Home KRYESORE Ndryshimi i kufijve? Rama: S’jam në një mendje me Haradinajn as me...

Ndryshimi i kufijve? Rama: S’jam në një mendje me Haradinajn as me Thaçin

Serbia e quajti sërish provokim fjalimin e Kryeministrit Rama në mbledhjen e dy qeverive në Pejë. Kreu i qeverisë shqiptare e kishte paralajmëruar reagimin, por duket indiferent për çfarë shkaktuan deklaratat e tij në Beograd apo Bruksel.

Në një intervistë për Tv Klan ai pranon se qëllimi i kritikave të forta ishte pikërisht tërheqja e vëmendjes për indiferencën që po tregon Bashkimi Europian ndaj Kosovës dhe favorizimin që po i bëhet Serbisë në procesin e dialogut.

“Unë fola sinqerisht dhe isha i drejtpërdrejtë. Mirëpres çdo reagim, kjo është jeta demokratike. Fjalimi synonte të tërhiqte vëmendjen. Serbët duhet të pranojnë të jetojnë në paqe”.

Nuk e ka kompleks aspak të pranojë se Vuçiçin e ka mik, por thotë se kjo miqësi nuk ndikohet nga e vërteta e secilit prej tyre.

“Miqësia është vlefshme, por të vërtetat janë të vërteta. I besoj më shumë asaj preshjes, ‘e dua Platonin por më shumë dua të vërtetën”.

Të vërtetën e vë edhe në mes si vijë distancimi mes Haradinajt dhe Thaçit kur pyetet se qëndrimin e kujt prej tyre mbështet në lidhje me korrigjimin e kufijve.

“S’jam në një mendje as me Haradinaj as me Thaçin në kuptimin e ndarjes së mendjes. Korrigjim kufijsh për çfarë? Nëse flitet për korrigjim për t’u çliruar nga mekanizmat e brendshme që Serbia i ka imponuar jetës demokratike të Kosovës, normalizimit dhe bashkimit të shqiptarëve është e mirëserardhur. Por nëse flitet për ndryshim për një njohje të kushtëzuar me gjithë këto mekanizma në emër të garantimit të minoriteteve jam kundra”.

Kryeministri është i bindur se po humbet kohë në një rreth vicioz me hile ballkanike kur në të vërtetë sipas tij Serbia duhet të kuptojë potencialin që ka për të bashkëpunuar me Kosovën si një partner strategjik. Dhe si model për të ndjekur ai risjell në vëmendje edhe njëherë, Francën dhe Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore./tv Klan

Share: