Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj doli në foltoren e parlamentit për të përgënjeshtruar lajmin e dalë në media se janë proceduar një numër i madh studentësh dhe intelektualësh mes tyre pedagogu Edmond Tupja e këngëtari Robert Aliaj.
Në fjalën e tij, Lleshi tha se policia nuk ka referuar në prokurori asnjë material për të hetuar studentë apo pedagogë, ndërsa njoftoi se do të ketë ndëshkime në Policinë e Shtetit e cila nuk reagoi që ditën e djeshme për të përgënjeshtruar lajmin që qarkulloi në të gjitha mediat.
Fjala e plotë e Sandër Lleshajt në Parlament
E mora fjalën për të bërë vetëm një ndërhyrje të shkurtër që ka lidhje me protestat e studentëve.
Gjatë ditës së djeshme ka qarkulluar që herët në mëngjes një lajm për kinse fillimin e procedurave penale ndaj disa studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës në protestat e zhvilluara këto ditë në vendin tonë.
Ky lajm ka gjetur një jehonë të gjerë mediatike, publike, ka pasur diskutime, elaborime të shumta.
Edhe miq të mi në radhët e profesorëve më kanë shqetësuar dje lidhur me pakuptimësinë e këtij lajmi, ose të kësaj ndërhyrjeje të policisë, dhe në momentin më të parë që gjeta kohë për t’u marrë me ketë çështje, i kam kërkuar Policisë së Shtetit informacione të detajuara rreth kësaj ndërhyrjeje, rreth këtij procedimi dhe për befasinë time të madhe rezulton që lajmi është plotësisht i pavërtetë. Dje nuk ka patur kurrfarë procedimi penal ndaj asnjë pedagogu dhe ndaj asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e vendit.
Është lehtësisht e provueshme kjo, në qoftë se dikush do kishte marrë mundimin të interesohej pranë organeve të Prokurorisë apo përmes avokatëve përkatës.
Pra edhe njëherë e përsëris, më shumë për opinion publik: Nuk ka pasur asnjë lloj procedimi penal ndaj asnjë pedagogu apo asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e ditëve të fundit, të zhvilluara në Tiranë apo në qarqet e tjera të vendit.
Sigurisht që pas këtij konstatimi kam filluar procedurat për të nxjerrë përgjegjësinë ndaj atyre personave përgjegjës në Policinë e Shtetit, të cilët nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshme për ta përgënjeshtruar këtë lajm, i cili mori vëmendje të madhe publike dhe ngatërroi shumëçka. /Opinion.al