Në fshatin Zenelaj, vendlindja e njërit prej të vrarëve të 21 Janarit, Ziver Veizit, familjarë të tij janë mbledhur për të përgatitur ceremoninë përkujtimore që do të mbahet të hënën në përvjetorin e 8 të kësaj ngjarjeje, raportohet në një kronikë të transmetuar nga Top Channel.
Të afërmit e Ziver Veizit thonë se mbeten në pritje të drejtësisë për vëllanë e tyre, që deri tani nuk ka ndodhur. Trëndafilja, e motra, komenton edhe rreth statusit të dëshmorit që pritet të përfitojnë 4 të vrarët në 21 janar, ndërsa detajet do të mësohen të hënën në ceremoninë e përvitshme në Tiranë.
“Drejtësia nuk ka shkuar në vend akoma. Edhe tani presim drejtësinë e re. Dënimi i vrasësve do të na lehtësonte”, thotë motra.
Ndërsa vëllai Çaush Veizi thotë: “Statusi i dëshmorit mund të jetë diçka, por jo zgjidhje për drejtësinë”.
Ziver Veizi jetonte i vetëm në fshatin Zenelaj, 12 km larg qytetit të Gjirokastrës, në periudhën që i parapriu protestave të janarit të 8 viteve më parë. Ai ishte njëri prej 4 të vrarëve më 21 Janar të vitit 2011. Bashkë me të humbën jetën edhe Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
v.l/ Dita