Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit e Shtetit (AIDSSH) Gentiana Sula deklaron se në 2 vite është bërë verifikimi i të paktën 1500 figurave të rëndësishme dhe 30 janë gjetur me probleme.
Ndërkohë në organet e drejtësisë janë verifikuar rreth 550 figura, 4 prej të cilëve janë gjetur me probleme.
Gentiana Sula: “Autoriteti në dy vite ekzistencë ka verifkuar të paktën 1500 figura, të cilët janë të gjithë zyrtarë shumë të lartë, natyrisht ashtu siç i ka ligji. Për organet e larta të drejtësisë kemi verifikuar rreth 550 figura dhe 4 prej tyre janë gjetur me probleme.
Në dokumentat e sigurimit nga 1500 figura rreth 30 janë gjetur me probleme. Në asnjë rast nuk ka axhendë politike tek ne, nuk ka asnjë axhendë, kordinim, absolutisht asgjë. Tek ne është vetëm ligji, procesi.
Do bëjmë punën ashtu siç e kemi bërë çdo ditë. Është një proces i zakonshëm që kemi bërë, dhe në rastin konkret na vjen keq që ka dalë vendimi në shtyp sepse nuk duhet të dilte, nuk e di kush e ka nxjerrë por e vërteta është se ne punën e kemi krejtësisht të pandikuar nga çdo gjë që ndodh. I shërben ligjit dhe reformave të rëndësishme të Shqipërisë”.
Por çfarë ndodh më pas?
Gentiana Sula: “Është detyra juaj, e gazetarëve, të ndiqni çfarë ndodh mbasi ne çojmë vendimin tek insituticioni. Ne nuk bëjmë këtë monitorim. Është vendim i instituticioneve. I bëj thirrje publikut dhe gazetarëve të bëjnë ndjekje të të gjitha rasteve sepse kanë të drejtë, që nëpërmjet të drejtës për informim, ti ndjekin rastet”.
Edhe Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz ka reaguar për rastin e prokurorit Bujar Sheshi.
Susanne Schütz: “Nuk i njoh të gjitha detajet e procesit por për mua është mjaft e rëndësishme të theksoj edhe njëherë se për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian është shumë e rëndësishme që reforma në sistemin e drejtësisë të mund të ecë përpara.
Dimë gjithashtu se këshillat përkatës KLP dhe KLGJ janë duke punuar në këtë drejtim pikërisht që reforma në drejtësi të mund të zhvillohet edhe në të ardhmen. Dhe sigurisht po kaq e rëndësishme është që edhe qytetarët të mund të ruajnë besimin e tyre tek instituticionet”.