kalimtare nga njëra luftë tek tjera. Traktati i Paqes I Versajës që i dha fund Luftës së Parë Botërore, në fakt i hapi rrugë fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai në thelb nuk ishte traktat për vendosje paqeje, por traktat për provokim lufte. Dy luftrat botërore ishin dy pjesë të së njëjtës tragjedi. Lufta e Parë Boterore ishte vetëm pjesa e parë i një tragjedie që do vazhdonte me pjesën e dytë, Luftën e Dytë Botërore.

Nga Viena Në Berlin – Aleancat dhe gara armatimeve

Koncerti i Vjenës, 1815 ndërtoi një system ndërkombëtar të bazuar në bashkëpunimin e Fuqive të Mëdha, në konsesusin shumëpalësh ndërmjet tyre dhe në balanën e forcave. Në më të shumtën e kohës ky sistem prodhoi paqe e prosperitet. Por me kalimin e kohës rezultoi në krijimin e një rrjeti aleancash politike dhe ushtarake. Kjo dinamike politike solli si rezultat tërheqjen e Britanisë së Madhe, rënien e Perandorisë Osmane dhe ngritjen Prusisë së Bismarkut mbas 1848. Fitorja Austro-Prusiane neë 1866 solli domimin Prusian në Gjermani, ndërkohë që fitorja mbi Francë në Franko-Prusiane në vitet 1870-71 solli unifikimin e Gjermanisë në një shtet unitar nën udhëheqjen Prusiane.

Më qëllim që të izlonote Francën dhe të shmangëte luftrat në dy fronte, Oto Bismark negocioi Lidhjen e Tre Perandorëve: Gjermani, Austro-Hungari dhe Rusi. Mirëpo fillimi i Krizës Lindore me fitoret e Rusisë kundër Perandorisë Osmane në 1877-1878 dhe rritjen e influencës së tyre në Ballkan, Lidhja e Tre Perandorëve u shpërbë. Ndërkohë Gjermania dhe Austro-Hungaria vijuan lidhjen duke krijuar në vitin 1879 Alencën Dyshe. Me bashkimin edhe të Italisë në këtë lidhje në vitin 1882 u bë Aleanca Treshe e Evropës Qëndrore.

Pakti i Aleancës Treshe ishte i kufizuar në detaje. Qëllimi kryesor i tij ishte parasëgjithash bashkëpunimi i Tre Fuqive për izolimin e Francës. Përpjekjet e Britanisë në 1880 për të zgjidhur tensionet koloniale me Rusinë si dhe lëvizjet diplomatike Franceze e shtynë Bismarkun të reformonin Lidhjen në 1881. Kur Lidhja pushoi së ekzistuari në 1887, ajo u zëvëndësua nga Traktati i Risigurisë, një marrëveshje sekrete midis Gjermanisë dhe Rusisë për të qëndruar neutral nëse do të sulmoheshin nga Franca (Gjermania) ose Austro-Hungaria (Rusia).

Në vitin 1890, Perandori Ri Gjerman Kaiser Vilhelm II e detyroi Bismarkun të tërhiqej dhe për rrjedhojë jo të ripërtërinte Traktatin e Risigurisë me Kancelarin e Ri, Leo von Caprivi. Kjo i hapi rrugë kundërveprimit të Francës kundër Aleancës Treshe me anë të krijimit të Aleancës Franko-Ruse në 1894 dhe më pas të Antantës Kordiale me Britaninë në 1904. Ndërkohë tre vjet më pas, në vitin 1907 Britania dhe Rusia firmosën Konventën Anglo-Ruse. Këto marrëveshje nuk krijonin në fakt aleanca formale, por me anë të zgjidhjeve afatgjate të konflikteve koloniale ato e bënin Britaninë të përfshihej në cdo konlfikt të ardhshëm që përfshinte Francën ose Rusinë. Kjo kycje marrëvershjesh bilaterale ndërmjet tyre u bë e njohur si Antanta Treshe.

Unifikimi i Gjermanisë mbas Luftës Franko-Prusiane solli rritje të madhe ekonomike dhe industriale të saj. Në këtë periudhë rritje, Vilhelmi II vendosi të krijonte Flotën Imperiale Gjermane që të konkurronte Flotën Mbretërore Britanike për dominim të lundrimit botëror. Strategjikisht Gjermania u bazua në teorinë e gjeopoliticienit të ShBA, Alfred Mahan, i cili argumentoi se…”kush do të sundojë detet do të sundojë botën”. Libri i Mahan u përkthye në gjermanisht dhe u fut në tekstet e detyruara për të gjithë oficerët e ushtrisë.

Kështu nisi gara ushtarake e flotave detare Anglo-Gjermane. Me hyrjen në shërbim luftarak të anijes së luftës “HMS Dreadnought” në vitin 1906, Flota Mbretërore Britanike kaloi në avantazh mbi flotën Gjermane dhe vijoi të mbetej e tillë edhe në ardhmen. Gjatë vitit 1912 ekonomia Gjermane nuk mundi më tutje të mbështeste njëkohësisht flotën ushtarake dhe rritjen e ushtrisë së përhershme në Evropë. Kjo solli humbje të madhe Gjermane. Zhvendosja e burimeve ekonomike të mëdha për të krijuar flotë të fuqishme përkundër Britanisë, por pa arritur ta mundi atë, solli vërtetë një katastrofë strategjike për Gjermaninë.

Fundi i garës së flotave ushtarake detare midis Anglisë dhe Gjermanisë i uli tensionet e garës së armatimit ndërmjet tyre, por nuk solli uljen e tensioneve në fusha të tjera. Në 1913 Gjermania aprovoi një rritje të madhe të ushtrisë së saj të përhershme me 170 mijë trupa, Rusia e rriti ushtrinë me 500 mijë trupe në tre vitet në vijim, ndërkohë Franca rriti shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga dy në tre vjet. Sipas të dhënave të kohës, midis 1870-1914 shpenzimet e përgjithshme ushtarake të Austrisë, Gjermanisë, Italisë dhe Rusisë u rritën nga 94 milion paund në 394 milionë që është një shifër ekuivalente me 35 miliardë paund në kohën tonë. Rritja më e madhe u bë nga Gjermania me 70 përqind dhe më pas nga Rusia me 39 përqind. Rritja e shpenzimeve për buxhetet luftarake ishte shënjë e qartë se bota po shkonte drejt luftës.

Pjesa e dyte ketu

Share: